19.9 C
Berne
vendredi 19/06/2026

MOS E SHANI MËRGATËN !…

Vudi Xhymshiti
Para se ta hapni gojën për mërgatën,
shkoni në varreza.
Shkoni te ai varr
ku fle djali që e la Zvicrën,
la Gjermaninë,
la Amerikën,
dhe u kthye për t’u vrarë në Kosovë.
Shkoni dhe tregojini nënës së tij
se i biri paska qenë « i dështuar ».
Shikojeni në sy.
Nëse ua mban.
Shkoni te ajo plakë
që prej tridhjetë vitesh
e pret zilen e telefonit
si njeriu i etur për pikën e fundit të ujit.
Tregojini se djali i saj,
që i kaloi netët në fabrika,
që hëngri bukë me kripë,
që e dërgoi rrogën në Kosovë
ndërsa vetë rrinte në një dhomë të ftohtë,
na qenka veç një njeri i humbur.
Thuajani.
Nëse ua mban.
Sepse mërgata nuk është statistikë.
Mërgata është lot.
Është mall.
Është dhimbje.
Është patrioti hero që e dha jetën për liri.
Është fëmija që u rrit
duke e njohur të atin
nga fotografitë.
Është nëna
që qante fshehurazi në aeroport
dhe buzëqeshte rrejshëm
që fëmijët të mos e shihnin.
Është babai
që plakej larg familjes
që Kosova të mos vdiste urie.
Mos e shani mërgatën o shushunja.
Sepse kur Kosova po mbytej,
ata po e mbanin gjallë.
Kur dritat fikeshin,
ata dërgonin para.
Kur dyert mbylleshin,
ata hapnin rrugë.
Kur Serbia vriste,
ata protestonin.
Kur Kosova digjej,
ata qanin.
Kur Kosova kishte nevojë për gjak,
ata i dhanë bijtë.
Kur kishte nevojë për bukë,
ata e dhanë djersën.
Kur kishte nevojë për zë,
ata e dhanë jetën.
Dhe sot,
pas gjithë kësaj sakrifice,
dalin ca fytyra të ngopura me pushtet
dhe pyesin me përbuzje:
« Kush janë këta? »
Këta?
Këta janë njerëzit
që i mbajtën gjallë shtëpitë
kur ju po mësonit si të vidhnit.
Këta janë njerëzit
që shpëtuan familje të tëra
kur ju po ndërtonit karrierat mbi frikën.
Këta janë njerëzit
që besuan te Kosova
edhe kur Kosova po i dëbonte.
Sepse e donin.
Sepse e ndienin.
Sepse nuk dinin ta tradhtonin.
Dhe kjo është ajo që ju nuk e kuptoni.
Ju e matni jetën me pasuri.
Ata e matin me sakrificë.
Ju e matni njeriun me pushtet.
Ata e matin me nder.
Ju e matni atdheun me interes.
Ata e matin me dashuri.
Kjo është arsyeja pse nuk i kuptoni.
Nuk i keni kuptuar kurrë.
Sepse njeriu që e shet vendin për përfitim,
nuk mund ta kuptojë kurrë njeriun
që e sakrifikon veten për të.
E dini çfarë dhemb më shumë?
Nuk dhemb urrejtja e armikut.
Nuk dhemb shpifja e Serbisë.
Nuk dhemb as përbuzja e të huajve.
Dhemb kur të shan i yti.
Dhemb kur të fyejnë ata
për të cilët sakrifikove.
Dhemb kur të pështyjnë
ata për të cilët ke qarë.
Dhemb kur të quajnë barrë
ata që i mbajte mbi supe.
Ky është plagimi më i rëndë.
Kjo është thika që hyn më thellë.
Sepse nuk vjen nga armiku.
Vjen nga shtëpia
Vjen me gjuhën tande.
Por dëgjojeni mirë:
Asnjë studio.
Asnjë politikan.
Asnjë shpifje.
Asnjë karrige pushteti.
Nuk mund ta fshijë të vërtetën.
Nuk mund ta fshijë atë nënë
që i numëronte ditët deri në kthimin e djalit.
Nuk mund ta fshijë atë baba
që vdiq në mërgim
duke e pëshpëritur emrin e Kosovës.
Nuk mund ta fshijë atë ushtar
që u kthye nga larg
vetëm për t’u mbuluar me flamur.
Nuk mund ta fshijë atë brez
që e kaloi jetën mes dy botëve,
pa iu ndarë kurrë atdheut.
Prandaj, para se ta shani mërgatën,
uleni kokën.
Sepse nëse Kosova ka ende frymë,
nëse ka ende gjuhë,
nëse ka ende kujtesë,
nëse ka ende dinjitet,
në secilën prej tyre
ka një pikë djerse të mërgimtarit,
një lot të një nëne,
një zemër të thyer që rrahu larg shtëpisë.
Dhe nuk ka turp më të madh për një komb
sesa dita kur i harron ata që e sakrifikuan jetën duke e dashur atë.

Derniers articles