22.3 C
Berne
mardi 23/07/2024

Shqiperi, nis projekti i ri për menaxhimin e zjarreve me mbështetje nga qeveria zvicerane

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro nënshkroi sot Memorandumin e Bashkëpunimit për menaxhimin e zjarreve me Ambasadoren e Zvicrës Ruth Huber

Tiranë, 28 shkurt -Memorandumi për mbrojtje nga zjarrjet bën të mundur mbështetje nga Zvicra për menaxhim të zjarreve në pyje dhe peizazhe. Projekti sjell mbështetje teknike për Shqipërinë dhe disa vende të Ballkanit Perëndimor ku kohët e fundit ka patur rritje të zjarreve si pasojë e ndryshimeve klimatike, njfton gazeta zvicerane ne shqip Le Canton27.ch referuar burimeve nga ambasada helvetike ne Tiranë. 

“Ministria e Turizmit ka nisur një program të zgjeruar aktivitetesh dhe nismave dedikuar Vitit të Pyjeve, siç është shpalluar viti 2024. Parandalimi dhe menaxhimi i zjarreve është thelbësor për mbrojten e pyjeve dhe biodiversitetit, prandaj e vlerësoj shumë që një projekt i tillë do të jetë pjesë e kalendarit tonë kombëtar të aktiviteteve për vitin e pyjeve”, u shpreh ministrja Mirela Kumbaro gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

“Duke qenë se ndryshimet klimatike po ndikojnë mbi të gjithë vendet përfshirë Shqipërinë, menaxhimi i zjarreve është thelbësor për ruajtjen e jetëve, ekonomive dhe mjedisit. Përmes këtij projekti të ri institucionet përkatëse do të forcojnë kapacitetet e tyre, do të përmirësojnë politikat dhe do të vendosin një bashkëpunim rajonal, me synimi që të kenë më shumë fleksibilitet kundër zjarreve të pyjeve dhe peisazhit”, tha Ambasadorja zvicerane Ruth Huber.

Projekti do të rrisë aftësitë dhe fleksibilitetin e institucioneve përkatëse kundër zjarreve të pakontrolluara, në mënyrë që të ruhen mjetet e jetesës dhe ekonomitë e banorëve. Për shkak të ndryshimeve klimatike dhe përdorimit pa kriter të tokave, ka patur një rritje të zjarreve ndërsa kapacitetet për menaxhim kanë nevojë të forcohen.

Për këtë, projekti do të sigurojë një rrjet rajonal midis vendeve fqinje, kapacitete të shtuara të institucioneve, dhe politika që adresojnë menaxhim të qëndrueshëm të peisazheve e pyjeve.

Ekspertiza dhe përvoja e institucioneve zvicerane do të jetë një element kyç në zbatimin e këtij projekti. Komunitetet vendore gjithashtu – ato që preken drejtpërdrejt nga zjarret – do të jenë në qendër të kësaj nisme

Projekti financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC dhe do të zbatohet në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Derniers articles