Forumi Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi (AFEDS) po ndjek më shumë vëmendje e shqetësim planin e rradhës diskriminues ndaj shqiptarëve në Serbi, kryesisht atyre në Medvegjë. Ne kundërshtojmë fort këtë plan keqtrajtues dhe asgjesues ndaj shqipatrëve autoktonë në Medvegjë dhe i bëjmë thirrje Këshillit Nacional Shqiptar që të kundërshtojë rreptësisht vazhdimin e zbatimit të politikave anticivilizuese të Serbisë ndaj shqiptarëve në Medvegjë.
Pak ditë më parë Qeveria e Shqipërisë mbështeti financiarisht hapjen e zyrave të Këshillit Nacional Shqiptar (KNSH), të parat e këtij lloji në Medvegjë. Lajm i mirë, edhe pse i vonuar. Këshilli Nacional Shqiptar si organizëm nuk është pjesë e asnjë pushteti, as qendror dhe as lokal. Këshillat Nacionalë në Serbi funksionojnë në nivel etnish, që t’u mundësojnë atyre të organizohen dhe të mbrojnë të drejtat themelore të komunitetit të tyre të garantuara nga Kushtetuta e Serbisë dhe E Drejta Ndërkombëtare.
Hapja e zyrave të KNSH në Medvegjë, vjen në një kohë të vështirë për ne shqiptarët në Serbi. Qeveria e Beogradit ka thelluar dhe ka intensifikuar planet dhe përpjekjet për shpopllimin e Medvegjës. Pas deportimit të shqiptarëve të Medvegjës përmes pasivizimit të adresave, Beogradi përmes “Planeve rregulluese” po synon të sekuestrojë tokat që janë në pronësi të shqiptarëve në Medvegjë dhe në Bajën e Siarinës. Pronat që gjenden në zonën urbane, plani parashikon që t’i kthejë në hapësira publike, ndërsa pronat që gjenden në zonën rurale, synon t’i shpronësojë në “emër” të zhvillimit të turizmit rural, e malor, të hapjes së shkollave verore apo qendrave sportive verore.
Kjo është një politikë e vjetër, por me mjete të reja. Simotra e saj ka ndodhur gjatë viteve ’70-të dhe ’80’të, kohë kur shqiptarët e Medvegjës u goditën rëndë, pasi tokat përrreth lumit Jabllanicë në Medvegjë (arat e Dediqit) u shtetëzuan në emër të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Ndërkohë, në vitet që pasuan, të njëjtat toka u dhuruan nga shteti serb për familjet serbe të shpërngulura nga Kroacia dhe Bosnja. Bashkë me tokën u dhuruan shtëpitë dhe u hapën vendet e reja të punës vetëm për serbët. Dhe historia përsëritet. Këtë herë më ashpër…
Për të “legalizuar” politikat diskreminuese ndaj shqiptarëve dhe për të kamufluar qëllimet e vërteta shpronësuese të pasurive të patundshme të shqiptarëve, qeveria e Serbisë po përpiqet që UNDP të bëhet sponsorizuese e projektit. Kjo kërkesë nuk vjen për mungesë fondesh apo mjetesh nga ana e Serbisë, por për të “ndërkombëtarizuar” zbatimin e projektit dhe për të fshehur qëllimet e verteta të saj. Nga ana tjetër, pushteti qendror dhe lokal në Serbi ka përjashtuar përfshirjen dhe angazhimin e shqiptarëve në proceset zhvillimore në Medvegjë.
Një politikë publike kaq agresive nga qeveria qendrore e Serbisë, ju heq ligjërisht të drejtën shqiptarëve, veçanërish atyre që kanë pronat e tyre autoktone në fshatrat e Medvegjës dhe në rrethinat e Bajës, që të mos ndërtojnë në tokat e tyre banesa dhe të mos munden më të riparojnë shtëpitë e tyre. Flitet për qindra hektarë tokë objekt shpronësimi, që më vonë do të kthehen në mijëra hektarë tokë, gjë e cila humb përfundimisht pronësinë e shqiptarëve në tokat e tyre autoktone dhe në kohët moderne i mundëson Serbisë të sekuestrojë përgjithmonë tokat shqiptare, pa shumë mund e përpjekje.
Forumi Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi (AFEDS) po ndjek më shumë vëmendje e shqetësim planin e rradhës diskriminues ndaj shqiptarëve në Serbi, kryesisht atyre në Medvegjë. Ne kundërshtojmë fort këtë plan keqtrajtues dhe asgjesues ndaj shqipatrëve autoktonë në Medvegjë dhe i bëjmë thirrje Këshillit Nacional Shqiptar që të kundërshtojë rreptësisht vazhdimin e zbatimit të politikave anticivilizuese të Serbisë ndaj shqiptarëve në Medvegjë. Le të jetë kjo problematikë, e para çështje që do t’i duhet të trajtojë zyra e re e KNSh-së në Medvegjë dhe ne si AFEDS jemi të gatshëm të japim kontributin tonë si në funksionimin e kësaj zyre të shumpritur, por njëkohësisht edhe në bashkërendimin e punës dhe të mjeteve tona për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe trojet tona autoktone në komunën e Medvegjës.
AFEDS
Themelues Muharrem Salihu – Medvegjë