SHkruan: Fadil MALOKU
Për shumicën e sociologëve të sotëm perëndimor demokracia me ardhjen e Donald Trump në krye të administratës Amerikane duket shumë më e lodhur, më ndëshkuese, më vetëmashtruese, më paranojake, më e ngathët, madje edhe më joefektive, në shumicën e proceseve dhe zhvillimeve vendimmarrëse bashkëkohore. Për këta autorë, duket që mënyra demokratike e qeverisjes, në shekullin tonë më shumë është duke u “ushqyer” me lavditë dhe potencën e së kaluarës, se sa me pretendimet dhe projeksionet e së ardhmes. Kjo gjendje që është për të ardhur keq është bërë një shëmbëlltyrë e keqe apo një alter ego tejet diskutabile për shumicën e vendeve demokratike. S; këndejmi, gjithnjë e më shumë po bëhen pyetje dhe po hapen dilema e tundime, se kah po shkon kjo lloj demokracie aktuale? A po mbetet demokracia edhe me tej i vetmi sistem qeverisës, të cilën e kemi ndërtuar të cilën edhe mund ta zëvendësojmë me diçka tjetër? Dhe nëse ka mendime e gjykime, po edhe “oferta” të reja për ta zëvendësuar këtë sistem me ndonjë formë apo alternativë më ndryshe konkurruese, shtrohet pyetja (të paktën hipotetike) cilat janë ato forma apo alternativa? Sot për sot ende, në qarqet shkencore ekzistojnë më shumë se dy argumente kryesore që mund të përdorën kundër sistemit të demokracive në transicion po edhe për ato të avancuara e të kalitura me përvojat e vendeve dhe shteteve perëndimore: e para, demokracitë e transicionit, dihet tashmë botërisht në gjitha qarqet sociologjike që në fazat fillestare, në pothuajse shumicën e përvojave të shteteve post socialiste sovjetike (të udhehequra me autoritarizmin e Vladimir Putinit) më shumë ishin improvizim se sa ndonjë praktikë dhe pragmatizëm social e politik i ushtrimit të njëmendët të së drejtës së votimit dhe të drejtës për t’u votuar. E dyta, këto tipa shoqërish me faktin dhe aktin e vazhdimit të mandatit transitiv, në shumicën e shteteve postsocialiste (sovjetike, por, edhe të shoqërive të Ballkanit Perëndimor, ku gjendemi edhe ne) dëshmuan se ato de facto dhe de jure (sidomos) nuk ishin të përgatitura për t’u futur si në “konkurrencën” e ashpër ekonomike, ashtu edhe në monopolet e ngritura me shekuj më parë nga magnatët dhe kapitalistët e vjetër (alias; Korporatave Transnacionale të sotme); e treta, në demokracinë amerikane, ende shumica dërrmuese e votuesve janë pothuajse krejtësisht politikisht të paaftë për të zgjedh, pastaj, votuesi individual atje nuk ka asnjë ndikim në atë që do të ndodh me votën e tij pas zgjedhjeve. Tani, nëse analizohet demokracia aktuale amerikane, kuptojmë se shumica e veprimeve të ndërmarra nga Administrata e tanishme e Donald Trump që sigurisht në sektorë të ndryshme po shquhen dhe po identifikohen e po cilësohen nga shumica e sociologëve përveç si absurde e dramatike, edhe si të rrezikshme për vete arkitekturën shtetërore amerikane. Ka po ashtu mendime se qeveria Trump është duke u tërhequr vazhdimisht edhe nga pretendimet dhe premtimet për rritjen e prodhimit të saj ekonomik, që natyrisht do ishte një kërcënim serioz jo vetëm për Amerikën, po edhe mbarë botën. Arsyeja është, se ajo edhe ashtu gjendet në një recesion të pa parë ndonjëherë në historinë e zhvillimit të shoqërisë amerikane. Ajo çfarë është duke bërë aktualisht kjo administratë përmes reduktimit të shpenzimeve buxhetore, po kuptohet dhe po trajtohet nga ekspertizat e këtyre eminencave shkencore; si një lloj transferi makroekonomik i pa presedan i përgjegjësive të gjertanishme shtetërore në sektorin privat. Ku procesi i privatizimit té çdo gjëje dhe me çdo kusht, në një mënyrë po e manifeston detyrimisht përfshirjen e qeverisë federale në