Nga Idriz MORINA
Edi Rama përfundimisht po çmendet. Kësaj here e ka marrë përsipër ta kërcënojë Kosovën nga zemra e Serbisë, Beogradi.
Ai ka folur përçart, duke refuzuar ta sheh veten të dështuar në Beograd, që nuk arriti dot ta bindë Kosovën, që t’i shkojë pas dhe ta pranojë nënshtrimin ndaj Serbisë, ashtu siç bënte disa vite së bashku me Hashim Thaçin, duke krijuar një treshe, me ngjyrim dhe besim sllavë.
Ai ka marrë guximin ta kërcënojë Kosovën, shqiptarët, duke i barazuar raportet tona me ato të boshnjakëve dhe malazezëve, se ato vende që refuzojnë ‘ballkaninë’ e tij e të Vuçiqit, do të detyrohen që para dyerve të qeverive të tyre, në Tiranë e Beograd, të shkojnë të përgjërohen, përulen, por, nuk do ta kenë më lëvizjen e lirë!
“Po ju them mos u habisni që kompanitë nga Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova do të kërkojnë të vijnë para qeverive, për të mos pasur probleme kur hyjnë në kufijtë e vendeve tona. Mos u çudisni! Kjo nuk është një tekë, as konspiracion, as iluzion halucinant, kjo është një kërkesë ulëritëse, ekonomitë tona, të njerëzve, qytetarëve, sipërmarrësve, studentëve, akademikëve, njerëzve që duan të lëvizin për turizëm”, ka kërcënuar Rama të enjten nga Beogradi, pas përfundimit të samitit të quajtur, “Ballkan open”.
Pra, Rama ka marrë përsipër të përmbushë, interesat e Serbisë në rajon, dhe ka shkuar aq larg sa merrë përsipër tensionimin e raporteve Shqipëri-Kosovë, dhe të vetë raporteve ndërshqiptare.
Kosova ka prioritete krejtësisht të tjera, në raport me kërkesat që Rama i parashtron nga Beogradi apo të cilat atij ia jep detyrë Vuçiqi.
Ndërsa, Kosova është e kërcënuar nga Serbia për konflikt në veri, nëse Qeveria e Kosovës vepron haptazi për vendosjen e rendit dhe ligjit atje, për zbatimin e kushtetutshmërisë.
Derisa Serbia së bashku me Rusinë projekton shkaktimin e konfliktit në Bosnje dhe Kosovë, Edi Rama nuk resht së ushtruari trysni ndaj Qeverisë së Kosovës, për ta bërë shtet sa më të brishtë.
Në vend që t’i adresonte haptazi kritika Serbisë, duke i kërkuar që të heqë dorë nga mbrojtja e strukturave kriminale në veri, dhe të çdo lloj krimi që e kryejnë serbët në Kosovë, ai përpiqet ta fusë në senduiq Kosovën, dhe ta bëjë t’i dorëzohet interesave serbe.
Rama duhej t’ia bënte të qartë Serbisë, se rruga e saj për në Bashkimin Europian kalon nëpërmjet Prishtinës e Tiranës, sikurse edhe hyrja e saj në NATO.
Kryeministri i Shqipërisë po ashtu do të duhej t’i godiste përpjekjet serbo-ruse për ta destabilizuar Kosovën. Do të duhej t’ia bënte të qartë Serbisë se nuk ka ‘open Ballkan’, derisa ajo nuk heqë dorë nga Serbia e madhe, nga ndërtimi i strategjive për shkatërrimin e Kosovës, ashtu siç edhe ia ka dalë, duke gjetur njerëz të devotshëm për shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës, shëndetësisë…, e deri tek arsimi.
Rama nuk ka pasur guximin t’ia thotë asnjë kritikë të vetme Serbisë, e cila mori guximin të shkelë çdo rregullë dhe etikë, të Komitetit Olimpik Botëror (IOC-së) dhe të Organizatës Botërore të Boksit (AIBA-s), duke ia ndaluar Kosovës të merrte pjesë në kampionatin Botëror, që u organizua në Serbi.
Çfarë lëvizje të lirë ofron “Open Ballkan-i”, derisa Serbia nuk e lejoi as lëvizjen e sportistëve të Kosovës në këtë Kampionat Botëror!
Po ashtu, po të ishte në rolin e mirëfilltë të mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave të Shqipërisë, Rama sot do të duhej t’i kërkonte hapur Serbisë, që ta braktiste ‘kolonën e pestë’ të saj, në Shqipëri, sepse koha dhe roli me ndikim i udb-së (BIA-s) serbe po përfundon, me apo pa dëshirën e Ramës!
Shqiptarët kanë zgjedhur qiellin perëndimor, qiellin amerikan, dhe po i thonë përfundimisht lamtumirë tutelës sllave!
Vuçiqi në retorikën e tij është treguar më i matur, pasi e ka ‘ndërsyer’ Ramën ndaj Kosovës. Por, ai nuk ka mundur ta fshehë krejtësisht motivin e tij, dhe të megalomanisë serbe, për të dalur në detin Adriatik nëpërmjet Shqipërisë.
“…Mund të kalosh në skanerin e sigurisë, por ecën e shkon përmes saj në Tiranë apo Durrës”, tha Vuçiqi. Pasardhësi i “kasapit” të Ballkanit Millosheviqit, kështu e ka zbuluar ëndrrën serbe, daljen në Durrës!
Por, në këtë rrugëtim, i ka mbetur një pengesë e pakapërcyeshme, Kosova!