18.2 C
Berne
samedi 20/07/2024

Ndërtimi i rrugëve të reja pa përfunduar ato të vjetrat – “të pakuptimta”

Në muajin shtator të vitit 2021, në një mbledhje të përbashkët, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut patën nënshkruar disa marrëveshje në mesin e të cilave edhe marrëveshjen për ndërtimin e një rruge që lidhë Prizrenin me Tetovën.

Adem Lushaj, ekonomist nga Deçani, ka theksuar se qytetarët e Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit, Junikut dhe Gjakovës po përballen me transport të vështirë për shkak të rrugëve të dëmtuara dhe mos finalizimit të projekteve rrugore.

Mungesa e infrastrukturës rrugore moderne sipas Lushajt, shkakton humbje dhe nuk i lejon bizneset që të zhvillohen.

“Edhe pse i kanë filluar, kanë mbetur punimet në gjysmë që më të vërtetë janë duke e penguar zhvillimin e komunikacionit të lirë sidomos rruga Gjakovë – Klinë që është për keqardhje të kalohet andej. Njëjtë ka mbetur edhe rruga Prishtinë – Pejë”, shprehet Lushaj për REL.

Ai ka theksuar se infrastruktura e dobët, “i ka lënë këto komuna pa investime”.

“Investimet mund të ndikohen edhe nga këto rrugë sepse edhe më lehtë investitorët interesohen të investojnë në atë pjesë ku janë rrugët e mira, qarkullimi i mirë”, ka thënë ai.

Rruga Prizren – Tetovë s’e pengon asnjë projekt të brendshëm

Ndërtimi i kësaj rruge pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2024.

Kostoja e këtij projekti pritet të jetë “rreth 150 milionë euro dhe synohet që të ndërtohet kryesisht me fonde nga jashtë”.

Kështu ka treguar zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për REL.

“Do të synojmë që të sigurojmë fonde për komplet projektin dhe nëse aplikojmë bashkë si dy shtete gjasat i kemi më të mëdha që të sigurojmë fonde por ne e kemi zhvilluar si projekt të rëndësisë së veçantë që edhe nëse nuk i sigurojmë komplet fondet, një pjesë të tyre do ta sigurojmë nga buxheti i shtetit”.

Sipas tij, nuk është ndalur asnjë projekt brenda territorit të Kosovës në mënyrë që të realizohet projekti dhe ndërtimi i rrugës në fjalë.

Ndërkaq, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se fillimisht do të duhej të përfundonin projektet që integrojnë qytetarët dhe bizneset e komunës së Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit, Junikut dhe Gjakovës me pjesët tjera të Kosovës.

Sipas tij, “të ndahen 150 milionë euro për rrugë që dërgon në Tetovë, krejt në rregull këto lidhje por mendoj se është një nguti derisa i kanë penguar projektet e tjera”.

“Si përfundim i imi është që kjo Qeveri po dëshiron të ndikojë më tepër në këtë kohë në elektorat sesa në zhvillim të infrastrukturës apo ekonomisë”, është shprehur Lekaj.

Megjithatë, rruga Prizren – Tetovë sipas planifikimeve pritet të jetë e gjatë rreth 50 kilometra. Ky do të jetë një projekt i përbashkët në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. /Albanianpost.com

Derniers articles