prodhimin ekonomik të vendit. Që i bie se sektori dhe monopoli i deritanishëm i shtetit po tentohet të zëvendësohet me praninë (dikush po e shquan edhe si “pronësi” e re legale!) enorme të oligarkisë së korporatave trans nacionale. Ky proces apo kjo tendencë e “privatizimit” të sektorëve dhe të infrastrukturës s shtetërore, sidomos në sferën e energjisë elektrike, shpërndarjen e ujit, menaxhimin e mbetjeve, pajisjet hapësinore, ndërtimin e anijeve tejoqanike, etj. , nga ana e ekipit të Trumpit, dosido kapitalizmin neoliberal do ta fuqizoj pa masë deri në kufijtë e vënies së monopolit absolut të sferave që deri më tani, i kontrolloheshin dhe menagjoheshin ekskluzivisht përmes institucioneve të shtetit. Dukuria apo tendenca e privatizimit të sektorëve shtetëror, mund të nënkuptohet në dy mënyra; e para, tërheqja vullnetare (një paradoks i ri në ekonominë neoliberale!) e qeverisë federale nga ideja e prodhimit ekonomik dhe e rritjes sl aftësisë mobilizuese për proceset kontraktuese. Logjikë kjo, që mund të reflektohet detyrimisht edhe në ekonomitë globale. Ngase, kjo qasje e re e “nacionalizmit” agresiv amerikan padyshim që qeverisë i garanton rolin formal të monopolit kryesor ekonomik në SHBA, mirëpo, në anën tjetër atë e privon nga e drejta e ofertuesit dhe punëdhënësit liberal që tashmë globalizimi i kishte hapur të gjitha “dyert” e botes. Në këtë kontekst kur analizohen zhvillimet proceset globale dhe sidomos ato kontinentale, ka analiza të shumta që flasin dhe rekomandojnë se tendenca e privatizimit të sektorëve shtetëror amerikan e nisur nga administrata Trump, në një të ardhme të afërt rrezikon dukshëm të gërryejë tri shtylla të “ëndrrës amerikane” (transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjësinë) dhe të përkeqësojë pabarazitë edhe ashtu evidente racore dhe ato gjinore.
II.
Pyetja milionëshe tani shtrohet, nëse ky lloj “nacionalizmi” agresiv amerikan mund të reflektojë edhe në pjesët tjera të botes. Ose me konkretisht, kur është fjala për neve shqiptareve në një cep krejt tjetër të botes, sa mund dhe sa duhet të inspirohemi nga miqtë tanë amerikan? Fillimisht duhet konstatuar, se për t’u përgjigjur në këtë dilemë (“hamletiane” do shtoja) tonën, na duhen analiza të thukëta që mjerisht nuk i kemi as nga qeveria, as nga opozita e as nga shoqëria civile. Mungesa e këtyre të dhënave dosido na handikapin, për të shkuar më tutje. Mirëpo, mund të kuptojmë se; nëse, një alamet Amerike që ka shekuj përvojë në demokraci, i kthehet sërish idesë së “nacionalizmit” agresiv populist (koncept ky me të cilin triumfoj D.Trump), vetëm e vetëm që t’i ri konsolidoj institucionet e veta demokratike, atëherë, shtrohet pyetja milionëshe, se: kush jemi ne shqiptarët, që me kaq lehtësi (e në emër të një kosmopolizmi fiktiv?!) po heqim dorë vullnetarisht nga e drejta sublime e nacionalizmit qytetar…” (F.M) Ose, kush duhet të vendos sot në Shqipëri e Kosovë për interesat vitale të shtetit dhe të kombit? Duke shikuar zhvillimet dhe proceset e Shqipërisë dhe Kosovës që natyrshëm kanë një “odisejadë” tjetër fare: historike, demografike, sociale, politike e kulturore, kureshtari pa hamendje do pyeste: analogjia që në fillim është e gabuar dhe e pa mundur! Është e qartë që një krahasim qoftë ai edhe metaforik, e nëse doni edhe ironik duket përveç i pa mundur edhe absurd. Mirëpo, ideja nuk është as te krahasimi e as te imitimi i verbët i idesë se “nacionalizmit” agresiv e populist amerikan që po mundohet ta inauguroj Donald Trump (për sa kohë nuk ka askush siguri?)por te analiza qofte ajo edhe teorike sociologjike. Në mënyrë që nga analiza e lartcekur ta mësojmë leksionin