Me rastin e ditëlindjes së Hasan Prishtinës, 27.04.1873, botojmë letrën e tij drejtuar presidentit amerikan W. Wilson më 15.01.1919
Shkruan:Mehmet Prishtina
Sesioni i dytë, nr. 8 (19), 15 janar 1919,
SHQIPËRIA, revistë dymujore për mbrojtjen e interesave shqiptarë
Çmimi i numrit: 15 qindarka
Adresa: Fahu. P.nr. 17393, Lozanë, stacioni hekurudhor
Një zë nga Shqipëria
Jemi të lumtur që sot para miqve tanë, por edhe para lexuesve dashamirës të Shqipërisë, mund të prezantojmë këtë dokument, i cili ka për qëllim të vërë gjërat në vendin të vet, të bindë ata mes nesh, besimi i mirë i të cilëve është shfrytëzuar nga intrigantë cinikë, si edhe të përgënjeshtrojë e të demaskojë ata të mjerë që, duke iu bindur interesave të ulët materialë, me vetëdije kanë kryer veprime, të cilat janë shumë afër kufirit të asaj që mendohet se është tradhti. Në thirrjen e fuqishme fisnike dhe patriotike që do të lexoni këtu, do të dëgjoni se si kumbon zëri i popullit shqiptar, i cili për shekuj të tërë është i etur për liri dhe pavarësi. Në kushtet e sotme, populli ynë nuk mund të gjente interpretues më besnik dhe më të vërtetë sesa grupi i patriotëve të mbledhur rreth z. Hasan bej Prishtinës, nënshkrues, në emër të tyre, të kërkesës drejtuar z. Uillson.
Dëshirat e vërteta dhe aspiratat legjitime të popullit shqiptar shpallen këtu dhe paraqiten qartë e pa asnjë mëdyshje, sepse këto dëshira dhe këto aspirata mbështeten, deri në hollësitë më të vogla, mbi të drejtat e patjetërsueshme dhe të pacenueshme të popujve, ashtu siç i proklamonte me aq vendosmëri dhe autoritet Presidenti Uillson. Ne ende e ndiejmë ndjenjën legjitime të sadisfaksionit patriotik, për faktin se sot kemi mundësi t’u ofrojmë atyre që kanë ende dyshime, dëshmi të pakundërshtueshme, ajo që kemi mbrojtur vazhdimisht në faqet e botimit tonë modest përputhet pikë për pikë me ndjenjat autentike dhe reale të popullit tonë, sepse çdo fjalë e z. Hasan bej Prishtinës vërteton qartësisht atë që ne, madje kohët e fundit shumë shpesh, kemi mundësi ta vërtetojmë përmes këtyre rreshtave, e kjo është: “Pavarësi e plotë për mbarë atdheun shqiptar”.
Pas kësaj thirrjeje nuk është më e nevojshme të denoncohen veprimet kriminale antipatriotike të grupit të mjerë të nënshkruesve të Factum de Geneve, as edhe të stigmatizojmë përpjekjet e tyre të turpshme për t’u paraqitur si zëdhënës të besueshëm të ndjenjave të një populli, që prej dekadash nuk i njeh më si të tillë dhe me të cilët nuk i lidh më as lidhja më e vogël morale ose materiale. Pikërisht ky qëndrim i bën të pavlefshme kërkesat që qeveria e z. Sonino vazhdon të marrë nga disa prej bashkatdhetarëve tanë, të cilët ajo i mban nën pushtetin e saj në Itali, madje edhe nga disa shqiptarë të Shqipërisë, ku karabinierët së bashku me civilë të tjerë dhe agjentë ushtarakë në Romë i nxitin me kujdes dhe zell për t’u nënshtruar ndaj zgjedhës së huaj. Këtu në vazhdim do të paraqesim fjalë për fjalë, kërkesën që është i dërguar, në emër të tij, zotit President Uillson, në Paris, më 18 dhjetor të vitit 1918:
Zoti President, Ju jeni duke u përgatitur që të merrni pjesë në kongresin që duhet të rikonstruktojëEuropën sipas parimeve të së drejtës së popujve për të vendosur vetë për fatin e tyre, parime për të cilat lavdia e të shënuarit në flamurin e njerëzimit ju takon juve. Në këtë çast solemn, ne, përfaqësuesit e dy milion e gjysmë shqiptarëve, popullit më të vjetër të Gadishullit Ballkanik, ju drejtohemi Juve me lutje që t’i shqyrtoni dëshirat e popullit tonë për paanshmëri të plotë, gjë që ju dallon shumë nga të tjerët dhe të na mundësoni që këto dëshira t’i parashtrojmë në Konferencën e Paqes. Për shekuj të tërë, pavarësisht vështirësive të panumërta me të cilat është përballur dhe është detyruar të luftojë populli ynë, ai ka ruajtur gjuhën e vet, origjinalitetin e vet, traditat dhe zakonet e veta.
