20.5 C
Berne
mercredi 20/05/2026

« Jo një Zvicre me 10 milionë banorë » – Për her të parë në Evropë Zvicra del me një referendum që do të mund të ndryshojë gjithçka!

Bernë, 20 maj – Zvicra mund të bëhet brenda pak javësh vendi i parë evropian që përpiqet të kufizojë numrin e popullsisë përmes Kushtetutës. Më 14 qershor, qytetarët do të votojnë për iniciativën “Jo një Zvicre me 10 milionë banorë”, e mbështetur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP). Nëse miratohet, autoritetet federale do të obligohen që deri në vitin 2050 të sigurojnë që numri i banorëve të përhershëm të mos e kalojë këtë shifër, njofton gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch.

Në rast se pragu afrohet ose tejkalohet, qeveria do të detyrohet të ashpërsojë politikat e azilit dhe të ribashkimit familjar, si dhe të rinegociojë apo madje të ndërpresë marrëveshjet ndërkombëtare që ndikojnë në rritjen e popullsisë. Ndër to përfshihet edhe marrëveshja kyçe me Bashkimin Evropian për lëvizjen e lirë të personave.

Mundësia e një përplasjeje me BE-në shihet si shqetësuese, pasi marrëveshja për lëvizjen e lirë përbën një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve mes Bernës dhe Brukselit. Një ndërprerje e saj do të mund të kishte pasoja të gjera politike dhe ekonomike.

Në një vend që prej dekadash është ndërtuar si i qëndrueshëm, i pasur dhe i hapur, ky referendum shkon përtej debatit mbi numrat. Ai ngre një pyetje thelbësore që po diskutohet gjithnjë e më shumë në Evropë: sa imigracion mund të përballojë një ekonomi dhe si ndikon ai në vetë strukturën e shtetit?

Zvicra aktualisht ka rreth 9.1 milion banorë, gati dy milion më shumë se në fillim të shekullit. Rreth 80% e kësaj rritjeje vjen nga migracioni ndërkombëtar, ndërsa shkalla e lindshmërisë mbetet e ulët, me rreth 1.3 fëmijë për grua. Të huajt përbëjnë rreth 27% të popullsisë, ndërsa vlerësohet se afër 40% e banorëve kanë sfond migrues, përfshirë të natyralizuarit dhe gjeneratën e dytë. Shumica vijnë nga vendet e BE-së dhe EFTA-s, kryesisht për punë.

Mbështetësit e iniciativës argumentojnë se rritja e vazhdueshme demografike po krijon presion në strehim, transport publik, shkolla, spitale dhe infrastrukturë. Qytete si Cyrihu dhe Gjeneva përmenden si më të prekura nga rritja e kërkesës për banesa dhe rritja e qirave.

Sipas tyre, qëllimi i iniciativës nuk është “histeri anti-emigracion”, por garantimi i qëndrueshmërisë dhe cilësisë së jetesës në vend.

Kundërshtarët, përfshirë Këshillin Federal, shumicën parlamentare dhe sektorin e biznesit, paralajmërojnë se kufizimi i popullsisë do të kishte pasoja serioze për ekonominë. Sektorë si farmaceutika, bankat, shëndetësia, IT, inxhinieria dhe turizmi varen ndjeshëm nga fuqia punëtore e huaj. Në një shoqëri që po plaket me shpejtësi, ata theksojnë se imigracioni mbetet thelbësor për funksionimin e sistemit të pensioneve dhe shërbimeve publike.

Nesër do t’ju informojmë se si kjo iniciativë mund të ndikojë te komuniteti shqiptar në Zvicër, një nga komunitetet më të mëdha dhe më të rëndësishme në vend.

Derniers articles