0.7 C
Berne
lundi 23/12/2024

Nuk me ndalni me presione, kecnime dhe shantazhe!

Shkruan: Shaip KAMBERI

“A po ke presion, shantazhe dhe kërcënime nga shteti?”. Kjo është pyetja që viteve të fundit më kanë shtruar më së shumti të afërmit, miqt, mediat, qytetarët etj, shkruan deputeti shqiptar ne PRS, transmeton gazeta zvicerane Le Canton27.ch

Nuk kam dashur që personalja ime të mbivendoset ndaj temave dhe interesat kolektive. Prandaj edhe jam deklaruar se nuk kam presion, ndonëse të gjithë janë dëshmitarë se ka vite që segmentet e kontrolluara nga pushteti në Serbi, si mediat, përbaltin vazhdimisht punën dhe emrin tim.

E paralelisht është aktivizuar edhe ajo që quhet gjyqësor dhe drejtësi, duke “hetuar” punën time ndër vite.

E dje u njoftova zyrtarisht se Prokuroria Speciale në Nish paska propozuar që të ngritet akuzë ndaj meje për “tejkalim të apropriacioneve të buxhetit” përderisa kam ushtruar detyrën e kryetarit të Bujanocit më 2018 dhe 2019.

E para:

Pra, fjala është për realizimin e projekteve infrastrukturore në territorin e Komunës së Bujanocit, të përcaktuara me Vendimin për buxhetin e kësaj komune më 2018 dhe 2019.

Me rëndësi është të dihet se këto projekte realizohen në faza, për shkak se se Komunat e pazhvilluara në Serbi nuk kanë buxhet të mjaftueshëm që t’i realizojnë projektet me vlerë më të madhe brenda një viti. Prandaj edhe realizimin e tyre e bëjnë me faza, për dy apo më shumë vite.

Pra, Prokuroria propozon ngritjen e akuzës duke u bazuar në faktin se në momentin e nënshkrimit të kontratës për realizimin e këtyre projekteve, në buxhetin e Komunës, nuk ka pasur mjaftueshëm mjete sa ka qenë vlera kontraktuese e këtyre projekteve. Në fakt, edhe më 2018 edhe më 2019, për projektet në fjalë, është bërë pagesa për punët e kryera vetëm në lartësinë e mjeteve të cilat kanë qenë të planifikuara me buxhet.

As edhe një cent i vetëm më tepër!

Por, Prokuroria paska zbuluar se me marrjen e obligimeve në vlerë më të madhe se mjetet e planifikuara “paskam rënduar buxhetin e Komunës”.

Po qe se do të nënshkruanin kontrata e planifikonin punë vetëm me mjetet vjetore që i kanë në dispozicion, asnjë prej Komunave të Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), ashtu edhe asnjë prej Komunave me të ardhura të përafërta nuk do të mund të realizonin kurrë asnjë projekt madhor në të mirë të qytetarëve. Që e bën ndjekjen e Prokurorisë absolutisht absurde!

E dyta:

Është interesant se si në shtetin ku lidhjet e mafias dhe krimit të organizuar me pushtetin po bëhen përditshmëri, Prokuroria Speciale merret vetëm me mua për një praktikë që ekziston dhe realizohet në shumë Komuna të Serbisë!

Kjo madje pak muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare në Serbi.

Kjo tregon se në fakt këtu nuk po trajtohet puna ime si kryetar i Bujanocit, por si opozitar në Kuvendin e Serbisë. Këtë hall ka regjimi i Vuçiqit. Nuk e ka hall korrupsionin. Madje halli i tij është pse s’jam i korruptuar. Duke qenë autoritar, ai e ka hall kundërshtimin tim. Pamundësinë që e ka parë këto vite sa jam deputet për të më heshtur dhe nënshtruar.

Sidoqoftë. Nuk më befasojnë. E prisja.

Do të ishte e palogjikshme që ky pushtet autoritar të ndalet me kaq.

Por kot e keni!

Siç e thoshte Gandi: “Në fillim të shpërfillin, pastaj të përqeshin, mandej të luftojnë, e në fund ti fiton”

E zërin tim nuk mund ta heshtni. Veprimin tim nuk mund ta ndalni. Nuk më nënshtroni!

Shihemi në betejat e radhës. Në gjykatë, në parlament etj.

Deri në fund për drejtësi, liri dhe barazi. Kudo dhe kurdo!

Derniers articles