18 C
Berne
mercredi 29/04/2026

Kryetari i KMSHZ Mehas Alija: Mërgimatret shqiptarë investojnë aty ku te duan, se paratë e tyre i kane fituar me djersë…Veq ishalla jo n’haram, në punë të zeza!

Epiqendra sjell ekskluzivisht për lexuesit e saj një intervistë speciale të realizuar me kryetarin e Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër – KMSHZ, Hfz. Mehas Alija, ku janë trajtuar tema me interes publik për çështjet e mërgatës shqiptare në Zvicër, si: shkalla e integrimit të brezave që kanë migruar në Zvicër; pjesëmarrja e KMSHZ-së në Samitin e Diasporës në Tiranë; bashkëpunimi dhe partneriteti i KMSHZ-së me institucionet tjera brenda dhe jashtë Zvicrës; iniciativa dhe kundërshtimi i xhamisë së projektuar në St. Gallen; kontributi i mërgatës shqiptare në planin kombëtar, edukativ, humanitar e financiar dhe roli edukativ e integrues i xhamive shqiptare; roli i Fondacionit Vildana me seli në Zvicër në mbështetjen e studentëve të talentuar shqiptarë me bursa; potenciali i KMSHZ-së në trajtimin e radikalizmit dhe ekstremizmit fetar; dallimi i raportimit të mediave zvicerane nga ato shqiptare mbi çështjet fetare të komunitetit në Zvicër; struktura profesionale dhe demografike e besimtarëve që frekuentojnë xhamitë e Zvicrës etj.

Intervistoi: Labinot Kunushevci

Epiqendra: Si e shpjegoni shkallën e integrimit të shqiptarëve muslimanë në Zvicër? Ku qëndrojnë dallimet ndërmjet gjeneratave në kontekstin e integrimit?

Mehas Alija: Shkalla e integrimit të shqiptarëve muslimanë në Zvicër mund të konsiderohet përgjithësisht e avancuar, por jo e njëtrajtshme. Ka përparime të dukshme në arsim, në tregun e punës dhe në pjesëmarrjen në jetën publike, ndërkohë që komuniteti ka arritur të ruajë identitetin e vet kulturor dhe fetar, falë organizimit të komunitetit dhe të rolit të institucioneve fetare. Megjithatë, vazhdon të ketë sfida si stereotipet, paragjykimet, diskriminimi dhe dallimet në shoqëri, që tregojnë se integrimi nuk është vetëm çështje e përpjekjes së komunitetit, por edhe e pranimit nga shoqëria pritëse. Sa i përket dallimeve ndërmjet gjeneratave, sigurisht që ekzistojnë ato. Gjenerata e parë ka pasur më shumë një qasje të përkohshme ndaj qëndrimit në Zvicër dhe një lidhje më të fortë me vendlindjen, ndërsa gjeneratat e dyta dhe të treta e shohin Zvicrën si vendin e tyre të jetës dhe zhvillimit. Këto gjenerata janë më të integruara për shkak të shkollimit vendas, njohjes së gjuhës dhe ndërveprimit më të natyrshëm me institucionet, duke reflektuar një integrim më të etabluar dhe më të qëndrueshëm.

Epiqendra: Ju sapo jeni kthyer nga Samiti i Diasporës në Tiranë ku keni marrë pjesë. Cili ishte zëri dhe paraqitja e muslimanëve në këtë samit dhe sa janë të përfaqësuar muslimanët në organizime të tilla me peshë nacionale?

Mehas Alija: Për ne si KMSHZ, pjesëmarrja në këtë samit ka një rëndësi të veçantë, pasi ishte hera e parë që jemi pjesë e një formati të tillë ndërkombëtar. E vlerësojmë këtë si një hap pozitiv, që dëshmon njohjen e rolit dhe peshës së komunitetit tonë, si dhe krijon hapësirë për të kontribuar me ide, përvoja dhe vlera që burojnë nga realiteti ynë në Zvicër, por që lidhen ngushtë edhe me diasporën dhe me Shqipërinë në veçanti. Përfaqësimi i muslimanëve ka qenë kryesisht institucional, përmes aktiviteteve si “Mëngjesi i vëllazërimit” dhe takimeve me përfaqësues të institucioneve fetare. Gjithashtu, pati edhe një panel të veçantë me komunitetet fetare të diasporës, ku edhe ne ishim pjesë e tij, me çrast u dha mundësi dhe hapësirë konkrete për dialog dhe kontribut. Në tërësi, pjesëmarrja jonë ishte një mundësi e mirë për të forcuar bashkëpunimin dhe për të promovuar vlerat dhe përvojën tonë të dialogut dhe të bashkëjetesës në diasporë.

