-0 C
Berne
lundi 23/12/2024

8 Marsi nuk është festë!

Nga Silvana Begaj

8 Marsi nuk është festë dhe nuk mund ta festojmë në një vend ku; kur një burrë jep opinionin e tij quhet BURRË dhe kur një femër jep opinionin e saj etiketohet si e PAMORALSHME.

8 Marsi nuk është festë dhe nuk mund ta festojmë kur humbin jetën minimalisht dy gra, vajza, nëna në muaj, të vrara nga heshtja jonë.

Në tingujt e muzikës që dëgjoni për 8 Mars a ju vjen ndonjëherë nëpër mend se pikërisht në ato momente gra dhe vajza po dhunohen dhe nuk kanë ku të gjejnë zgjidhje? Më lini tju kujtoj se pjesa më e madhe e grave të vrara ishin me urdhër mbrojtje!

Ndoshta po festoni për ato gra dhe vajza në zonat rurale që i martojnë sa hap e mbyll sytë dhe nuk i lejojnë të marrin një profesion apo të edukohen duke i lënë kështu gjithë jetën të varur nga një burrë?!

Po, ju jeni ndryshe! Keni luksin të festoni sot. Nuk jeni si ato të zonave rurale. Keni një punë. E drejtë! Me lejoni tju pyes: A keni arritur dot sa një burrë? A paguheni sa një burrë? A keni të drejtë vendimarrjeje? A iu shikojnë si kukull që patjetër pas krahëve tuaj qëndron një burrë i fuqishëm që të mbështet?

Sot, po festoni 8 Marsin! Besoj se i thoni njëra tjetrës sa të bukura jeni bërë. Sigurisht, bukuria në këtë vend maskilist është detyrim. Prandaj, femrat komplesohen për pamjen e tyre duke u bërë si kopje të njëra tjetrës. Pasqyrat nuk i harroni pa i marr me vete në cantë! Unë e di! Bukuria është detyrim!

Se në këtë vend maskilist, patriarkal pasi festohet me forcë, eufori deri në dalldi 8 Marsi për një arsye që nuk e dinë, shkojnë në shtëpi dhe vazhdojnë jetën ashtu sic e kishin. Por, mbi të gjitha porosisin vajzat e tyre me këshillat e vyera si: Pusho dhe Duro! Burri është burrë! Edhe nëse po vdesin cdo ditë nga pak nga shtypja duhet të durojnë. Është sakrifica për të mbajtur familjen.

O zot c´ofendim të hedhësh valle në këtë ditë kur akoma vajzat i rrisin me fjalët: Ku di ti, kush të pyeti ty, jeta jote është burri, ctë vendosi burri, vëllai, babai!

8 Marsi këtë vit është njollosur me gjakun e Lumturie B., Klarita I., Diana V., Kristina B., Liljana B., Dorina A., Irvana H., Violeta G., e shumë vajzave dhe grave të tjera të vrara brenda këtij viti nga maskilizmi i shoqërisë tonë dhe nga mentaliteti patriarkal me të cilin jemi rritur duke e pranuar kështu si të natyrshëm dhe normal. 8 Marsi i vitit që shkoi u njollos me gra dhe vajza të tjera, e sa të ketë 8 Mars të njollosur unë nuk mund të festoj!

8 Marsi këtë vit është njollosur me rritjen dhe zgjerimin e prostitucionit për nevoja jetike, mbijetese. Gra dhe vajza që shesin trupin e tyre për një bukë dhe një kile domate. E, sa të ketë ndodhi të tilla unë 8 Marsin nuk e quaj festë!

E nëse në botë 8 Marsi është ditë proteste sepse nuk është arritur akoma barazia gjinore, në Shqipëri me këto rekorde vrasjesh dhe dhunimesh duhet të jetë ditë reflektimi dhe ndryshimi.

Por, unë do të flas të vërtetën sa të kem zë! Do flas e do ulëras sa të kem fuqi që të shpojë veshët e shurdhëve!

Do flas e do ulëras sa të kem zë përsëri dhe nuk do pyes se kush do ma lejojë! Pyetja është kush do mundet të më ndalojë?

Derniers articles