3.4 C
Berne
vendredi 27/02/2026

Diaspora nuk e bën politikën – por po paguan pasojat

Shkruan: Skenderbeg KLAIQI
         Nuk ka familje në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, e as në Shqipëri, që nuk ka dikë në mërgatë. Në shumë raste, shumica e familjarëve janë jashtë. Megjithatë, ndarja mes diasporës dhe vendoreve vazhdon të thellohet. Kjo ndarje nuk është spontane. Është e ushqyer dhe e dobishme për disa.
Diaspora shahet lehtë. Fajësohet për gjithçka: për politikën, për zgjedhjet, për drejtimin e shtetit. Kjo është e pavërtetë. Diaspora nuk e bën politikën në Kosovë. Nuk i zgjedh kandidatët, nuk i formon partitë, nuk qeveris. Roli i saj demokratik është vetëm të votojë, jo të votohet.
Partitë politike dhe qeveritë në Kosovë zgjidhen me vullnetin e vendoreve. Diaspora voton ashtu si voton populli – as më shumë, as më pak. Çdo përpjekje për t’ia bartur fajin apo meritat diasporës është shmangie e drejtpërdrejtë e përgjegjësisë politike.
E megjithatë, realiteti ekonomik është i pamohueshëm: Kosova është e varur nga diaspora. Kjo varësi nuk ka lindur nga dëshira, por nga shkatërrimi sistematik i industrisë. Serbia e filloi këtë proces gjatë luftës. Politikat pasluftës, nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve, e përfunduan duke mbyllur fabrikat, kapacitetet prodhuese dhe burimet e të ardhurave. Ekonomia u kthye në ekonomi mbijetese, ndërsa remitencat u bënë shtyllë jetike për familjet.
Ndërkohë, migrimi nga Kosova nuk ka pushuar asnjëherë. Ky migrim i egër ka filluar nga fundi i viteve ’60 dhe vazhdon deri sot. Por sot ka arritur kulmin. Asnjëherë nuk ka ikje më të madhe se tani. Çdo vit, dhjetëra mijëra qytetarë largohen nga Kosova. Ky është alarm kombëtar.
Arsyet janë të njohura: sistemi shëndetësor, gjyqësor dhe infrastruktura. Sot, paradoksalisht, punësimi është bërë më pak problem – jo sepse ekonomia u zhvillua, por sepse në Kosovë kanë mbetur më pak njerëz. Vendi po zbrazet.
Krahasimi është i dhimbshëm, por i domosdoshëm: Gjermania, e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, 25 vjet pas luftës filloi të importojë fuqi punëtore. Kosova, dekada pas luftës, vazhdon të eksportojë popullatën e vet.
A e doni zgjidhjen? Zgjidhje ka
Vetëm një shembull konkret: nëse secili pjesëtar i diasporës do të kontribuonte vetëm 1 euro në muaj, kjo do të krijonte rreth 12 milionë euro në vit. Me këtë shumë mund të financohen 1.000 deri në 1.500 vende pune të drejtpërdrejta çdo vit.
Le ta krahasojmë këtë me realitetin: çdo vit nga Kosova ikin dhjetëra mijëra njerëz, ndërsa me një fond minimal, të organizuar mirë, mund të krijohen mijëra vende pune. Pra, problemi nuk është mungesa e parave, por mungesa e organizimit dhe vizionit.
Një pengesë tjetër serioze është kriza energjetike. Pa energji të qëndrueshme nuk ka industri, investime dhe zhvillim. Edhe pse kriza është globale, Kosova ka resurse reale për ta zgjidhur këtë çështje. Problemi nuk është teknik, por politik.
Zgjidhja kërkon përfshirje serioze të diasporës. Politika e Kosovës duhet të angazhojë ekspertët e diasporës në mënyrë institucionale. Duhet të rihapet Ministria e Diasporës si institucion i pavarur, që merret vetëm me diasporën, e jo të mbetet nën hijen e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Diaspora nuk është dekor diplomatik – është potencial zhvillimi.
Kapitali njerëzor, profesional dhe financiar i diasporës mund të shërbejë si garanci për kredi ndërkombëtare, për investime në industri, energji dhe prodhim. Këtë nuk mund ta bëjnë individët të vetëm. Vetëm shteti mund ta strukturojë.
Projektet ekzistojnë. Kapitali ekziston. Resurset ekzistojnë
Ajo që mungon është përgjegjësia politike dhe guximi për të menduar afatgjatë.
Nëse presim që dikush tjetër të na shpëtojë, do të presim gjatë. Le ta bëjmë vetë Planin tonë Marshall. Le ta ndihmojmë veten. Vetëm atëherë do të gjendet edhe dikush tjetër që do të na ndihmojë.

Derniers articles