Epiqendra: Cili është roli i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër në ruajtjen e identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar? Cilat janë aktivitetet kryesore që e karakterizojnë komunitetin të cilin e përfaqësoni ju?

Mehas Alija: Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër luan një rol të trefishtë: ruan dhe zhvillon identitetin fetar islam, kontribuon në mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës dhe lidhjes kombëtare shqiptare në diasporë, si dhe luan një rol në procesin e integrimit të komunitetit në shoqërinë zvicerane. Në këtë kuptim, ai funksionon si një strukturë qendrore që organizon jetën fetare dhe njëkohësisht forcon ndjenjën e përkatësisë dhe të pjesëmarrjes aktive në shoqëri për brezat shqiptarë në Zvicër.

Aktivitetet kryesore të komunitetit lidhen me organizimin e jetës fetare përmes xhamive dhe koordinimit të tyre, si dhe me aktivitete të tjera të jetës shoqërore, sociale dhe fetare, si shembull organizimi i aktiviteteve fetare, mësim-besimit, ceremonive sociale, përkujdesjes shpirtërore në spitale, ushtri dhe universitete, si dhe tubime të tjera tradicionale me karakter kombëtar dhe fetar që bashkojnë komunitetin tonë. Po ashtu, një pjesë e rëndësishme e punës është edhe në fushën edukative dhe kulturore, përmes ligjëratave, botimeve dhe nismave që lidhen me gjuhën shqipe dhe edukimin fetar. Në tërësi, KMSHZ vepron si një urë mes fesë, kulturës, identitetit kombëtar dhe integrimit shoqëror, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe zhvillimin e tyre në kontekstin e diasporës në Zvicër.

Epiqendra: Me cilat organizata apo institucione bashkëpunon KMSHZ-ja dhe në çfarë forme e zhvilloni partneritetin profesional brenda dhe jashtë Zvicrës?

Mehas Alija: KMSHZ-ja bashkëpunon me një sërë organizatash dhe institucionesh brenda dhe jashtë Zvicrës, me synim avancimin e dialogut fetar, integrimit dhe ruajtjes së identitetit shqiptar. Brenda Zvicrës, bashkëpunimi zhvillohet me organizata islame me qasje të ngjashme, me komunitete të tjera fetare, si dhe me autoritete dhe organizata shtetërore. Në këtë kuadër, KMSHZ bashkëpunon edhe me organizata kantonale, respektivisht me Federatën e Organizatave Islame të Zvicrës – FIDS dhe me Qendrën Zvicerane për Islam dhe Shoqëri, – SZIG, duke forcuar koordinimin institucional në nivel vendi. Ndërsa, jashtë Zvicrës, bashkëpunimi shtrihet me bashkësitë islame dhe me institucione fetare e kulturore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, përmes takimeve, simpoziumeve dhe projekteve të përbashkëta. Po ashtu, aktivitete dhe bashkëpunim të ngushtë kemi edhe me përfaqësitë diplomatike të diasporës shqiptare në Zvicër. Pra, format apo partneriteti ynë zhvillohet kryesisht përmes kuvendeve, takimeve institucionale dhe aktiviteteve të përbashkëta, duke krijuar një rrjet bashkëpunimi në funksion të edukimit, integrimit dhe përfaqësimit të komunitetit.

Epiqendra: Cila është e vërteta rreth iniciativës dhe kundërshtimeve mbi ndërtimin e xhamisë në St. Gallen e cila u bë sensacion këto ditë?

Mehas Alija: Iniciativa për ndërtimin e xhamisë së re në St. Gallen nga Bashkësia Islame “El-Hidaje”, është një projekt që ndodhet ende në fazë planifikimi dhe synon krijimin e një qendre moderne fetare dhe kulturore për besimtarët muslimanë, ku kryesisht janë shqiptarë.

