1.3 C
Berne
jeudi 21/11/2024

Një « Ballkan Trafik » ku historia mplekset me politikën

Nga Viron Gjymshana

     Dje në mbrëmje, e shtunë  27 prill, u ul edhe sipari i edicionit të 18-të të festivalit të mirënjohur « Ballkan Trafik », i cili organizohet tashmë çdo pranverë në kryeqytetin kozmopolit të Belgjikës, Bruksel.

     Dhe si gjithmonë, edhe këtë vit, ky takim artistësh nga gadishulli i Ballkanit, që mbahet në zemër të Europës, përfundoi me hare dhe në një atmosferë festive.

    Emrin kjo ngjarje artistike e ka të lidhur me Ballkanin, por nga pjesëmarrja e gjërë e publikut belg dhe të huaj të ngjante sikur ishte një eveniment ndërkombëtar. Njerëzit drejtoheshin drejt sheshit të njohur « De Brouckére » tufa, tufa, aq sa të dukej se po shkonin të ndiqnin ndonjë  ndeshje futbolli.    

       Në të gjitha rastet ishte muzika që i jepte tonin këtij spektakli, që ndryshe nga dy vite më parë, kur organizohej në  rezidencën e njohur të « Beaux Arts » ndryshe Bozar, tani organizohet në « fushë të hapur », por gjithsesi në një nga sheshet më të bukura dhe të njohura të kryeqytetit belg.    

       Si rumunët, por po ashtu edhe bullgarët, serbët, bosnjakët,maqedonasit, grekët, turqit u paraqitën edhe gjatë këtij edicioni me grupet e tyre profesionale të këngëve dhe valleve. Disa edhe me solistë. Fatkeqësisht këtë vit paraqitja e grupeve, qoftë nga Shqipëria apo edhe nga Kosova,  ishte e zbehtë, pothuajse amatoreske.

      Ndryshe nga vitet e kaluara kur grupet që vinin nga Shqipëria ishin nga më të vlerësuarit dhe të ndjekurit në këtë aktivitet, këtë vit, ndofta për faj të organizatorëve apo ndofta edhe të institucioneve shqiptare, përfaqësimi ishte nën mesataren. Veçse një grup amator belgo/shqiptar ishte shumë pak për të përfaqësuar traditat tona muzikore në një veprimtari të tillë.

        Megjithatë, dhe sikur ta kishin bërë me fjalë, në këtë festival të muzikës karakteristike ballkanase,  mbizotëroi edhe kësaj rradhe turbo/folku, një përzierje kjo e ritmeve orientale turke me ato sllave,  bullgare apo edhe rumune.

     Dhe siç është bërë tashmë zakon, edhe këtë vit ky spektakël muzikor u përzje edhe me historinë, politikën dhe etnogjenezën e popujve të Europës jug-lindore. Vizitorët e shumtë patën mundësinë me këtë rast të njiheshin sa me konfliktet e përgjakshme, aq edhe me bashkëpunimin shekullor të popujve të këtij rajoni me njëri tjetrin. Përmbajtja e këtyre karikaturave dhe vizatimeve, ndonjëherë përshkohej edhe nga nota humori. Sidomos kur flitej për « miqësinë e thellë ! » që i bashkon ballkanasit. Të gjithë, qofshin shqiptarë, serbë apo boshnjakë shfaqeshin në këto karikatura me hanxharë dhe thika në duar! Kjo ishte ana gazmore dhe ironike e stendave që përshkruanin zakonet e ballkanasve.

     Por kur flitej për historinë nuk bëhej më shaka. Beteja kundër osmanëve në fushën e Kosovës në qershor të vitit 1389, por dhe heroi ynë kombëtar, Skëndërbeu, zinin një vend të veçantë në vizatimet e shpalosura në këtë shesh. Çuditërisht dhe fatmirësisht politika ia kishte lënë vendin këtu datave dhe fakteve historike.     

      Ndër vizitorët e shumtë që donin të njiheshin më tepër me historinë e gadishullit ballkanas tërhiqte vëmendjen në mënyrë të veçantë edhe njohja që ata kishin për heroin tone kombëtar. Sapo i afroheshin stendave që përshkruanin konfliktet në Mesjetë, dhe vërenin aty edhe vizatimet mbi Skënderbeun me mjekrrën e tij sa karakteristike aq edhe ngadhnjuese, të huajt tregonin me gisht heroin dhe shqiptonin me bindje: « Ah Skanderbeg »!

