11.1 C
Berne
lundi 14/10/2024

Vetëvendosje mirëpret Vjosa Osmanin!

Largimi i Vjosa Osmanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po e dërgon atë drejt forcimit të bashkëpunimit me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Këtë e ka thënë edhe vet kryetarja e Kuvendit të Kosovës, duke e konfirmuar se është në kontakt me Kurtin.

“Ne jemi në kontakt dhe diskutojmë për tema të ndryshme të bashkëpunimit, se si do të konkretizohet ky bashkëpunim në të ardhmen do të ju njoftojmë në momentin që do të konkretizohet”, u ka deklaruar Osmani.

Kjo deklaratë e Osmanit është mirëpritur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe nga njohësit e çështjeve politike.

Deputetja e VV-së: Ne kemi ndarë të njëjtat mendime me Vjosa Osmanin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arta Bajralija, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se për shumë çështje të caktuara VV ka ndarë të njëjta mendim me Osmanin.

Arta Bajralija: “Lëvizja Vetëvendosje!, që nga fillimet e saja ka qenë e vendosur që të luftojë dukuritë negative që e kanë ngulfatur shtetin dhe e preokupojnë shoqërinë tonë. Bashkëpunimet janë të domosdoshme në mënyrë që luftën ta fitojmë ndaj atyre që kanë sjellur këtë gjendje. Për shumë çështje të caktuara ne kemi ndarë të njëjta mendim me znj. Osmani disa nga të cilat i përmendi edhe ajo në atë intervistë”, ka thënë deputetja e VV-së për “Bota sot”.

Për më tepër, Bajralija ka potencuar se ndonëse nuk janë në të nijetin subjekt me Osmanin, nuk nënkupton që bashkëpunimet nuk mund të arrihen.

“Në shumë raste mendimet tona kanë qenë të njëjta për të realizuar qëllimin e synuar ose për të parandaluar gjëra që ne i kemi konsideruar të dëmshme për shtetin. Lëvizja është e interesuar të bashkëpunojë gjithmonë mbi bazën e parimeve të sinqerta në mbrojtje të sovranitetit të Republikës së Kosovës, dhe këtu nuk mund të mohojmë bashkëpunimin me znj. Osmani. Ndonëse nuk jemi në të nijetin subjekt, kjo nuk nënkupton që bashkëpunimet nuk mund të arrihen. Për ne është e rëndësishme të luftojmë ndaj korrupsionit, marrëveshjeve të dëmshme dhe dëmet tjera që kjo qeveri jo legjitime po i sjell vendit. Prandaj, në këto situata vullneti jonë politik duhet bëhet bashkë edhe kur nuk veprojmë përbrenda një organizate”

Krasniqi: Nuk përjashtohet mundësia që Vjosa të shkoj me një listë të përbashkët me LVV-në

Ndërkaq, analisti politik, Islam Krasniqi, ka komentuar për “Bota sot” deklaratën e kryetares së Kuvendit për bashkëpunimin me Kurtin.

Islam Krasniqi: “Deklarata e kryetares së kuvendit të republikës së Kosovës znj. Osmani së në të ardhmen do të bashkëpunojë me liderin e VV-së z. Albin Kurtin akoma tregon inatin ndaj atyre që e shfrytëzuan në zgjedhje apo u struken nën ombrellën e saj për të fituar vota e që pastaj nuk e pyeten fare për qëndrimin e saj lidhur për ndryshimet që ndodhen por e sulmuan dhe degraduan në mënyra të ndryshme”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas tij, kjo deklaratë e Osmanit jep sinjal së ajo mund ti ndaj rrugët me LDK-në dhe se ne zgjedhjet e ardhshme mund të jenë në një listë të përbashkët me VV-në.

“Kjo deklaratë jep një sinjal së ajo mund ti ndaj rrugët me LDK-në duke krijuar një parti të re, parti e cila do ta djeg LDK-në dhe vetë znj. Osmani. Bashkëpunimi mund të jetë i ngjashëm më këtë që po shohim sot, por nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet e ardhshme që të jenë në një listë të përbashkët me VV-në, e cila me të gjitha mundësit po provon ta rrëmbej znj. Osmani nga LDK-ja”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

Elezaj: Mungon bashkëpunimi i ndërsjellë për interesa shtetërore

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Rexhep Elezaj, në bashkëbisedim për “Bota sot” ka shpjeguar se si kanë qenë bashkëpunimet ndërmjet subjekteve politike në vend.

“Çështja e bashkëpunimit midis politikanëve tanë dhe bartësve të funksioneve shtetërore, është një temë në vete e cila kërkon shtjellim dhe analizë të gjerë, kur dihet se bashkëpunimi i ndërsjellë, jo vetëm midis tyre, por edhe midis subjekteve politike, kur bëhet fjalë për interesat shtetërore të Kosovës, përveç se pothuajse nuk ekziston fare, ai është vetëm një iluzion fiks në kokat e udhëheqësve shtetëror dhe partiak shqiptar, ngase bashkëpunimin si mjet suksesi e kanë vrarë në embrion të tij. Për këtë që them mund të sjellim shembuj me bollëk, duke filluar nga rastet më pak të rëndësishme dhe deri tek ato që kanë peshë vitale për kombin dhe shtetin, një dukuri kjo që mendësinë politike shqiptare në Ballkan, pa asnjë dallim, e ka shndërruar në arenë konfliktesh, grindjesh, përçarjeve, ekseseve e deri tek eliminimet dhe vrasjet politike..!?”