e mobilitetit të lartë social, politik e sidomos atë ekonomik e ushtarak. Ngase, si shoqëri si komb po edhe si dy shtetet ne e kemi të qartë se koncepti i “nacionalizmit” agresiv që në rastin tonë ka shanse të trajtohet si nacionalizëm ekonomik sidomos në raport me Serbinë, do të mund të ndihmonte në ri ngritjen dhe faktorizimin tonë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, një nacionalizëm ekonomik që do mund të përdorej ne rrethanat e ri konfigurimeve globale si një armë e fuqishme për ta mbajtur hapin e zhvillimit dhe procesit të integrimit afatgjatë. Synim ky mjaft diskutabil në të ardhmen, por që do të mund të shërbente edhe si një alibi mobilizues për ta shprehur e imponuar pakënaqësinë dhe papajtueshmërinë tonë lidhur me diskriminimin që është duke na u bë ende si shtet i ri, p.sh. në proceset e reja ekonomike integruese rajonale. Por, fakti që partner i vendeve dhe shteteve të vogla sikurse jemi ne dhe Shqipëria nuk duhet të jenë gjithaq korporatat e mëdha (KTN-të) të cilat nga përvoja e vendeve tjera imperativ të vetëm e kanë “blerjen” (lexo: plaçkitjen me letra !) e atyre pasurive dhe resurseve që kanë peshë nacionale, e që qëllimisht agravojne kah bankrotimi.
III.
Themi kështu edhe për shkak se, përvojat e vendeve të vogla dëshmojnë, se: korporatat e mëdha sot pa mëshirë ushtrojnë presion në qeveritë e reja të pamësuara sa duhet në ndërtimin dhe respektimin e institucioneve përgjegjëse dhe transparente demokratike, duke korruptuar kështu gjithherë persona, klane e grupe të ndryshme interesi që janë të gatshme për shërbime (lexo: edhe transaksione marramendëse!?) në marrëveshjet e arritura (natyrisht!) në dëm të vendit dhe qytetarëve. Rast për të dëshmuar apo demantuar përvojën e këtyre vendeve, ne në Kosovë më si miri i kemi me tendencat që të privatizohet gjiganti i PTK-s (në kohën kur profiti sipas ekspertëve ishte në kulm!) dhe ai i Trepçës, (që është lënë me qëllim të vijë buzë bankroti, në mënyrë si thotë populli të blihet “për një kafshatë goje”) së bashku me kompanitë tjera të përfshira në procesin e privatizimit. Një çështje tjetër e rëndësisë vitale nacionale, e që kujtojë gabimisht është duke u servuar qytetarëve dhe përgjithësisht publikut kosovar gjatë gjithë periudhës së pasluftës është edhe ai i kinse joshjeve që u bëhen këtyre korporatave (KTN-ve) përmes Projekteve të ndryshme, ku kushtet dhe qëllimet e përgjithshme afatgjata kryesisht i diktojnë jo ekspertët dhe institucionet tona, por menaxherët e këtyre korporatave, të cilëve tashmë në kushtet e proceseve globalizuese ngandonjëherë nuk u dihen as adresat e sakta të veprimit dhe menaxhimit! Gjatë gjithë periudhës së pasluftës jemi dëshmitarë të këtyre llojeve të ofertave dhe kërkesave që u përcollën herë pas herë edhe me skandale të ndryshme. Pra, a mundet nacionalizmi të shërbejë si një lloj guide për ri lokalizmin rajonit të Ballkanit? Pra, duhet kuptuar që në kushtet e rrethanave të një nacionalizmi ekonomik, nuk është e thënë që kufijtë (me cilin do shtet në rajon) të bëhen pengesë apo mjetë strategjikë i ndarjes apo edhe getoizimit të shteteve dhe vendeve, por përkundrazi një mjet i fuqishëm i përgjegjësisë së njerëzve nga cilado pjesë e kufirit për problemet që i kërcënojnë ata gjithandej, p.sh. ndotja e ambientit, resurset natyrore, etj. Sipas kësaj logjike, mendojë që rastet e kontesteve të shfaqura me kufijtë në Ballkanin Perëndimor, në një mënyrë janë raste të reja ku definitivisht u dëshmua se shtetet e reja të dala nga ish Jugosllavia në fakt kanë më shumë kanë hy obligime, se sa në të drejta ndajë qendrave të vendosjes dhe sidomos ndaj korporatave gjigante!
