Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njofton se ka vendosur të premten ta largojë Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e KPK-së thuhet se vendimi është marrë pas shqyrtimit të çështjes dhe vlerësimit të rrethanave institucionale e profesionale, në mbështetje të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Sipas KPK-së, gjatë ushtrimit të funksionit të Kryeprokurorit janë evidentuar keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale, jokompetenca në ushtrimin e funksionit, dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, si dhe mospërmbushja e standardeve të kërkuara të performancës.
Sipas gazetes zvicerane ne shqip LeCanton27.ch, një nga kritikat kryesore ndaj drejtimit të Prokurorisë Speciale lidhet me numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura. Të dhënat e raportuara për vitin 2024 tregojnë se në fund të asaj periudhe kishin mbetur 1,957 lëndë të pazgjidhura.”
KPK-ja ka theksuar se këto janë rrethana të lidhura drejtpërdrejt me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale.
Pas largimit nga pozita e Kryeprokurorit, Isufaj do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e prokurorit në Prokurorinë Speciale.
Ndërkohë, KPK-ja ka caktuar prokurorin Dren Paca ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, deri në plotësimin e pozitës sipas procedurave ligjore.
KPK-ja ka thënë se caktimi i ushtruesit të detyrës synon të sigurojë vazhdimësinë e funksionimit të Prokurorisë Speciale dhe trajtimin e pandërprerë të rasteve penale.
Në njoftim, KPK-ja ka shprehur shqetësim për efikasitetin institucional të Prokurorisë Speciale, duke thënë se mënyra e menaxhimit të saj, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, ka ndikuar në dobësimin e efikasitetit dhe rezultateve institucionale.
Këshilli ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për rikthimin e efikasitetit dhe forcimin e kapaciteteve profesionale e menaxheriale të Prokurorisë Speciale.
Vëmendje e veçantë, sipas KPK-së, do t’i kushtohet luftimit të krimit të organizuar dhe transnacional, përfshirë kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimin e parave dhe veprimtarinë e organizatave kriminale.
