(Kjo letër shpreh shqetësimin tim për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Kosovën Lindore).
Shkruan: Mehdi KRASNIQI
I.
Po të shkruaj nga një vend ku ekzistenca nuk mjafton më. Nga aty ku nuk konsiderohem. Nga një vend ku adresa më është fshirë dhe nga aty ku dera ime mund të mbyllet me dry…
Nëse nuk ke kohë të veprosh, të paktën gjej kohë të më lexosh. Unë ta kam lehtësuar goxha punën rreth pyetjeve, sepse kam dhënë përgjigje minimaliste, jo për të të orientuar, por për ta dëshmuar realitetin që e jetoj. Këtë realitet që nën lëkurë e kemi të gjithë që kemi lindur dhe jemi rritur shqip.
Po të shkruaj për një varg problemesh, për të cilat e di se je në dijeni. E di nga fakti se je pjesë e politikës, e proceseve politike, ndonëse ndoshta jo e vendimeve politike, por, po, e heshtjes.
Mos i lexo me ngarkesë emocionale, as nën peshën e nervozizmit. Provo t’i lexosh qetë. Provo t’i lexosh si vargje poetike, si fjali dosido, por qetë.
Në tekstin e mëtejmë, konsideroje veten si të barabartë para vetes, jo ndaj meje, jo me mua, sepse unë jam i vogël dhe jetoj në një oborr të vogël që më tkurret përditë. Ti jeton në pallate të larta, ke kushte të tjera, nuk ke duar të çara. Ti nuk e ha bukën e djeshme, siç bëj unë dhe fëmijët e mi.
Lexo me kujdes, i dashur politikan mjeran ose mjeran politik, të gjitha pyetjet. Për përgjigjet e mia nuk ke asnjë obligim të lexosh asnjë shkronjë.
Pse prania ime nuk mjafton për të dëshmuar se jam këtu, në tokën time?
Sepse njeriu është zëvendësuar nga letra dhe jeta nga regjistri administrativ-politik ( Ti politikani ynë mjeran, je gjallë vetëm në ato zyra që verës të mbajnë freskët e dimrit ngrohtë; në ato zyra nga ku vulosen asimilimi, pasivizimi i adresave dhe shpopullimi i njerëzve të tu. Ndoshta ti mendon se ky proces nuk do të të prekë edhe ty. Ndoshta mund të mbetesh i fundit, por i prekur je po ashtu).
Pse duhet të provoj se nuk jam larguar, ndërsa jetoj në shtëpinë time?
Sepse përjashtimi politik i organizuar është bërë rregull, jo dyshim, as gabim teknik.
Pse shtëpia ime figuron e zbrazët kur unë jetoj brenda saj?
Sepse realiteti është lënë në dorë të shënimeve, jo të saktësisë e të vërtetësisë. Është lënë në dorë të regjimit, ose regjimi ua ka lënë në dorë njerëzve besnikë që zbatojnë me përpikëri një politikë të tillë.
Pse toka më njeh, oborri më njeh, shtëpia më njeh, qyteti më njeh, bota më njeh, por regjistri më fshin?
Sepse, falë politikanëve mjeranë dhe mjeranëve politikë, kujtesa e vendit është më e dobët se fuqia e vulës. Kujtesa politike është bërë e shterpë dhe i shërben kujtdo përveç shqiptarëve, ndonëse për atë tokë kanë rënë koka shqiptarësh të vërtetë që prej fillit të botës.
Pse mungesa ime besohet më lehtë se prania ime?
Sepse fshirja është më e lehtë se pranimi. Sepse fshirja përbën realizimin e qëllimit të regjimit. Sepse spastrimi etnik është misioni që shpopullon atë krah të atdheut tonë.
Pse një njeri duhet të vërtetojë ekzistencën e vet në vendin ku ka lindur?
Sepse kur je në tokën tënde si rob i pushtuar dhe ke humbur udhën, atëherë je shndërruar në pre të lehtë për këdo që ka qëllime kundër teje dhe tokës tënde. Je i mposhtur pa përballje.
Pse e drejta për të qenë në trojet e tua, në shtëpinë tënde, në adresën tënde trajtohet si e dhënë dhe jo si provë?
Sepse drejtësia është kthyer në procedurë, jo në parim, por në diskriminim me tendencë dëbimi.
Dhe pyetja që nuk ke pse t’i përgjigjesh, vetëm lexoje dhe analizoje nëse do:
Pse një « shtet » e bën qytetarin të padukshëm në vendin e vet?
Sepse kur pushteti nuk e njeh njeriun, ai administron mohimin e tij.
I dashur politikan mjeran, të shkrova nga vendi ku njeriu duhet të dëshmojë para botës, para okupatorit por edhe para teje se është gjallë dhe jeton në shtëpinë e vet…
Me dashamirësi – Unë!