Për më tepër, ka potencuar se nuk ka pasur dhe akoma nuk ka bashkëpunim të mirëfilltë midis liderëve partiak, politik dhe shtetërorë në Kosovë.

Rexhep Elezaj: “Lirisht mund të thuhet, se midis liderëve partiak, politik dhe shtetërorë në Kosovë, nuk ka pasur dhe akoma nuk ka bashkëpunim të mirëfilltë midis tyre, siç e gjen këtë në praktikë tek politikanët gjerman, francez, etj., sepse kjo mungesë e bashkëpunimit, është pa dyshim, pasojë e mentalitet shqiptar agresiv, primitiv dhe i pa kulturë, sepse është në gjenet e tyre që për të mirën e atdheut i bëhen pengesë njëri tjetrit, por kur janë në pyetje interesat individuale, ata gjejnë motive dhe arsye që të bashkëpunojnë mes vete, siç janë lidhjet e biznesit si dhe të përfitimeve të përbashkëta materiale, financiare dhe korruptive, dhe në rastet më të shpeshta ato bëhen në dëm të interesave të popullit dhe pasurive të shtetit. Raste të këtilla oligarkike kemi me qindra në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni etj. !?”, ka shtuar Elezaj.

Sa i përket deklaratës së Osmanit për bashkëpunimin më Kurtin, ai shprehte se duhet të mbështetet pasi që është hera e parë që dy politikanë të rinj shqiptar flasin për bashkëpunim të ndërsjellë politik dhe shtetëror.

“Vjosa e Albini kanë treguar kulturë bashkëpunimi”

“Prandaj, konfirmimin e znj. Vjosa Osmani, se pas dëbimit të saj nga LDK-ja do bashkëpunojë me z. Albin Kurtin, dhe duke qenë se është hera e parë që e dëgjojmë një deklaratë të tillë në skenën politike në Kosovë, përveç se duhet përshëndetur më zëmër, Vjosën duhet mbështetur secili shqiptar që ia donë të mirën Kosovës, sepse është hera e parë që dy politikanë të rinj shqiptar flasin për bashkëpunim të ndërsjellë politik dhe shtetëror. Jam i sigurt në sinqeritetin e kësaj deklarate të pastër për të bashkëpunuar njëri me tjetrin, krejtësisht mbi baza të interesave kombëtare të tyre si individ dhe si udhëheqës shtetërorë të Kosovës. Është kështu për faktin, sepse znj. Vjosa Osmani dhe z. Albin Kurti, qëkur janë gjetur së bashku si deputet në opozitë në Kuvendin e Kosovës, vazhdimisht kanë treguar kulturë bashkëpunimi të ndërsjellë, sa herë që kanë qenë në rend dite në Kuvend çështje me rëndësi për Kosovën dhe planet zhvillimore të saj. Ky bashkëpunim, posaçërisht është rritur dhe forcuar para dhe gjatë kohës së zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, të cilin bashkëpunim e kanë vërejtur dhe vlerësuar lartë votuesit tanë, të cilët do i shpërblejnë me votën e tyre, duke iu dhuruar numër enormë të votave, Vjosës 174.000 ndërsa Albinit 183.000 vota, që është fenomen i rrallë në skenën politike të Kosovës”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Ai shprehtë i sigurt se ky bashkëpunim do t’iu kushtojë “shtrenjtë” politikisht njërit dhe tjetrit.

“Pikërisht për shkak të këtij koordinimi dhe bashkëpunimi brilant të tyre, sidomos pas formimit të qeverisë “Kurti”, përkatësisht pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit për kryetare të Kuvendit të Kosovës, jam shumë i sigurt se ky bashkëpunim do t’iu kushtojë “shtrenjtë” politikisht njërit dhe tjetrit, ngase faqezinjtë dhe dinosaurët në parti dhe pushtet, të nxitur nga xhelozitë dhe suksesi i tyre në udhëheqjen me shtetin dhe qeverinë e Kosovës, duke mos mundur që t’i durojnë dot shkëlqimet e këtyre dy politikanëve të rinj shqiptarë, siç janë Vjosa dhe Albini, u bënë bashkë sikur lava e ujqve dhe si bishat nuk lanë mjet dhe metodë pa përdorur kundër tyre, derisa Albinin e rrëzuan me puç juridik nga posti i kryeministrit, dhe Vjosën duke e larguar nga gjitha postet partiake, për ta dëbuar më në fund edhe nga LDK-ja, me të cilën ajo është rritur dhe bërë figurë e shquar e popullit dhe kombit shqiptar në Kosovë!”, ka thënë Elezaj për “Bota sot”.

Në fund, ai pret se bashkëpunimi ndërmjet Osmanit dhe Kurtit do vazhdon të jetë edhe më i fuqishëm.

“Unë, pres që bashkëpunimi midis Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit do vazhdon të jetë edhe më i fuqishëm se deri më tash, qoftë brenda të njëjtët subjekt partiak, LVV-je, qoftë si dy parti politike të pavarura, por që Kosovën do ta ruajnë si sytë e ballit siç dhe do ta shpijnë drejt fitoreve të reja në fushën e shtet-ndërtimit të gjithëmbarshëm dhe integrimeve euro-atlantike !”

Derniers articles