22.2 C
Berne
jeudi 18/07/2024

Bruksel, IFJ: Shënohet rritje e ndjeshme e numrit të gazetarëve të vrarë

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka thënë se 94 gazetarë dhe punonjës të mediave, në mesin e të cilëve 9 gra, janë vrarë gjatë vitit 2023, që përbën një rritje prej 67 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe vë në pah nevojën për “një standard të ri global” për mbrojtjen e mediave.

Nëpërmjet një raporti të publikuar më 8 dhjetor, IFJ-ja ka thënë se pothuajse 400 punonjës të mediave janë burgosur më 2023, dhe kjo, sipas saj, shfaq nevojën për mbrojtje më të mirë të gazetarëve në mbarë globin.

“IFJ ngulmon se nevojitet veprim shumë më i madh nga komuniteti ndërkombëtar për mbrojtjen e jetës së gazetarëve dhe për vënien e sulmuesve të tyre para drejtësisë”, thuhet në raport.

Sipas raportit, lufta në Rripin e Gazës, e cila filloi në tetor, ka shkaktuar rritjen e ndjeshme të vdekjeve, teksa 68 gazetarë – më shumë se një në ditë – janë vrarë që kur shpërthyen luftimet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Të dhënat e IFJ-së kanë treguar se gjithsej 68 gazetarë kanë vdekur duke mbuluar luftën.

“Lufta në Gazë është më vdekjeprurësja për gazetarët sesa çfarëdo konflikti tjetër, që kur IFJ-ja ka nisur të regjistrojë vrasjet e gazetarëve në detyrë, në vitin 1990”, thekson raporti, i cili shton se vdekjet kanë ndodhur “në një shkallë dhe ritëm të paprecedent”.

“Komuniteti ndërkombëtar, në veçanti Gjykata Ndërkombëtare Penale, duhet t’i kryejë përgjegjësitë e tij dhe të kryejë hetime gjithëpërfshirëse, dhe të ndjekë penalisht ata që kanë urdhëruar dhe kryer sulmet ndaj gazetarëve”, thuhet në raportin e IFJ-së.

Në Evropë, IFJ-ja ka thënë se Ukraina mbetet “vend i rrezikshëm për gazetarët”, teksa atje, gjatë vitit 2023, në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, janë vrarë gazetarë ukrainas, rusë e francezë./REL

Derniers articles