Forcat e sigurisë në Mianmar hapën zjarr ndaj protestuesve të dielën, ndërsa demonstratat kundër sundimit ushtarak në vend hyjnë në javën e dytë. Nuk ka konfirmime rreth numrit të vrarëve dhe asnjë koment nga qeveria e atij vendi.
Ushtria u dislokua tek një protestë pranë një centrali elektrik në veri të shtetit Kachin të dielën. Pamjet filmike nga protesta tregojnë ushtrinë ndërsa qëllon me armë zjarri ndaj turmës për t’i shpërndarë. Nuk është e qartë nëse plumbat ishin prej gome apo municion ushtarak.
Ambasada amerikane në Yangon paralajmëroi mbi mundësinë e ndërprerjes së internetit gjatë orëve të natës. Protestat vijnë pasi junta ushtarake vazhdon të shtrëngojë kontrollin e pushtetit pas rrëzimit të udhëheqëses de fakto Aung San Suu Kyi më shumë se një javë më parë.
Kyaw Tint Swe, një nga këshilltarët më të afërt të saj, ishte mes një numri të vogël të anëtarëve të partisë Lidhja Kombëtare për Demokracinë që u arrestuan nga forcat e sigurisë gjatë orëve të vona të natës.
Njoftohet gjithashtu se edhe udhëheqja e komisionit elektoral të Mianmarit është ndaluar. Komisioni pati hedhur poshtë pretendimet e ushtrisë për manipulime të gjera në zgjedhje, të cilat u fituan thellësisht nga partia e zonjës Aung San Suu Kyi./VOA