0.8 C
Berne
jeudi 21/11/2024

25 vjet pas luftës, tani Bosnja duhet të shpallet një protektorat i BE

Nënshkrimi i marrëveshjes në Paris, 14 dhjetor 1995 – nga e majta lart (kryeministri spanjoll Filipe Gonzalez, Bill Clinton, presidenti francez, Jacques Chirac, kancelari Helmut Kohl, kryeministri anglez, John Major, kryeministri rus, Viktor Chernomyrdin) – kurse në tryezë Sllobodan Millosheviç, Franjo Tuxhman dhe Alija Izetbegoviç

BE duhet ta shpallë zyrtarisht Bosnje-Hercegovinën si protektorat, sepse problemet e këtij shteti janë probleme europiane, që mund të zgjidhen vetëm nga Europa dhe në Europë.

Më 14 Dhjetor 1995 u nënshkrua në Paris « Marrëveshja e Dejtonit », që i dha fund luftës së përgjakshme në Bosnje e Hercegovinë. Këtë ditë një oficer amerikan hyri në redaksinë e televizionit të trupave të OKB-së, UNTV në Zagrebin kroat, ku unë punoja. Kam një pyetje për vendin e ri të stacionimit, foli ai me një theks të fortë amerikan. Që nga viti 1992 trupat helmetkaltra të OKB-së ishin përpjekur pa sukses të ndalnin luftën në vendin fqinj Bosnje e Hercegovinë. Tani paqen në Bosnje do ta siguronte një kontigjent i NATO-s, ku edhe amerikani ishte pjesë. « Kam dëgjuar, se aty ka myslimanë krenarë, kroatë dhe serbë. Por kush janë atëherë boshnjakët? »

Kolegët e mi dhe unë kishim raportuar tre vjet me radhë për luftën në Bosnje. Republika, pjesë e Jugosllavisë deri në vitin 1992 zinte vende kudo në lajme në Europë. Ne qeshëm me pyetjen naive të amerikanit. Më vonë mua m’u bë e qartë, se oficeri amerikan, kishte kuptuar pikërisht dilemën, në të cilën ndodhet Bosnja deri më sot. Shumë nga 3,5 milionë qytetare e qytetarë të Bosnjes jo vetëm që nuk janë krenarë për shtetin e tyre. Ata nuk duan të jenë boshnjakë. E kjo ka arsyet e saj.

Trashëgimia e luftës

Fjala Bosnje na kujton edhe sot kohën nga prilli 1992 – dhjetor 1995, kur në shtetin e vogël boshnjak forcat e armatosura të tre grupeve më të mëdha fetare etnike – myslimanët boshnjakë, kroatët katolikë dhe serbët ortodoksë me mbeshtetjen e vendeve fqinjë, Kroaci e Serbi luftuan kundër njëri-tjetrit. 100.000 vetë humbën jetën në këtë luftë, miliona u dëbuan. Me Marrëveshjen e Dejtonit dhe kushtetutën përkatëse, Bosnja vërtet u ruajt si shtet, por ky është një konstrukt i vështirë i përcaktuar nga « etnitetet », që sundohen nga partitë nacionaliste, që para 25 vitesh luftuan kundër njëri-tjetrit.

Gjendje e mjerueshme

Për shkak se kushtetuta e Dejtonit kërkon që për shumë vendime të ketë unanimitet, politika në Bosnje mund të funksionojë në të mirë të qytetareve e qytetarëve të Bosnjes, nëse politikanët tregojnë një gatishmëri të madhe për kompromis. Por pikërisht kjo nuk është bërë realitet, sepse nacionalistët sundues kanë zënë vend të mirë në sistemin që kanë ngritur. Në një kohë që gjendjen në Bosnje mund ta vlerësosh vetëm si të mjerueshme: Vendi nuk ka më industri, papunësia zyrtarisht është 25%, rreth dy të tretat e të rinjve nën 25 vjeç nuk kanë punë. Standardi jetësor ka ngecur në një tretën e mesatares europiane. Përditshmëria karakterizohet nga varfëria, korrupsioni, ndotja e mjedisit.

