-3.9 C
Berne
vendredi 27/12/2024

Avni Halimi: “Faktet” e Akademisë së Robëruar

Na kujtohet të gjithëve kur Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve doli me një vepër skandaloze, “Enciklopedia Maqedonase”, e cila në fakt ishte një vepër që sublimonte aktivitetin disa dekadëshe të politikës zyrtare maqedonase antishqiptare. Ishin tërësisht të pasakta disa vlerësime që dëgjoheshin se kjo “Enciklopedi” na qenka vepër e “pseudointelektualëve”, apo “pseudoakademikëve”, apo, “diletantëve maqedonasë”, sepse, ky pseudo-libër ishte punë e kryer prej njerëzve që gëzonin titullin e akademikut e që gëzonin respektin deri në përulësi si nga populli përkatës ashtu edhe nga strukturat më të larta shtetërore.

Veprat e tyre përkrahen, subvencionohen madje edhe pranohen si parametra për politikat e larta shtetërore. Ndaj, sa kishte kuptim të kërkohet që kjo “Enciklopedi” maqedonase, e finansuar nga buxheti shtetëror, e përkrahur dhe e promovuar madje edhe nga kryeministri maqedonas, z. Gruevski, të tërhiqej nga qarkullimi për shkak të disa faqeve skandaloze!

Gjatë hartimit të projekteve gjithmonë kihen parasysh tri faza: qëllimi i projektit, kostoja e projektit dhe arsyeja, arsyetimi. Faza e fundit gjithnjë e ka karakterin politik dhe gjithnjë është në shërbim të institucioneve përkatëse shtetërore, qoftë kjo materie nga lëmi i ekonomisë, financave apo edhe bujqësisë!

Pra, do të ishte një kompromis absolutisht i pranueshëm për palën maqedonase që ta tërhiqnin “Enciklopedinë” nga qarkullimi dhe t’i përmirësonin ato faqe skandaloze për të cilat protestonin sa për sy e faqe disa shqiptarë të vendit! Në këtë rast, do të improvizohej tërheqja, do të botoheshin nja 10-20 ekzemplarë sa për t’i kënaqur protestuesit shqiptarë si dhe BDI-në dhe vetë Ali Ahmetin, të cilin e kishin fyer rëndë në këtë Enciklopedi. Madje, për këtë fyerje z. Ahmeti dhe Partia e tij do ta padisnin në gjyq Akademinë maqedonase (ndërkohë që, akoma nuk dihet se në cilin gjyq e paditën dhe cili gjykatës maqedonas e dënoi Akademinë maqedonase)!

Nostalgjikët e veprimeve dëshpëruese

I vetmi akt që do të dëshmonte për mospasjen gisht të qeverisë së Gruevskit në këtë Enciklopedi përplot shpifje, trillime, mburrje nacionale, urrejtje patologjike, përvetësime e vjedhje të fakteve të huaja, do të ishte marrja e titullit si dhe degradimi i të gjithë atyre akademikëve të cilët me këtë rast pranuan të instrumentalizohen e të vihen në shërbim të elementeve që dëshironin provokim të një konflikti jo vetëm me bullgarë e grekë por edhe më shqiptarë!

Të jesh akademik e të mos e dishë se kur u shpall pavarësia e shtetit fqinj, Shqipërisë? Të jesh akademik dhe të mos e dishë se akcilët heronj janë bullgarë e jo sllavomaqedonasë? Të jesh akademik e të mos e dishë se sllavomaqonasit e sotshëm në këta vise u shtrinë gjatë shekujve kur u dyndën sllavët nga Karpatet! Të jeshë akademik e të mos e dishë se në Ballkan të gjitha civilizimet dhe kulturat e mëvonshme për bazë zhvillimi kanë pasur civilizimet iliro-greke! Të jeshë akademik dhe t’i shtrembërosh faktet e pamohueshme dhe moti të pranuara nga e gjithë bota, pra të punoshë në të mirë të nacionalizmit e racizmit të sëmurë të strukturave që udhëheqin me shtet, do të thotë se je i prangosur fizikisht e psikikisht dhe se në fakt lëshon alarmin për shpëtim e çlirim nga politikat ditore të njerëzve të kompleksuar. Ndaj, këta akademikë, këta përpilues të Enciklopedisë më të re sllavomaqdonase urgjentisht duhej të çlirohen, mbase duhej që në ndihmë të tyre të dilte edhe Gjyqi i Strazburgut! Të verbuarit politikisht e të ngarkuarit me fashizëm e racizëm duhet që të degradohen deri në mësues të rëndomtë, ndërsa përpiluesit e detyruar mbase do të ishin shumë të kënaqur që të degradoheshin dhe ë largoheshin me dinjitet nga kjo Akademi, që me lezet po shndërrohej në filiale të VMRO-së së Gruevskit.

