20.4 C
Berne
mardi 18/06/2024

Sot, 18 vite pa Skënderbeun e shekullit 20-të, Ibrahim Rugovën!

Enver BYTYÇI

U bënë 18 vite nga ajo ditë e ftohtë dhe e acartë e vitit 2006, kur populli i Kosovës u dynd si kurrë ndonjëherë rrugëve të Prishtinës për t’i thënë lamtumirë prijësit të vet të kohëve moderne. Për t’u përshëndetur për herë të fundit me atë që bota e quajti Gandi, Mandela apo Martin Luter King i Ballkanit! Në fakt Ibrahim Rugova ishte dhe do të shënohet në historinë e kombit shqiptar e të Kosovës si Skënderbeu i shekullit të XX e XXI! Sepse i tillë ishte. Sepse ndërtoi në Kosovë për herë të parë pas kohëve dardane shtetin de facto, edhe pse nuk qe njohur juridikisht. Sepse pas Skënderbeut e Nënë Terezës gjithkush në Europë dhe SHBA ndjehej i nderuar dhe i motivuar kur priste, takonte e bisedonte me Ibrahim Rugovën!

Nuk ka të dytë në historinë e shteteve në rajonin e Ballkanit, si Ibrahim Rugova, që të jetë imponuar aq natyrshëm dhe aq bindshëm te qytetarët, te bashkëpunëtorët dhe te miqtë e aleatët e tij. Madje edhe përballë armiqve të Kosovës. Njeriu që nuk u kompleksua kurrë e në asnjë rrethanë, para vetes e para askujt tjetër, Doktor Rugova, ishte i vërtetë. Ishte origjinal! I pa korruptueshëm dhe i bindur në principet e qëllimet që ai kishte. Kurrë nuk devijoi nga parimet e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ishte dhe mbetet modeli i integritetit dhe dinjitetit njerëzor! Sepse u bë i barabartë me udhëheqësit e kombeve më të mëdha të botës, edhe pse përfaqësonte një popull shumë të vogel e në robëri!

Edhe pse Ibrahim Rugova kundërshtarët më të mëdhenj i kishte në Serbi, nuk qenë të paktë ata shqiptarë në politikë që e linçuan, etiketuan, dhunuan e madje e sulmuan me granata. Por populli i Kosovës ishte homogjen rreth tij. Shqiptarët e Kosovës e madje edhe shumë pakica të saj i besuan atij, si Zotit e si Papës, nëse i referohemi një rrëfimi të ambasadorit Kris Hill. E deshën shqiptarët dhe populli, sepse ai ishte i vendosur dhe i palëkundur në bindjet, pikëpamjet, idetë, principet dhe misionin e tij për Kosovën. Ai dinte të sillte argumente e ta “mbështeste me shpatulla për muri edhe armikun”! Ai dinte të qasej në qëllimet e veta për lirinë e pavarësinë e Kosovës te secili prej partnerëve e aleatëve të Kosovës. Ai dinte të komunikonte me popullin e tij. Ai ndërtoi një shtet paralel. I tha ish-ambasadorit amerikan në Beograd, William Zimmerman, se “Jap dorëheqjen dhe popullit tim nuk i kërkoj të dalë në votime për zgjedhjen ose jo të një presidenti të një vendit të huaj” (Serbisë). Ndërsa ata që erdhën pas tij, i thanë Milosheviçit të kohëve të sotme, pra Aleksandër Vuçiq, “Ne bëjmë çfarë të doni ju, mjafton të na garantoni pushtetin”!

Ibrahim Rugova ishte këmbngulës si vetë Zoti. Se ishte një me Zotin dhe me kombin! Se nuk e ndau kurrë fatin e vet me fatin e popullit të tij! Se besoi te liria që ta jep fillimisht vetëm Zoti! Besoi edhe te e drejta! Megjithatë i thanë “tradhtar”. Jo vetëm disa trutharë në Kosovë, por edhe jo pak zuzarë në Shqipëri. Ata duhet të turpërohen sot në këtë 18 vjetor të largimit të Rugovës e çdo ditë tjetër për atë që shpifën kundër legjendës së kombit shqiptar! Tradhtarët i thanë Ibrahim Rugovës, këtij pinjolli të Gjergjit të Madh, “tradhtar”! Ndërsa në një libër të sponsorizuar më së paku 500 mijë dollarë amerikanë për Hashim Thaçin, bëhen përpjekje pët ta ulur figurën e Rugovës. Ai libër është botuar në shqip dhe është promovuar para pak ditësh në hollin e kryeministrisë në Tiranë!
Por emri dhe figura e themeluesit të shtetit të Kosovës, presidentit të saj historik, Ibrahim Rugova, kurrë nuk do të mund të marrë njolla gri apo të murrme. Nëse do të ketë një politikan dhe lider që do respektohet në përmasat e Skënderbeut dhe Nëne Terezës, ai është dhe do të jetë Ibrahim Rugova!

Zoti e bekoftë jetën, emrin dhe veprën e tij të jashtëzakonshme për Kosovën dhe kombin shqiptar!
Lavdi për jetë!

Derniers articles