12.5 C
Berne
dimanche 13/10/2024

Mero Baze: Identikiti i të mërziturve nga qeverisja Rama

Shkruan: Mero BAZE

Ka një përpjekje propogandistike për të bërë garë me objektiva deputetësh nga Edi Rama, apo me fallxhorë të opozitës, që shpallin se sa deputetë do të marrin, përpjekje e cila ka krijuar  një kakofoni mbi gjendjen reale të elektoratit para zgjedhjeve. Dhe nuk dua ta shtoj më tej këtë gjë, duke bërë parashikime të reja.

Por ajo që duhet të them me siguri është se njoh në Shqipëri plot qytetarë që hezitojnë të votojnë edhe pse më parë kanë pasur një identitet votimi si të majtë apo të djathtë.

Nëse duhet të bëjmë identikitin e një votuesi të majtë që tashmë heziton të votojë, si kryearsye do të gjeja pandëshkueshmërinë e korrupsionit në këtë vend.

Pandëshkueshmëria ndaj klasës politike, në rastin konkret, zemërimi që qeverisja 7 vjecare e Edi Ramës nuk ndëshkoi korrupsionin e qeverisë së kaluar, është vendimtare. 

Reforma në Drejtësi dhe bllokimet e saj nga opozita, duken një farë alibie, pasi ajo që nuk ka parë votuesi i pavendosur është vullneti për të goditur korrupsionin, qoftë dhe politikisht.

Me ndonjë përjashtim të rrallë simbolik, asnjë prej ministrave të Edi Ramës nuk ndoqi asnjë prej cështjeve korruptive për të cilat kishin akuzuar në opozitë, për ta cuar para drejtësisë. Vet fryma e qeverisë së Edi Ramës, duket se ishte në një farë mënyre pajtuese me personazhet e mëdhenj të korrupsionit, të cilët dhe në shumicë mbetën në lojë. Pra asnjë politikanë nuk u ndëshkua.

Po ashtu asnjë aktor i tregut mediatik të korruptuar nuk doli nga loja për ti hapur rrugë konkurencës së lirë, përkundrazi po përpiqen të diktojnë lincime publike ndaj aktorëve të rinj.

Shikoni me cfarë agresiviteti opozita e Sali Berishës ka sulmuar ditët e fundit Carlo Bolinon, duke spekuluar sikur qeveria i ka dhënë atij mbi 1 milardë lekë, ndërkohë që bëhet fjalë për një nënkontraktim të një projekti nga një kompani private, ku ngatërrohet qëllimisht vlera e projektit me fitimin.

Në kohë të Sali Berishës, Ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar Repartin “N”, sic emërtohet në këto raste repartet,  ti jap mbi 1 milionë e ca dollarë Aleksandër Frangaj për reklamë për repartin ushtarak. Në cilin vend të botës një repart ushtarak paguan mbi 1 milionë dollarë për ti bërë reklamë vetes, ndërkohë që në fakt ushtria paguan të ruaj sekretin.

Më pas ky personazh i shumfishoi të ardhurat në qeverisjen Rama dhe u bë model nxitës për shumë biznesmenë që të bëhen pronarë televizionesh, duke vuajtur sot gjithë tregu i shtypit sindromin e tij. Cdo kush që ka një ëndërr për biznes korruptiv, ka marrë modelin e Frangaj, dhe ose hap një medie ose sponsorizon medie dhe tenton të bëj biznes, duke ndotur kështu dhe konkurencën dhe klimën e biznesit.

Kulmi arriti tek  familja Berisha e cila duhet të ishte para drejtësisë, ndërkohë që riciklon lekët në një medie të shtrenjtë televizive, ku paguan figurantë televiziv nga ata që i ka përdor me rradhë gjithë mafjozët e Shqipërisë, për të treguar se janë të paprekshëm.

Dhe të gjithë i vërsulen Mustafa Nanos pse është vetvetja dhe thotë atë që mendon kur thirret në atë medie dhe jo klounëve të një medie mercenare që është e ngritur mbi paret e gjakut dhe korrupsionit të këtij vendi. 

Nuk ka vend në botë, që media e bazuar tek paret e vrasësve politikë, hajdutëve dhe trafikantëve të drogës të ngjallhë shpresë për një botë më të mirë. Ato mund të bëjnë luftëra të egra, pasi dhe bandat vrasin njerëz, por nuk sjellin progres. Shikoni se sa pak medie transmetuan lajmin se një gjykatë amerikane i quajti me vend gjithë akuzat mbi Shkëlzen Berishën rreth Gërdecit, për të parë sa të gjera janë tentakulat korruptive të Berishës mbi medien në Shqipëri.  Fundi i botës është se Edi Rama ka shkuar dhe si i ftuar aty, “për ti respektuar”.

Kjo ka bërë që në skenë të mbeten të njëjtët aktorë të historive korruptive të Berishës, të cilët krijojnë perceptimin se askush nuk u ndëshkua.

Për të kuptuar se nuk vlen argumenti i Reformës në Drejtësi mjafton të shikosh rastin e Ilir Metës. Qeveria nisi një operacion për shkarkimin e tij në parlament, dhe në fund për shkak të pazareve të vogla politike, ndryshoi kursë dhe i dha vrejtje me paralajmërim, duke gjetur ngushëllim tek rekomandimi i një miku të Ilir Metës në Komisionin e Venecias.

Qeveria dhe ashtu nuk e kishte në dorë shkarkimin e tij, se e ka Gjykata Kushtetuese. Ajo mund ta conte deri në fund nismën duke e votuar në parlament shkarkimin dhe ai le të mbrohej në Gjykatë Kushtetuese. Kthimi gjatë rrugës i këtij vendimi është zhgënjyes për mbështetësit e Edi Ramës dhe triumfues për korrupsionin dhe monumentin e tij në presidencë. 

Dhe këtu nuk vlejnë argumentet juridike, se beteja është politike.

Edi Rama nuk ka zhgënjyer pse nuk ka bërë akte juridike që ti ndëshkoj këto fenomene me burg. Nuk ka zhgënjyer ps enuk shkarkoi Metën apo pse nuk futi në burg hajdutë të Berishës, por pse nuk tentoi. Ai ka zemëruar mbështetës,  se nuk ka bërë gjeste. Dhe kjo ka fyer plot qytetarë që e kanë votuar. 

Do të mjaftonin aktorët politik të urryer, që ngjallin alergji në shoqëri, aktorët e tregut mediatik të koruptuar dhe biznesmenët që kanë qenë sekserë pushtetesh që janë sërisht në lojë, për të formuar identikitin e qytetarit që ka votuar Edi Ramën dhe tani heziton të shkoj në votime, pa votuar kurrë për Sali Berishën. 

Nga ana tjetër abstenuesi i Edi Ramës është më atipiku në botë, pasi është qytetar më i ndershëm, i cili refuzon Edi Ramën pse nuk ka ndëshkuar kundërshtarët  e korruptuar  të tij. Dhe kjo e bën më të pashpresë opozitën dhe gjithë shqoërinë. Për herë të parë në një vend qyetarët e ndershëm apo idelaistët e ndëshkueshmërisë janë të papërfaqësuarr. 

Ndaj beteja është për zemërthyerit, që janë mërzitur pse nuk ëhstë në burgë Berisha Meta e kompani dhe jo për atë që derdhin lot për Berishën Metën e kompani. Ata janë fat i Edi Ramës.

Derniers articles