Pesë shekuj të plotë populli ynë me një rezistencë të fuqishme i kundërvu presionit otoman dhe, në fund, ia mori pushtetit turk të gjitha ato arritje të mëdha me rënien e tij në vitin 1912. Është e vërtetë që në takimin e ambasadorëve në Londër në vitin 1913 u krijua Shqipëria e Pavarur, por pjesa më e madhe e shqiptarëve dhe e tokave shqiptare mbetën jashtë kufijve të këtij shteti. Prandaj, proklamimi juaj në lidhje me të drejtat e popujve, që të merrnin në dorë fatin e vet, populli shqiptar e priti si porosi të një shpëtimtari. Nuk dyshojmë se Ju, zoti President, së bashku me aleatët Tuaj të kombit shqiptar, do t’i mundësoni popullit shqiptar të njëjtat të drejta, siç i gëzojnë armenët, çekët, jugosllavët dhe kombet e tjera. Kombi shqiptar, i cili dha aq shumë jetë njerëzore për realizimin e idealit të vet kombëtar, ideal për të cilin derdhi aq shumë gjak, mbetet i bindur se Ju dhe aleatët Tuaj do t’u jepni fund vuajtjeve në emër të së drejtës dhe barazisë.
Të bindur në këto premisa, ne Ju drejtohemi me lutje, z. President, që të shfrytëzoni ndikimin tuaj gjatë kohës së bisedimeve në lidhje me ardhmërinë e Shqipërisë, që në Konferencën e Paqes të ftohet për pjesëmarrje edhe delegacioni i popullit shqiptar, që të paraqesë dhe të arsyetojë dëshirat dhe kërkesat e kombit shqiptar. Ju drejtohemi, z. President, me respektin tonë të thellë. Në emër të kombit shqiptar (nënshkruar) Hasan Bej Prishtina Do të ishte një përdhosje e vërtetë tentimi që të bëhet një krahasim i kësaj kërkese patriotike dhe dinjitoze dhe të atij dokumenti servil të nënshkruar nga grupi i pikëlluar i Gjenevës, të udhëhequr nga nëntëdhjetëvjeçari Turkan Pasha.
Në vazhdim do të prezantojmë disa fjalë për personalitetin e z. Hasan bej Prishtinës, që të shfaqim më qartë dallimin e thellë mes atyre të nënshtruarve që nënshkruajnë dokumentin e përpiluar nga një agjent që kërkon përfitime për imperializmin të huaj, dhe patriotëve që luftojnë për shpëtimin e atdheut dhe popullit të vet. Bashkatdhetari ynë i shquar, i cili rrjedh nga familja Berisha, ka lindur para dyzet vjetësh në Vushtrri, qytezë e vogël që gjendet mes Prishtinës dhe Mitrovicës, në atë pjesë të Shqipërisë Veriore, të cilën Konferenca e Ambasadorëve në Londër, duke shkelur mbi të drejtat e patjetërsueshme të popujve dhe në kundërshtim flagrant me të gjitha normat e së drejtës dhe barazisë, pati dobësinë t’ia linte këtë pjesë Serbisë, këtij fëmije të lazdruar të carizmit rus. Hasan Beu shumë herët është dalluar për patriotizmin e tij të zjarrtë dhe veprimtarinë e tij të dendur për çështjen shqiptare. Nuk u zmbraps para asnjë sakrifice: shpeshherë, kur ishte e nevojshme, ai i ka paguar shpenzimet për të gjitha veprimtaritë patriotike nga xhepi i vet.
