3.6 C
Berne
samedi 15/03/2025

Zvicra nuk pranon më dokumente udhëtimi të lëshuara në territoret e pushtuara nga Rusia

Bernë, 11 janar- Dokumentet e reja ruse të udhëtimit të lëshuara për njerëzit që banojnë në rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainë ose në territoret e shkëputura në Gjeorgji nuk pranohen më për marrjen e vizës ose kalimin e kufirit të hapësirës Shengen. Kjo u vendos nga Bashkimi Evropian (BE) më 8 dhjetor 2022. Këshilli Federal e mori këtë vendim në mbledhjen e 11 janarit 2023, njofton gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch duke ju referuar burimeve nga SEM në Bernë.

Vendimi i BE-së përbën një zhvillim të acquis të Shengenit, të cilin Zvicra është e detyruar ta miratojë. Ai e ka origjinën në praktikën e re të natyralizimit që Rusia ka futur në rajonet e pushtuara të Ukrainës dhe territoret separatiste të Gjeorgjisë. BE-ja e konsideron këtë praktikë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së të dy vendeve.

Komisioni Evropian përcakton se cilat dokumente udhëtimi nuk pranohen më pas një date të caktuar lëshimi. Përjashtimet mund t’u jepen mbajtësve të dokumenteve të udhëtimit që ishin tashmë shtetas rusë përpara kësaj date, si dhe pasardhësve të tyre dhe të miturve ose personave me paaftësi ligjore.

Vendimi i Këshillit Federal i është komunikuar Këshillit të BE-së më 11 janar 2023 dhe ka hyrë në fuqi menjëherë. Asnjë transpozim ligjor nuk është i nevojshëm, vendimi i BE-së është drejtpërdrejt i zbatueshëm.

Në shtator 2022, Këshilli i BE-së kishte pezulluar tashmë marrëveshjen e lidhur mes kësaj të fundit dhe Rusisë për të lehtësuar dhënien e vizave. Më 19 shtator 2022, Këshilli Federal bëri të njëjtën gjë me marrëveshjen e lidhur për të njëjtin qëllim midis Zvicrës dhe Rusisë.

Derniers articles