Për shkak se gjendja nuk ka ndryshuar, pavarësisht zgjedhjeve, mijëra boshnjakë, sidomos të rinjtë e të kualifikuarit, largohen nga vendi. Kjo nuk është e mirë për vendin, por u shkon për shtat nacionalistëve. Ata me të drejtë kanë frikë, që zemërimi i rinisë që i është vjedhur e ardhmja mund të plasë dikur. Nga ana tjetër emigrimi stabilizon pushtetin e nacionalistëve. Ata kontrollojnë edhe më tej vendet e pakta të punës në vend, që shpërndahen tek besnikët. Po ashtu emigracioni po përshpejton plakjen e popullsisë.

Demokracia ka nevojë për mirëqenien

Historia e të gjitha demokracive në botë tregon: Shoqëritë e lira funksionojnë vetëm, aty ku sundon mirëqenia. Për shkak të kësaj gjendjeje është prej vitesh e qartë, se çfarë duhet në Bosnje: një politikë që ngre lart investimet, industrializimin dhe rrit standardin jetësor. E dihet pse nacionalistët nuk e bëjnë këtë: Ky do të ishte fundi i pushtetit të tyre. Partitë jo-nacionaliste nuk janë në gjendje të krijojnë mirëqenie, sepse ato nuk kanë kohë të mjaftueshme nuk janë në pushtet. Në Bosnje nuk mund të fillojë kështu ndryshimi. Ai duhet të vijë nga jashtë, si me paqen e Dejtonit të vitit 1995.

Shansi i Bidenit

Në negociatat e paqes në vitin 1995 luanin rol kryesor SHBA. Pasi shtetet europiane u përpoqën me vite pa sukses t’i jepnin fund luftës në Bosnje, ishte presidenti amerikan, Bill Clinton, ai që i uli në një tryezë palët në konflikt në bazën amerikane Wright-Patterson në Dejton me një përzierje kërcënimesh e ofertash për ndihmë. Që atëherë roli i Europës në Bosnje është bërë më i rëndësishëm. Sot aty ndodhet një trupë e NATO-s dhe një trupë e paqes e BE. Me Joe Biden, BE ka tanimë një partner të besueshëm në politikën e Ballkanit, një moment i mirë për Europën, që të zbatojë në mënyrë aktive përgjegjësinë e saj në Bosnje.

Kundërshtarët e Bosnjes dhe Europës

Por BE e ka të vështirë të marrë vendimet që duhen për këtë. Grindja për buxhetin së fundmi tregoi, se edhe në BE ka aktorë të pakompromis. Kjo nuk prek vetëm politikën europiane për Ballkanin. Ajo është një provë për atë, se urgjentisht duhet hequr detyrimi për ujdi vendimesh dhe të kalohet në vendimet e shumicës. BE ka nevojë për më shumë demokraci, si Bosnja.

Europa shumëkombëshe dhe Bosnja multifetare nuk kanë vetëm të njëjtat vështirësi, ato kanë edhe të njëjtit kundërshtarë: shtete autokratike si Rusia apo Turqia, Kina totalitariste, Arabia Saudite fundamentaliste, si edhe populistët ultra të djathtë dhe fundamentalistët fetarë. Ata e refuzojnë një BE demokratike të bashkuar, si një Bosnje demokratike me unitet.

Pa gjasa po jo e pamundur

Pas kaq shumë vitesh nën mbikqyrjen europiane, më në fund duhet që Bosnja të shpallet një protektorat i BE për një kohë të kufizuar dhe me një qëllim të përcaktuar qartë: të aftësohet ky vend për anëtarësimin me BE. Dhe qytetarëve të Bosnjes t’u jepen më në fund arsye pse të jenë krenarë për Bosnjen. Po, një zhvillim i tillë parë nga gjendja në vend dhe problemet aktuale të BE, duket pa gjasa. Por i pamundur ai nuk është. E për Bosnjen dhe Europën ai do të ishte më mirë se vazhdimi i agonisë. Në vitin 1932 shkrimtari gjerman Kurt Tucholsky shkroi: « Një burrë hebre tha dikur: Unë jam krenar që jam hebre. Nëse nuk jam krenar, unë prapë mbetem hebre, pra më mirë të jem edhe krenar! » Ky qëndrim do të shkonte për boshnjakët. Edhe për europianët e tjerë.

Rüdiger Rossig është redaktor i Deutsche Welles. Në dhjetor 1995 ai ka qenë reporter për UNTV, televizionin e trupave të paqes të OKB-së në Jugosllavinë e atëhershme. Filmi i tij dokumetar, (Regjia: Zoran Solomon), « Bosnja dhe Kosova – Protektoratet e harruara të Europës » u shfaq në vitin 2017 në ZDF/arte.

Derniers articles