Në vitin 1909, kur në Elbasan u themelua Shkolla e parë Normale Kombëtare, z. Hasan bej Prishtina u kujdes që të dërgonte dhe mbështeste, me shpenzimet e tij, tridhjetë të rinj nga kjo krahinë, ku kishte lindur vetë. Ai u zgjodh deputet nga rajoni i Prishtinës në parlamentin e parë turk. Hasan bej Prishtina me vetëdije u radhit në anën opozitës, kundër shovinistëve të fuqishëm të Komitetit të Bashkimit dhe Progresist, të cilëve ua kuptoi vizionet e verbra panturke. Gjatë verës së vitit 1912 ishte shumë aktiv në kryengritjen shqiptare, e cila lëkundi themelet e fuqisë turke në Europë. Pas disfatës dhe tërheqjes së ushtrisë turke në Mitrovicë, Prishtinë (23 korrik 1912) dhe Kaçanik, si dhe pas çlirimit të të gjithë vendit, Hasan Beu së bashku me udhëheqësit e tjerë të shquar ishte në krye të ushtrisë prej 30 000 luftëtarësh shqiptarë, të cilët hynë në Shkup (në fillim të gushtit të vitit 1912), gjë që solli kapitullimin e ushtrisë xhonturke në Stamboll. Më pas Hasan Beu u bë ministër në qeverinë e përkohshme të Vlorës, ndërsa kur u krijua qeveria e rregullt në Durrës, ai ishte anëtar në kabinetin e ministrave. Lufta e Parë Botërore e gjeti në Shqipëri, të cilën nuk dëshironte ta linte.
I përndjekur nga serbët dhe malazezët, të cilët pushtuan vendin në vitin 1915, ai i shpëtoi vdekjes falë shokëve të tij të përkushtuar, te të cilët ishte strehuar. Okupatorët e rinj të vendit tonë, pas dështimit të regjimit serb, nuk ishin aspak më të mirë kundrejt bashkëkombësit tonë të shquar, dhe patriotizmi i tij i flaktë mbeti arsyeja për dyshim dhe mosbesim tek ai. Pas akuzave shpifëse, u arrestua, u burgos dhe për një kohë të gjatë nuk kishte asnjë lajm nga ai. Madje për këtë arsye, kishte momente kur ishim tejet të shqetësuar, sepse sipas thashethemeve të ndryshme, bëhej fjalë për dënimin me vdekje të tij. Për fat të mirë, e vërteta dhe pafajësia e tij më në fund dolën në shesh dhe Hasan bej Prishtina u lirua.
Tashmë kishte mundësi që t’ia kushtonte veprimtarinë e tij çështjes së shkollave kombëtare, duke inkurajuar çdo nismë fisnike dhe vrull bujar në këtë drejtim. Ngjarjet e fundit në Prishtinë e trazuan dhe mes shumë vështirësive arriti t’u shmangej kërkimeve dhe përndjekjeve të shërbimeve serbe. Sapo doli jashtë rrezikut nga armiqtë e përbetuar të popullit tonë, z. Hasan bej Prishtina nxitoi t’i dërgonte presidenti Uillson kërkesën patriotike që sapo lexuam.
Gazeta L’Albanie. 15 janar, viti 1919
Dok. nr. 1
Artikulli « Zëri i Shqipërisë » rreth fjalimit të Hasan Prishtinës drejtuar presidentit UdroUillson, botuar në gazetën « Albania ». 15 janar 1919
FAKSIMILE
Ky tekst është marrë nga libri i autorit Mehmet Prishtina, me titull “Lëvizja revolucionare-kombëtare shqiptare dhe maqedonase në rrjetet e diplomacisë sovjetike 1922-1928”
