3.3 C
Berne
dimanche 22/12/2024

Sonila Meço: Protestat e dhunshme burojnë zakonisht nga ata njerez të dëshpruar që “nuk kanë asgjë për të humbur”

Protestat e dhunshme burojnë zakonisht nga një ndjenjë e fortë dëshpërimi, pamundësie, mungese shprese se gjërat mund të ndryshojnë. Ndaj në psikozën e protestuesve çimentohet ideja se tashmë “nuk kanë asgjë për të humbur”.
Nga ana tjetër, trajtimi i dhunshëm nga policia është stimulues i fortë për kundërpërgjigje po të dhunshme nga turma.
Në protesta në vend kemi parë se si njerëzit, që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht kanë përfunduar të konsideruar armiq të pushtetit e shtetit, disidentë në vendin e tyre (Protesta e Teatrit, protesta e Astirit). Të dhunuar, rrahur, shkelur me çizme, të dhunuar në komisariate, të sulmuar me gaz lotsjellës edhe në banesa. Ju kujtoj se qindra procese mbajnë të varur në Gjykatat e ngadalta shqiptare banorë të pastrehë, të papunë e të varfër vetëm se protestuan për një çati mbi kokë.
Në protesta të ndryshme ka edhe kundërshtues të konfrontimit, që pohojnë se ato nuk funksionojnë. Por ja që historia dëshmon se qasja e tyre nis e ndryshon kur autoriteti konsiderohet i korruptuar dhe imoral.
Historiani dhe Profesori i njohur i Universitetit të Pensilvanisë, Daniel Q. Gillion, ekspert për të drejtën civile dhe autor i një prej studimeve më të thella mbi rolin e protestave: “Minoranca e zhurmshme: Pse protestat kanë rëndësi në demokracinë Amerikane”, i pyetur mbi dhunën përgjatë protestave të këtij viti në Shtetet e Bashkuara thotë: 
“E vërteta është se duke studiuar objektivisht protestat në dekada, kemi arritur në përfundimin se protestat e dhunshme kanë ndikim pozitiv në ndryshime politike e të politikave. Protestat jo të dhunshme sjellin ndërgjegjësim për një çështje, ato të dhunshme prodhojnë urgjencë në zgjidhjen e një çështjeje. Ato tërheqin vëmendjem e ftojnë ndërkombëtarët të kuptojnë çfarë po ndodh. Nuk jam duke mbështetur protestat e dhunshme dhe as nuk po i ftoj individët në sjellje joligjore, por është e palogjikshme, e padrejtë dhe cinike të thuash se protestat e dhunshme nuk sjellin ndryshime pozitive në politikë e politika. Kjo nuk është e vërtetë”
Le të kujtojmë me këtë rast shitësin tunizian të fruta-perimeve Mohamed Bouazizi i cili i vuri flakën vetes si reagim ndaj kërcënimeve të një policie të korruptuar. Akti i tij u transmetua në gjithë botën duke u bërë enzima e protestave masive të dhunshme, që sollën Pranverën Arabe.
Por mos shkojmë larg e as bëjmë shumë teori. Me tekst e pamje sipas radhës ju ftoj të shihni protestat e dhunshme të vitit 2020 në Ballkan, Europë e përtej, arsyet, pretekstet, çfarë dëmesh kanë shkaktuar, se çfarë kanë arritur dhe se sa arrestime e shoqërime ka patur mes protestuesve.
Askush nuk e do dhunën, por duhet dënuar shkaku, së bashku me pasojën.
Krahasimin me Shqipërinë ju ftoj ta ushtroni vetë si një mënyrë për të mos rënë në kurthin e “qelibarëve”:
1. Demonstrata të dhunshme në Francë, ku kërkohen pagesa më të larta për punonjësit e shëndetësisë dhe më shumë shtretër për të përballuar pandeminë. 19 oficerë të lënduar e 30 të arrestuar nga protestuesit.
Presidenti Macron pranoi kërkesat e demonstruesve.
2. Mijra serbë protestuan dhunshëm ndaj menaxhimit të situatës pandemike nga Presidenti Vucic dhe për situatën shqetësuese të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në vend. Dhuna e ushtruar nga policia sipas reporterëve, qe aq e fortë dhe nuk mbahej mend në vend që nga regjimi i Milloshevicit në vitet ‘90.
Vucic u detyrua të heqë disa prej masave ekstreme shtrënguese.
3. Ligjvënësit në Greqi aprovuan një ligj që kufizonte protestat masive në kohë pandemie. Kjo shkaktoi protesta të dhunshme, policia u përgjigj me kundragaz. Protestuesit hodhën mjete të forta e bomba petroli. Megjithëse 10.000 protestues në Athinë, policia arrestoi 9 dhe shoqëroi për t’u pyetur vetëm 15 vetë. Reagimet e forta nga Amnisty International, opozita dhe ndërkombëtarët e konsideruan shqetësim serioz kalimin e ligjit në parlament duke ushtruar presion të fortë mbi qeverinë e Micotaqis.
4. Jelekverdhët nisën një lëvizje, që në nëntor të 2018-ës në Francë kundër rritjes së çmimit të naftës. Mijra njerëz iu bashkuan në demonstrata të dhunshme. Edhe këtë vit, pavarësisht pandemisë ata ishin të dhunshëm në rrugë dhe arritën gjithsesi të detyrojnë Presidentin Macron të tërhiqej megjithëse betohej se kurrë nuk do ta bënte. U miratua dhe një paketë ndihme 11 miliardë dollarë për të varfrit.
5. Koktejle molotovi, paisje eksplozive pushtuan Berlinin në nëntor, të tjera pranë Institutit Robert Koch, ndërsa me mijra protestonin në mbarë Gjermaninë. Foto është marrë nga protestat e dhunshme në Leipzig. Kundërshtimi me forcë i masave kufizuese detyroi qeverinë të rishikojë planet e saj. Një pjesë kundërshtojnë shkeljen e të drejtave dhe lirive, një pjesë kërkojnë zgjedhje të parakohshme për një administrim më të mirë të krizës pandemike.
6. Lima u trondit nga protestat masive të mijra demonstruesve, që thërrisnin me maska në fytyrë: “Merino nuk është presidenti im”. Dy të rinj, 24 dhe 25 vjeç u vranë nga qitjet me armë përgjatë protestave të dhunshme. Ata kundërshtonin një akt të ndërmarrë nga parlamenti, që sipas tyre kish prodhuar grusht shteti, duke përdorur manovra ilegjitime për të larguar një politikan të ndershëm për interesa korruptive të një grupi politik. Në protesta merrnin pjesë të rinj, që presidenti i sapozgjedhur i konsideronte të paaftë të njihnin politikën, sepse ishin gjithmonë apatikë e të painteresuar.
“Mund të ketë disa kohë kur jemi të pafuqishëm përballë padrejtësive, por kurrë nuk duhet të ketë kohë për të dështuar në protesta”, Elie Wiesel, shkrimtar, aktivist politik, Laureat i Çmimit Nobel, i mbijetuar i Holokaustit.

Derniers articles