Doha, 24 nentor -Brazili fitoi 2-0 me Serbinë në grupin G të Kupës së Botës. Në stadiumin « Lusail Iconic » ishin të pranishëm më shumë se 88 mijë spektatorë, teksa ndeshja u vendos nga dopieta e Richarlison në pjesën e dytë. Ndeshja nisi me dy skuadrat e ndrydhura, që më shumë studiuan lojën e njëra-tjetrës. Rastet në pjesën e parë ishin të pakta, me 45 minutat që u mbyllën 0-0.
Në pjesën e dytë skuadra e Tite do ndryshonte ritmin, me Raphinha që humbi një rast të artë. Pas tij ishte radha e Alex Sandro që nga 30 metra të godiste shtyllën e serbëve. Goli i parë i ndeshjes u shënua në të 62 minutë nga Richarlison, teksa sërish sulmuesi i Tottenham shënoi të dytin e ndeshjes dhe dopietën personale në minutën e 73. Kontroll dhe një kthim me gjysmë-roveshatë që mahniti të pranishmit në stadium dhe tifozët që e ndoqën ndeshjen nga ekrani.
Pas ndeshjeve të para në grupin G, Brazili dhe Zvicra kryesojnë me tre pikë, teksa Kameruni dhe Serbia kanë zero pikë.
Brazili fitoi 2-0 me Serbinë në Kupën e Botës. Ndërkohë në fundin e ndeshjes një tifoz nga Katari ka bërë simbolin e shqiponjës para lojtarëve të Serbisë duke thënë: « Albania, Albania ».