Komisioni Evropian paralajmëroi se gjatë muajt mars do të miratojë propozimin legjislativ për atë që tashmë është emërtuar si “COVID-pasaportë”, e që në BE e quajnë “certifikatë e vaksinimit” kundër koronavirusit, njofton gazeta zvicerane në shqip Le Canton27.ch
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se për të filluar zbatimin në praktikë të këtyre vërtetimeve për vaksinim, do të duhen së paku tre muaj.
Ideja është që personat e vaksinuar do të kenë një “certifikatë të vaksinimit” në formën elektronike dhe kjo do t’ua lehtësojë udhëtimet.
BE, deri tash, ka këmbëngulur se fjala është për “certifikata” që do të përdoren vetëm për “çështje shëndetësore”, e jo si “dokumente udhëtimi”.
Megjithatë, Komisioni Evropian tani pranon se qëllimi është të lehtësohet udhëtimi në kohën kur po bëhen përpjekje për rimëkëmbje ekonomike, sidomos në sektorin e udhëtimeve dhe turizmit.
Mamer, i pyetur se a do të jenë këto vërtetime për vaksinim vetëm për përdorime në sistemin shëndetësor apo edhe për udhëtime, tha se ato “në bazë të gjendjes shëndetësore, do të lehtësojnë udhëtimin”.
Komisioni Evropian, megjithatë, nuk ka fuqi të vendosë për këtë çështje, por vetëm të propozojë.
Pastaj, vendet anëtare, së bashku apo secila në mënyrë individuale, mund të vendosin se si t’i përdorin këto vërtetime.