Emmanuel Macron, Presidenti francez, ka njoftuar se po shpërndan Asamblenë Kombëtare dhe do të thërrasë zgjedhjet legjislative më 30 qershor dhe 7 korrik.
Presidenti francez tha se nuk mund të pretendojë se nuk ka ndodhur asgjë pas rezultatit të zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të BE-së nuk është i mirë për qeverinë e tij dhe se rritja e nacionalistëve është një rrezik për Francën dhe Evropën.
Humbja dërrmuese e Presidentit Emmanuel Macron përballë ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, ka sjellë një fund edhe më të vështirë të presidencës së tij, thonë analistët.
Lista e Macron parashikohet të shënojë midis 14.8% dhe 15.2% të votave, më pak se gjysma e rezultatit të RN prej 31.5-33% – më e larta e partisë ndonjëherë në një zgjedhje mbarëkombëtare – dhe vetëm pak përpara listës socialiste me 14%.
Macron do t’i drejtohej kombit më vonë të dielën në mbrëmje. Kreu i listës së RN, 28-vjeçari Jordan Bardella, tha se votuesit francezë kishin “shprehur një dëshirë për ndryshim” dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme legjislative.
Macron është “një president i dobësuar sonte”, u tha Bardella mbështetësve, duke thënë se “hendeku i paprecedentë” në të dy rezultatet reflektonte “një mospranim dhe refuzim therës të presidentit dhe qeverisë së tij”.
Analistët kanë thënë se Macron, aleanca centriste e të cilit nuk ka shumicën në parlamentin francez, mund të përballet me një situatë të komplikuar dy vjet e gjysmë përpara zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen në pranverën e vitit 2027.
Problemet mund të fillojnë të grumbullohen për presidentin pas pushimeve verore, thonë vëzhguesit, kur opozita e qendrës së djathtë Les Republicains (LR) ka kërcënuar se do të sjellë një mocion mosbesimi kundër qeverisë.
Një votë besimi e tillë mund të rrëzojë qeverinë, e cila realisht do ta linte Macron përballë një zgjedhjeje midis kërkimit të një kryeministri të ri dhe thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.