29.5 C
Berne
mardi 26/05/2026

Nga Washingtoni në Preshevë, Delegacioni i kongresistëve: Ka probleme serioze mes shqiptarëve dhe Serbisë

Kongresistët amerikanë kanë mbërritur në Luginën e Preshevës

Preshevë, 26 maj -Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga demokratët sot kane qëndruar  në Preshevë, ku u mirpriten me përfaqësues të pushtetit lokal, partive politike shqiptare dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, njofton nga Preshvee korrespondenti i gazetës zvicerane ne shqip LeCanton27.ch

Për herë të parë në histori, një delegacion zyrtar i Kongresit të SHBA-së, i udhëhequr nga Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, do të vizitojë Luginën e Preshevës. Kjo s’ka se si të mos më rikujtoj kohën e vizitës së parë kongresionale në Kosovë në Maj 1990 në krye me asokohe Kongresistin Lantos dhe DioGuardi!

Takimin e parë e kanë zhvilluar në Këshillin Kombëtar Shqiptar, me deputetin Shaip Kamberi, kryetarin e KKSH-se Enkel Rexhepi dhe nënkryetarin e komunës, Ragmi Mustafen.

Kjo vizitë e kongresmenëve amarikan në Luginen e Preshves (apo ne Sebrine jugore, siq i thone serbet) apo ne Kosovën Lindore (siq i thone shqiptaret) të banuar me shumicë shqiptare, vjen pasi, në fillim të këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Delegacioni i kongresistëve amerikanë, që vizitoi Luginën e Preshevës të martën, theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe të prosperitetit në trajtimin e çështjeve mes shqiptarëve dhe serbëve.

Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u takuan me zyrtarë të ndryshëm, përfshirë deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, për të marrë informacione dhe mendime të drejtpërdrejta nga terreni.

« Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre », u tha Self gazetarëve.

Subramanyam përmendi sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë për shqiptarët në Serbi si një nga problemet kryesore të të drejtave të pakicave, ndërsa tha se në takime është diskutuar edhe çështja e pasivizimit të adresave.

« Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje », tha kongresisti demokrat.

Duke folur për gazetarët pas takimit, Kamberi tha se kongresistët « janë bindur për situatën ekzistuese në terren » dhe u shfaq i bindur se problemet në Luginën e Preshevës po marrin vëmendje ndërkombëtare.

Vizita e tyre në Preshevë – qytet në jug të Serbisë, i banuar me shumicë shqiptare – vjen pasi, në fillim të këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Kamberi: Koha e standardeve të dyfishta ndaj shqiptarëve të Luginës duhet të marrë fund

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se vizita e kongresmenëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Preshevë paraqet një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të ardhmen demokratike të rajonit.

Në një reagim pas takimit, Kamberi tha se vizita po zhvillohet në një periudhë kur shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë vazhdojnë të përballen me politika diskriminuese dhe përjashtuese nga pushteti në Beograd.

“Për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: pasivizim administrativ të adresave për të zvogëluar artificialisht praninë shqiptare, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik, moszhvillim të qëllimshëm dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare e gjuhësore si të drejta identitare”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar se ekziston një standard i dyfishtë në raportin e Serbisë me shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe serbët në Kosovë.

“Ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky dualizëm politik e moral nuk mund të vazhdojë pafundësisht”, u shpreh ai.

Sipas Kamberit, bashkë me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, kanë ngritur shqetësimet për mungesën e barazisë dhe mosrespektimin e marrëveshjeve të arritura ndër vite.

“Bashkë me kryetarin e Këshillit Kombëtar, Enkel Rexhepi, kemi ngritur zërin kundër kësaj politike diskriminuese, duke kërkuar barazi reale, përfaqësim proporcional dhe respektim të marrëveshjeve të nënshkruara. Fatkeqësisht, regjimi aktual në Beograd vazhdon t’i trajtojë shqiptarët si problem politik e jo si qytetarë të barabartë”, deklaroi deputeti shqiptar.