Po cila ishte arsyeja e nxjerrjes në qarkullim të një projekti të atillë që fyente Grekët, Bullgarët, Muslimanët, Shqiptarët, Amerikanët, Anglezët dhe, krejt në fund, edhe shumicën e popullit maqedonas, të atyre që mburreshin me identitetin e tyre sllav! Ndër intelektualët maqedonasë të manipuluar, të shitur, të verbuar nga nacionalizmi i egër, të dhënur pas namit fatal të “Francuska 7” e të akademisë serbe, të etur për informacione udb-e të nateditshme të Llatasit, mikut të ngushtë të Millosheviqit, ish-shef i TV Sitel-it, pra, ndër këtë lloj intelektualësh realizimi projekteve të tilla arsyetohej me nevojën imediate për ta njohtuar botën se kush janë shqiptarët!

Në Ministrinë për Kulturë, në sektorin për botim, për programin e vitit 2010 kishin arritur dhjetra projekte prej akademikëve, historianëve sllavomaqedonasë të cilët, nevojën e botimit të këtyre projekteve e arsyetonin duke nënvizuar se ishte nevojë imediate kombëtare për ta informuar korin diplomatik si dhe organizatat ndërkombëtare në vend për shqiptarët si dhe për synimet shqiptare për ta zhbërë popullin antik e biblik maqedonas! Pra, në aksion antishqiptar ishte një strukturë më e gjërë dhe shumë mirë e organizuar dhe dirigjuar nga shtresat qeveritare të vendit.

Pasojat e tepricës së pushtetit

Psikologjia shpjegon se ëndërr e individëve shtatshkurtë, çunakë e anonimë është që një ditë të arrijnë e të komandojnë me vendin, rajonin e botën! Çka mund të pritej nga Nikolla Gruevski, ish-kryeministër i RMV-së, i cili, me të ardhur në pushtet, punën e parë që e bëri ishte vënia e skulpturave origjinale antike të civilizimit grek në platonë e ndërtesës socrraliste të Qeverisë së Maqedonisë. Me këtë dha isharete se do ta përvetësojë civilizimin e lashtë, heronjtë mitologjikë, legjendarë, Aleksandrin e Madh, babain e tij, historinë bullgare, greke e shqiptare, sepse, ndryshe nuk kishte se si t’i shërojë komplekset e veta prej një njeriu pa identitet, pa shtet e pa kulturë, të cilit nuk i pranohej as gjuha, as kisha, as simbolet kombëtare!

Nën këtë trysni shpirtërore, nuk e kishte për dert që ta fyej edhe Amerikën dhe Anglinë! Pra, në krye të shtetit kishim një njeri tërësisht të çorientuar në kohë e në hapësirë, si dhe me një strukturë të hipnotizuar të maqedonasëve të cilët gjithnjë e më shumë po e konsideronin veten si të reinkarnuar nga luftëtarët e Aleksandrit të Madh e të prirur nga “Aleksandri” i sotshëm (Nikolla Gruevski) i cili me sukses po i bëka ballë synimeve armiqësore antimaqedonase të bullgarëve, grekëve, shqiptarëve, amerikanëve e anglezëve.