IV.
Një çështje tjetër që pak a shumë mendojë se është e rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë ka të bëjë perceptimin se me konceptin e nacionalizmit ekonomik, nuk duhet nënkuptuar vetëm procesin e qarkullimit të lirë të mallrave dhe njerëzve por edhe lidhjen e marrëveshjeve të atilla që dosido janë të karakterit dhe dobisë nacionale në gjitha fazat e konkurrencës (jo) lojale të tregjeve. Por, meqë, kohëve të fundit gjithnjë e me shumë po shtohen zërat për një konstatim disfatist mbi konceptin e ekonomisë neoliberale (kriza e madhe financiare), shkaku i simptomave gjithnjë e më shumë të theksuara të krizës: ekonomike, morale, e sidomos asaj që vijnë nga kërcënimi ekologjik, pastaj hendekut gjithnjë e më të madh midis të pasurve dhe të varfërve në nivel global, si edhe dëshmisë së margjinalizimit apo edhe reduktimit të rolit institucionit të shtetit përmes sovranitetit, etj., është e kuptueshme që të shtohen zërat edhe për një përgjigje e masa efektive që duhet shtetet të marrin për të menaxhuar situatat dhe krizat kudo që ato të paraqitën në botë. Bartës të këtyre ideve për ruajtjen e rolit te shtetit, padyshim që është nacionalizmi i fjetur etnik (mjerisht jo edhe ai akoma ekonomik) në vendet e tranzicionit (vendet e Ballkanit Perëndimor), të cilat duke vështruar përvojat e hidhura të vendeve në zhvillim (Greqisë, Spanjës, Portugalisë) po hamenden shumë në instalimin e modeleve dhe përvojave menaxhuese mbi vendet e tyre. Por, elementi kyç që me sa duket po u mungon këtyre vendeve është padyshim ai i vetëdijesimit politik i qytetarëve për rolin e rëndësishëm dhe perspektiven imanente që duhet ta ushtrojë edhe më tej mekanizmi i shtetit. Në fakt, nacionalizmi ekonomik po hetohet dhe kuptohet gjithnjë e me shume si një lloj guide për ri lokalizmin e botës globale e cila edhe më tej do mbes me tendenca globale e globalizuese. Kur jemi tek koncepti i ri lokalizimit, duhet cekur që shumica e sociologeve të sotëm janë të pajtimit se me instalimin e tij në jetën publike mundësit e vënies nën kontroll të sjelljeve deviante dhe deformiteteve tjera përcjellëse politike do të jenë shume të koordinuara dhe me fleksibile nënkuptimin e identifikimit, reduktimit dhe të mënjanimit menjëhershëm.
V.
