26.2 C
Berne
jeudi 18/07/2024

Shqiptaret asnjehere nuk e kane braktisur atdheun me deshire!

Shkruan: Shkendije Berisha – Pacolli, Këshilltare e Psikologjisë

Ne, shqiptarët si popull emigrant që jetojmë në vende të ndryshme të botës, në shikim të parë duket se kemi braktisur vendlindjen tonë duke nënvlerësuar vlerat tona familjare dhe kombëtare, duke nënvlerësuar bukuritë dhe traditat madhështore qe i ka Kosova, ku çdo vizitor i huaj në momentin qe viziton vendin tonë mahnitet me bukuri të rralla natyrore dhe mikpritjen e pashembullt shqiptare që kemi. Mirëpo në realitet asnjëherë nuk kemi braktisur vendlindjen, edhe pse sado që i hidhur është emigrimi dhe me kalimin e kohës ne arrijmë shumë komoditet por kurrë nuk mund të arrijmë ekuilibrin që ta shuajmë mallin për vendlindjen tonë. Pothuaj të gjithë ne që jetojmë në emigrim në një mënyrë jemi të traumatizuar për fakti se kemi qenë të detyruar te ikim nga vendlindja duke lënë në të gjysmën tonë të shpirtit, duke braktisur ëndrrat dhe vizionet tona qe kemi krijuar qysh si fëmijë të padjallëzuar e që kemi besuar se kuptimi i jetës është në vendlindje. E kemi të qartë se pasuria më e vlefshme është atdheu. Kur je larg tij malli të tretë e zemra të duket bosh. Aty kemi lindur, mësuar fjalët e para shqipe. Aty kemi fëmijërinë tonë, dhe kujtimet më të bukura, shokët dhe shoqet tona. Atdheu është vendi ku ti ke thënë fjalën nënë dhe ke hedhur hapat e parë. Për atdheun mund të shkruash gjithë jetën tende, por përsëri kjo do të ishte pak.

Nuk mjafton vetëm ta duash atë, por edhe të punosh e luftosh për të. Secili prej nesh që gjendemi në mërgim thellë në vete ka atë dëshirën e zjarrtë dhe atë përkushtimin moral të bëjmë diçka për Kosovën tonë ,secili ne atë mënyrën e vet. Duke u nisur nga fakti se gjenerata e tretë tashme po rritet dhe jeton jashtë Kosove, vlerat tona kombëtare ndër breza ende janë prezentë. Edhe pse konceptet shoqërore evoluojnë më shpejtësi, rinia jonë si kurrë më parë është e përqendruar në ruajtjen e identitetit shqiptarë. Ne si prindër duhet te jemi krenar për rininë tonë por edhe falënderues ndaj brezave që edhe neve na edukuan më këtë frymë. Vlerat dhe virtytet e të parëve tonë ishin udhërrëfyes në rrugëtimin tonë.

Këto vlera dhe virtyte më kanë udhëhequr edhe mua si një vajze emigrante nga Dukagjini, e lindur dhe e rritur ne fshatin Pozhar të Deçanit, ku si fëmijë kam pas fatin të rritem në një mjedis që vlerat kombëtare kane qenë imperativ i kohërave. Përderisa bashkëmoshatarët e mi ishin të përqendruar në lojërat fëmijërore, unë tërë vëmendjen dhe imagjinatën ua përkushtoja bisedave të gjyshit tim Selim Zenuni me mikun, bashkëfshatarin dhe pleqnarin tonë të nderuar Ali Metën. Ne raportin e tyre të ndërsjellët kishte aq dashuri njerëzore, sinqeritet, drejtësi, solidarizim, respekt për njëri tjetrin por edhe ndjenin bashkë me telashet dhe problemet e njerëzve qe ata pleqëronin.

Urtësia, mençuria dhe qetësia shpirtërorë që gjeja tek bisedat e pleqnarëve me kanë magjepsur dhe kjo ishte si katalizator i çdo synimi që kam pasur ne jetën time dhe ne brendësinë e ndjenjave te mia dhe të lumturisë. Edhe pse kam vizituar me dhjetëra seminare nga „Pleqnarë modern me famë botërore“, askund nuk kam mundur të hasë në atë vlerën e rahmetit (mëshirës) që na karakterizon neve si shqiptarë dhe në atë mirësinë ndër njerëzore që në radhë te parë nuk kishte interesin personal por atë kolektiv. Ndoshta edhe e kam kërkuar gabim dhe ne vende te gabuara sepse e tëra nuk ka qenë e ndërtuar në vlerat tona kombëtare pa paragjykuar as një kulture tjetër.

Pasioni im është bërë mision kur unë kam përfunduar studimet dhe filluar punën si këshilltare e psikologjise, një zëvendësim për “profesionin” e pleqnarëve tonë. Këtë pasion e ka parapri edhe vizioni im që buron nga fëmijëria. Në bisedat dhe seancat me bashkatdhetarët kam vërejtur se të gjitha qëllimet në jetë i kanë të fokusuara në vlerat familjare e kombëtare dhe se synimi në punën time është që se pari të vlerësojmë veten tonë fillimisht si individ e mandej edhe si popull, pastaj vlerat tona të pakrahasueshme ti bartim në brezat që vijnë duke motivuar dhe inspiruar të gjithë ata që janë të mendimit me proverbin e vjetër popullor se “Guri i rëndë peshon në vend të vet”. Dhe në fund të mos harrojmë thënien madhështore nga Naim Frashëri: “Kombi që humb vetëdijen për të kaluarën e tij, gradualisht humb edhe veten e tij”.

Derniers articles