Pa dyshim, nevoja e Gruevskit për të krijuar sa më shumë armiq, për t’u armiqsuar me të gjithë shtetet fqinjë buronte nga pushteti i tij me tepricë! Kishte aq shumë pushtet sa nuk dinte se ç’të bëjë me të dhe, natyrisht, më vonë do të dëshmojë se, për kapacitetet e tij ishte e papërballueshme i gjithë ai pushtet.

Ndaj, mezi priste sebep që dikush ta shporrë nga pushteti, por ama vetëm me luftë, gjë të cilën e provoi me nxitjen e pushtimit të Parlamentit nga huliganët e partizuar! Kjo është logjika millosheviqiane e dorëzimit të pushtetit!

Në Maqdoninë e viteve 2010-2018 punohej sipas logjikës serbe që ushqente politikat e ndryshme okupuese. Politikat e okupatorit janë të prira të ngrisin kufij enklave dhe ta eksploatojnë e ta shtypin kafshërisht popullin brenda atyre kufijve. Nuk investojnë asgjë, ndërsa vjelin gjithçka! Kështu sillej Serbia dikur me Kosovën, sepse e kishte fare të qartë që një ditë do të detyrohet ta braktisë Kosovën! Po akademia serbe që parreshtur zhvillonte politika raciste kundër shqiptarëve! Nga cila logjikë doli Aerodromi dhe cila logjikë e ngriti Gazibabën shqiptare, apo ku ngeli Serava e si u ngrit Karposhi?!

Dy qytete në një ujë, në një liqe! Ohri dhe Struga! Qindra miliona euro derdhen në Ohër, ndërsa Struga edhe më tej degradohet!

A ka pasur Maqedonia e Veriut shqiptarë para Biblës

Kuluareve të Akademisë maqedonase edhe sot e kësaj dite pëshpëriten teori për ndarje dhe këmbim territoresh! Politikat e këtilla nuk mund të dalin aty për aty, por dalin si rezultat i projekteve të mëhershme mirë dhe gjatë të analizuara! Si rezultat i këtij qëllimi të hershëm politik ishte edhe përgjigja e një ankete të zhvilluar fill pas botimit të kësaj “Enciklopedie”, sipas së cilës maqedonasit më me ëndje pranonin të bashkëjetojnë me një pjesëtarë të komunitetit rom se sa me një shqiptarë!

Qofshin të gabuar të gjithë analistët që u morën me këtë skandal nga më të rëndat dekadave të fundit, qofshin të kota të gjitha reagimet e protestat shqiptare rreth këtij skandali maqedonas, por, megjithat, nuk u veprua ashtu siç e meritonte ky skandal! BDI duhej ta braktisë sa më parë qeverinë dhe, të shkaktonte një krizë serioze politike dhe, rikthimin në qeveri sa për ta amortizuar tërë atë pakënaqësi kombëtare shqiptare ta kushtëzonte me ndëshkimin e akedmikëve duke i larguar nga Akademija maqedonase, si dhe urgjentisht ta niste themelimin e Akademisë shqiptare në Maqedoni! Ishte momenti
i përshtatshëm që BDI-ja ta vazhdonte praktikën e PDSH-së, të themelojë institucione kombëtare shqiptare në Maqedoni!

Në kulmin e pakënaqësive shqiptare rreth botimit të asaj “Enciklopedie”, (viti 2010) qeveria maqedonase i dorëzoi ftesë Papës që të vie e ta vizitojë Maqedoninë e Veriut. Arsyeja për këtë ftesë ishte që Papa ta pranojë Kishën Ortodokse Maqedonase si dhe ta bekojë Maqedoninë si tokë biblike e përjetë ortodokse!

Po a ka pasur Maqedoni para Biblës dhe ortodoksisë? Gruevski thoshte “jo” siç thoshte se nuk ka pasur as shqiptarë para se të rrebelohej Ali Pash Tepelena e të depërtonte deri në Maqdoninë Perëndimore.

Më tej nuk arriti të depërtoi sepse e paskëshin frikuar sllavomaqedonasit e Gruevskit të hipnotizuar deri në palcë nga efeki i aftësive hajdute.

 

Derniers articles