Ai vlerësoi lart edhe angazhimin amerikan dhe iniciativën për projektligjin HR 6411 në Kongresin Amerikan, duke e cilësuar si një mbështetje të rëndësishme për shqiptarët e Luginës.

“Ky ligj nuk është vetëm mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës; ai është një mesazh i qartë se diskriminimi, autoritarizmi dhe standardet e dyfishta nuk mund të jenë pjesë e së ardhmes evropiane të Serbisë”, tha Kamberi.

Deputeti shqiptar paralajmëroi se vazhdimi i heshtjes ndërkombëtare ndaj problemeve në Luginën e Preshevës mund të sjellë pasoja afatgjata për rajonin.

“Heshtja ndaj padrejtësive në Luginën e Preshevës vetëm sa e forcon pasigurinë, emigrimin dhe destabilitetin afatgjatë në rajon. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten të përkushtuar ndaj paqes, bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik. Por pa barazi reale, pa zhvillim ekonomik dhe pa respektim të marrëveshjeve të arritura, vazhdon rreziku i zbrazjes demografike dhe i humbjes së besimit në institucionet ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Në fund, Kamberi tha se në takimin e sotëm në Preshevë nuk është diskutuar vetëm për problemet e shqiptarëve në Luginë, por edhe për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“Në Preshevë sot nuk kemi folur vetëm për problemet e saj, por edhe për nevojën që Ballkani Perëndimor të ndërtohet mbi drejtësi, barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë qytetarët. Simetria në të drejta është koncepti politik që garanton paqe afatgjate. Koha e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund”, përfundoi Kamberi.

Projektligji, i iniciuar nga kongresisti Self, parashikon shqyrtimin e disa çështjeve që lidhen me pakicën shqiptare në Serbi, përfshirë pasivizimin e adresave, përkatësisht fshirjen e qytetarëve nga adresat ku janë të regjistruar.

Ai trajton, gjithashtu, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, mosnjohjen e diplomave nga Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Këto çështje janë përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e vlerësoi vizitën e kongresistëve amerikanë si një sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Një ditë më parë, ata qëndruan në Beograd, ku u takuan me sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe SHBA-së, për situatën në rajon, si dhe për pozitën e komunitetit serb në Kosovë.

Po ashtu, ishte planifikuar edhe një takim me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, por ai u anulua.

Më 24 maj, kongresistët amerikanë vizituan edhe Sarajevën, ku theksuan përkushtimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.

Ata pritet ta vazhdojnë turneun në Ballkan me një vizitë edhe në Kosovë, ku me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, do të takohen më 27 maj.

Cila është pozita e shqiptarëve në Serbi?

Pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në jug të Serbisë, në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, shpesh kanë ngritur shqetësime për praktika diskriminuese nga autoritetet në Beograd, ndërsa zyrtarët e Qeverisë së Kosovës i kanë mbështetur vazhdimisht pretendimet e tyre.

Kosova u ka ofruar mbështetje në disa fusha, përfshirë bujqësinë, por ka raportuar se Serbia ka penguar realizimin e disa pagesave.

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës dhe shteti serb kanë arritur tri marrëveshje në vitet 2001, 2007 dhe 2013, të cilat parashihnin mbrojtjen e të drejtave dhe integrimin e pakicës shqiptare, por zbatimi i tyre ka mbetur i kufizuar.

Integrimi i shqiptarëve në institucione është gjithashtu pjesë e obligimeve të Serbisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, në Serbi jetojnë mbi 60 mijë shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në këtë vend.

Ndërkohë, vendimi i Beogradit për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ka shkaktuar shqetësim te shqiptarët e kësaj zone, të cilët thonë se kanë përvoja të dhimbshme nga e kaluara.

Në një raport të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi në vitin 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si “peng i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Derniers articles