Projekti parashikon një hapësirë funksionale për namaze dhe aktivitete fetare, por edhe ambiente të hapura për dialog dhe bashkëjetesë.  Sa i përket debatit publik dhe kundërshtimeve, ato lidhen kryesisht me përmasën e projektit, mënyrën e financimit dhe ndjeshmëritë që ekzistojnë në Zvicër rreth ndërtimit të xhamive. Këto janë pjesë e një diskutimi demokratik, të cilin ne e respektojmë dhe e marrim seriozisht, duke e konsideruar të rëndësishme që ai të bazohet në fakte dhe transparencë. Në fakt, ky projekt shihet nga komuniteti si një zhvillim i natyrshëm i një bashkësie që prej dekadash është pjesë e shoqërisë së St. Gallenit dhe që synon të kontribuojë, jo vetëm në jetën fetare, por edhe në integrimin dhe bashkëjetesën shoqërore.

Epiqendra: Një nga akuzat drejtuar mërgatës shqiptare në Zvicër thotë se mërgimtarët janë të obsesionuar pas xhamive dhe ata japin para vetëm për ndërtimin e xhamive, ndërsa nuk investojnë në edukim apo në çështje kombëtare. Si i përgjigjeni kësaj akuze?

Mehas Alija: Kjo akuzë është një stereotip i padrejtë që nuk pasqyron realitetin e mërgatës shqiptare në Zvicër. Në fakt, diaspora shqiptare ka investuar për dekada jo vetëm në çështje fetare, por në mënyrë shumë të gjerë në edukim dhe çështje kombëtare. Janë hapur mbi 100 shkolla shqipe në Zvicër, janë dhënë mijëra bursa për nxënës dhe studentë në vendlindje, si dhe janë mbështetur projekte në arsim, shëndetësi dhe zhvillim. Po ashtu, në kohë të vështira, si gjatë krizës së Kosovës, diaspora ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm humanitar dhe financiar. Sa i përket xhamive, ato nuk janë “obsesion”, por nevojë praktike dhe institucionale. Ato shpesh funksionojnë edhe si qendra edukimi, ku mësohet gjuha shqipe, kultura dhe identiteti kombëtar, si dhe ofrohen aktivitete integruese dhe sociale për komunitetin. Në këtë kuptim, ato janë ndihmesë e madhe dhe plotësojnë investimet në arsim dhe fusha të tjera. Prandaj, realiteti është se mërgata shqiptare investon në mënyrë të balancuar në fe, edukim, kulturë dhe integrim. Për fat të keq ka nga ata që këtë realitet nuk e shohin ose nuk duan ta shohin.

Epiqendra: Fondacioni VILDANA me seli në Zvicër deri tani ka dhuruar mbi 50 bursa për studentët e talentuar shqiptarë në vendlindje duke investuar në edukim. Si e vlerësoni këtë projekt të mërgatës shqiptare dhe çfarë shembulli tregojnë fondacionet apo projektet si kjo?

Mehas Alija: Ky është një rast tipik që dëshmon se diaspora nuk kontribuon vetëm në një drejtim, por investon në mënyrë të vazhdueshme në edukim dhe në të ardhmen e vendit përmes mbështetjes së studentëve dhe ne e vlerësojmë shumë këtë. Fondacioni “VILDANA” është një shembull i mirë i angazhimit të mërgatës shqiptare në Zvicër për edukimin e brezave të rinj në vendlindje dhe kjo tregon një qasje të strukturuar dhe afatgjate në mbështetjen e arsimit dhe edukimit të brezave.

Epiqendra: Cili është potenciali i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër në trajtimin e radikalizmit dhe ekstremizmit fetar?