Kush duhet ta ushtroj monopolin mbi shtetet shqiptare? Botërisht është e ditur që koncepti apo doktrina nacionaliste, mbështetet ekskluzivisht në parimin e pavarësisë së popullit të vetë jo vetëm nga popujt tjerë, por edhe nga vetë sovrani, pra sundimtari që qeverisë qoftë me votën e qytetarit (në demokraci) apo me “të drejtën e votës” së trashëgimisë (në monarki). Të parët që e definuan ideologjinë nacionaliste si ”sovranitet të tërësishëm të popullit” ndajë sundimtarit ishin jakobinët të cilët shtetin dhe pushtetin e identifikonin me nocionin e popullit. Por, nëse i adresohemi kuptimit bashkëkohor të këtij termi, kuptojmë se nacionalistët e globalizmit në fakt më shumë i japin rëndësi çështjes së rendit të drejtë shoqërorë i cili dosido duhet të shkojë në favor para së gjithash: individit, familjes, pra edhe shtetit se sa çështjes së lirisë apo barazisë qoftë ajo sociale apo politike. Nga ky këndvështrim koncepti i nacionalizmit duket që është në një konflikt të ngrirë me demokracisë edhe për shkak se të parët mendojnë që liria e individit duhet të limitohet apo kufizohet (në disa raste edhe të viktimizohet?!) për hir të lirisë dhe interesit të përgjithshëm. Gjithashtu gjykojë, se nëse u adresohemi përvojave të gjertanishme të vendeve dhe shteteve që më xhelozi dhe afsh të paparë e kultivuan këtë koncept dhe këtë doktrinë, kuptojmë se është evident një disfavor i theksuar i tezës së mësipërme. Gjermanët p.sh. në periudhën e qeverisjes së Bismarkut, ishin të parët që praktikuan nacionalizmin ekonomik me vendet dhe shtetet për rreth, pastaj Italia dhe Spanja gjithashtu në fillim te shek. XX bënë të njëjtën gjë, por edhe Evropa perëndimore, e sidomos Japonia pas luftës së dyte botërore. Ndërsa, sot me fanatizëm dhe xhelozi ende të paparë po e praktikojnë sidomos Kinezët, të njohur edhe si kërcënuesit apo konkurrentet kryesor për lidership në botën e sundimit neoliberal, gjithashtu nuk janë larg as bie fjala shtetet tjera, siç janë: Venezuela, Koreja e Jugut, Tajvani, Malezia, Singapori , Rusia e Putinit, etj. Shumicës së njerëzve, ne vendet e tranzicionit ngandonjëherë u duket edhe kthim prapa apo edhe ide e demoduar, çështja e mbijetimit apo eventualisht edhe rikthimit kah nacionalizmi ekonomik, në kohën kur doktrina tjetër neoliberale po bënë kërdi pothuajse në shumicën e vendeve të botës, edhe për faktin se: idetë e lirisë së qarkullimit, tregtisë, …duken shumë më shumë joshëse se sa ato të kujdestarit të shtetit për të fuqizuar ekonomitë e vendit. Duket që tani për tani, ndjenja dhe interesi individual, platformë kjo e neoliberalëve (që në truallin e Shqipërisë dhe Kosovës mbahen herë si djathtist e herë si qendër liberale) tash për tash po na del si më e fuqishme se sa ndjenja kolektive e nacionalisteve bashkëkohor ekonomik. Por duke analizuar në faza afatgjata problemet që edhe sot janë evidente në ekonomit botërore, ku gjithnjë e më shumë po shtohen diferencat sociale (shkalla e varfërisë asnjëherë s’ka qenë më enorme?!), e sidomos ato ekonomike, mendojë që ky dominim nuk do të jetë edhe gjithaq i gjatë dhe pa pasoja: si të natyrës politike, ekonomike, sociale, e mbi të gjitha edhe sosh kulturore! Gjerë atëherë trojet shqiptare ka gjasa se do mbesim për një kohë nën mëshirën dhe trysninë sistematike ekonomike të Korporatave Trans nacionale, të cilat me ardhjen e Donald Trump në pushtet aq shumë janë trimëruar e fuqizuar sa që fitohet përshtypja se përveç Amerikës flakadani i “korporatizimit” (lexo; i “privatizimit”) ka shumë gjasa që mund t’i përfshij si vendet ashtu edhe kombet tjera cep me cep. Projeksion ky që de facto dhe de jure do e bëjë evident vënien e themeleve të një rindarje të re planetare, apo të një “globalizimi” të ri korporativ…