Berlin, 30 maj -Nazmie Shabani nga Miratoci i Preshevës, e lindur dhe e rritur në Gjermani, ka arritur një sukses të rëndësishëm akademik. Më 12 maj 2026, ajo mbrojti me sukses doktoraturën e saj në Universitetin e Hohenheimit në kuadër të Departamentit për Bankieri dhe Shërbime Financiare (Lehrstuhl für Bankwirtschaft und Finanzdienstleistungen), nën udhëheqjen e supervisorit të saj, Prof. Dr. Burghof. Para kësaj, ajo përfundoi studimet master në Menaxhim Financiar (Financial Management) në të njëjtin universitet, njofton gazeta zvicerane ne shqip LeCanton27.ch
Gjatë rrugëtimit të saj akademik, kaloi gjithashtu një semestër në Texas A&M University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më herët, ajo kishte përfunduar studimet bachelor në Ekonomi (Wirtschaftswissenschaften) në Universitetin e Hohenheimit.
Disertacioni i saj me titull “The Dynamics of Financial Stability and Systemic Risk: An Integrative Approach” trajton dinamikën e stabilitetit financiar dhe rrezikut sistemik përmes një qasjeje integruese.
Në punimin e saj, Nazmia analizoi stabilitetin financiar, rrezikun sistemik dhe ndikimin e pasigurisë së politikave ekonomike (Economic Policy Uncertainty) mbi institucionet financiare dhe tregjet.
Hulumtimi i saj kontribuon në kuptimin më të mirë të faktorëve që ndikojnë në stabilitetin e sistemit financiar dhe në identifikimin e institucioneve me rëndësi sistemike. Ky sukses përbën një krenari të veçantë për Miratocin, gjithë Luginën e Preshevës dhe familjen e saj.