     Edhe në legjendat e vizatimeve që bënin fjalë për luftën e e koalicionit ballkanik kundër invazionit Osman, theksohej se shqiptarët, serbët, kroatët dhe deri edhe disa trupa polake luftuan së bashku trimërisht dhe krah për krah kundër perandorisë osmane.

    Por këto stenda nuk përshkruanin vetëm të kaluarën, por ishin ndalur edhe në datat me rëndësi  të epokës sonë. Rumunët psh duket se do përkujtojnë si duhet këtë vit 35- vjetorin e revolucionit të tyre, që u përmbyll me ekzekutimin, gjatë festave të Krishtlindjes të vitit 1989, të diktatorit  Nikolae Çaushesku.

     Dhe vetkuptohet se në këtë kaleidoskop historik nuk mund të mungonte asesi edhe figura e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, apo e Stalinit, Zhivkovit, Titos etj etj.  « Vetëm Greqia i shpëtoi në këtë rajon stihisë komuniste », lexohej në okielon ku ishin vizatuar të gjitha shtetet e Ballkanit. « Sepse kështu vendosën në Jaltë, Çurçilli me Stalinin », –  nënvizohej në stendën kushtuar pasojave të Luftës së dytë Botërore në gadishullin ballkanik. Aty shihej edhe edhe copa e letrës së bakallit ku dy udhëheqësit e sipërpërmendur kishin ndarë vendet që do i bashkoheshin Perëndimit dhe ato që do mbeteshin nën ombrellën sovjetike!

     Ndërkohë që muzika « valonte », vizitorët e shumtë ndaleshin edhe në tendat e ngritura enkas që përshkruanin historinë 18 vjeçare të « Ballkan Trafik » si dhe në kisoskat ku shërbeheshin birrat e famshme belge, ndofta më të mirat në botë, si dhe ushqimet tradicionale ballkanase.

    Një tendë ishte veçanërish ndjellëse. Ajo ku ishte shpalosur një flamur i madh kuqezi me shqiponjën dykrenare. Ishte një tendë e veçantë, ku më shumë se për barkun, te kjo kioskë gjenje « ushqim » për trurin. Në fakt aty ishin shpalosur me dhjetra fletëpalosje dhe romane në gjuhën shqipe.

    Ishte kjo një nismë e ndërmarrë nga Libraria Shqiptare në Bruksel, një librari kjo që funksionon edhe on-line. Në raftet e saj gjendeshin me dhjetra romane të shkrimtarëve shqiptarë, duke filluar nga Kadareje, Mira Meksi, Ben Blushi deri edhe libra autorësh të huaj me famë botërore, siç ishte rasti i veprave të filozofit amerikan Chomsky apo psikanalistit austriak Frojd etj.

   Por kjo tendë, ku njerëzit nuk mbaronin kurrë, kishte një të veçantë absolute, në krahasim me të gjitha kioskat dhe tendat e tjera. Nikoqirët e saj ishin kujdesur të gatuanin edhe ëmbëlsira shqiptare siç ishte një lloj flije dhe po ashtu edhe një lloj byreku shumëpetësh, që ata ua shpërndanin  zëmërgjërësisht të gjithë vizitorëve. Ndofta ky ishte edhe shkaku që kjo tendë kishte edhe më shumë vizitorë se gjithë të tjerët ! Dhe këta të fundit nuk ngurronin të shpreheshin mbi shijen e ëmbëlsirave të provuara  me fjalët «  Très bon. Merci. ».

     Dhe kështu, midis këtij ambienti sa ballkanas, aq edhe europian, orët kalonin pa u ndjerë deri afër mesnatës.  Të gjithë e ndjenë veten të kënaqur dhe të respektuar, qofshin këta me origjinë nga Ballkani,  por sidomos edhe  të zotët e shtëpisë, belgët vetë, por edhe shumë anglishtfolës që punojnë në institucionet e Bashkimit Europian dhe NATO-s në Bruksel.

     Dhe kur drejtuesi i këtij festivali e mbylli aktivitetin me shprehjen« A la prochain » që mund të kuptohet apo shqipërohet si « Mirupafshim përsëri vitin e ardhshëm » të pranishmit u larguan pak e nga pak me dëshirën e dukshme për sa më tepër aktivitete të këtij lloji.

Derniers articles