Mehas Alija: KMSHZ-ja ka një potencial të madh në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit fetar, falë strukturës së saj të konsoliduar dhe traditës që karakterizon shqiptarët muslimanë. Me një rrjet prej rreth 80 xhamish në Zvicër, komuniteti përfaqëson një kanal të rëndësishëm për transmetimin e mesazheve të paqes, integrimit dhe distancimit nga çdo formë ekstremizmi. Imamët dhe strukturat tona luajnë rol kyç përmes edukimit fetar dhe përmes programeve për të rinjtë që ndërthurin identitetin shqiptar me vlerat e shoqërisë zvicerane. Ne si komunitet jemi të hapur për debat të ndershëm dhe kritikë konstruktive, dhe të gjitha xhamitë tona janë të hapura për publikun. Që nga Karta e vitit 2017, kemi theksuar qartë përkushtimin ndaj rendit juridik zviceran, barazisë dhe bashkëjetesës paqësore. Kjo e bënë KMSHZ-në një aktor të hapur, integrues dhe kontribues në shoqërinë zvicerane. Në mënyrë permanente kemi ndërmarrë iniciativa dhe trajnime specifike për imamët e rinjë të ardhur në Zvicër, si dhe fushata ndërgjegjësimi në xhami për të rinjtë.

Epiqendra: Ku qëndron dallimi në raportimin mbi komunitetin musliman në Zvicër në mediat zvicerane dhe ato shqiptare? Sa i respektojnë standardet etike dhe profesionale dhe sa jeni të kënaqur me bashkëpunimin tuaj me to?

Mehas Alija: Dallimi në raportim mes mediumeve zvicerane dhe atyre shqiptare qëndron kryesisht te këndi i trajtimit dhe te prioritetet editoriale. Mediat zvicerane fokusohen më shumë te temat që lidhen me shqetësimet publike, siç është ndërtimi i xhamive të reja, çështjet e financimit, integrimi apo siguria. Në disa raste, për të nxitur debat, përdoret edhe një gjuhë më e theksuar apo sensacionaliste. Ndërkohë, mediumet shqiptare apo albanofone në Zvicër priren të mbrojnë më shumë imazhin e komunitetit, duke ofruar sqarime, kontekst dhe duke theksuar rolin pozitiv të besimtarëve në shoqërinë zvicerane. Sa i përket bashkëpunimit, kemi pasur një raport korrekt me mediat zvicerane, por jo gjithmonë të kënaqshëm, sidomos në rastet kur raportimi ka qenë selektiv apo i ndikuar nga stereotipe. Megjithatë, ato në përgjithësi i respektojnë standardet profesionale dhe janë të hapura për korrigjime dhe reagime. Me mediat albanofone në Zvicër bashkëpunimi ka qenë i mirë dhe konstruktiv, duke na mundësuar që qëndrimet tona të përcillen më qartë dhe pa ndërhyrje.

Ndërsa te mediumet shqiptare në vendlindje, fatkeqësisht shpesh hasim mungesë profesionalizmi, sensacionalizëm dhe fokus në përfitime përmes klikimeve. Kjo u pa edhe në rastin e raportimeve për iniciativën tonë për xhaminë e re në St. Gallen, ku pati keqinformime dhe ngatërrim të fakteve, përfshirë edhe përdorimin e fotografive të pasakta. Një situatë e tillë nuk është vërejtur në mediat zvicerane, çka tregon një dallim të qartë në standardet e verifikimit dhe raportimit.

Epiqendra: Cila është struktura profesionale dhe demografike e besimtarëve që frekuentojnë xhamitë, organizatat fetare apo qendrat islame në Zvicër?

Mehas Alija: Struktura e besimtarëve që frekuentojnë xhamitë dhe qendrat islame shqiptare në Zvicër pasqyron në masë të madhe vetë përbërjen e diasporës sonë.

Në aspektin demografik, shumica e besimtarëve janë të moshës 30–55 vjeç, pra brezi aktiv në punë dhe në jetë familjare. Vërehet gjithashtu një rritje e pjesëmarrjes së të rinjve, sidomos në aktivitete edukative dhe rinore. Sa i përket prejardhjes, pjesa dërrmuese janë emigrantë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Shqipëria, me një numër më të vogël të konvertuarish dhe të nacionaliteteve të tjera nga Ballkani dhe bota islame.

Në aspektin profesional, komuniteti karakterizohet nga një larmi e theksuar. Një pjesë e madhe është e angazhuar në sektorë praktikë si ndërtimi, transporti dhe shërbimet, që tradicionalisht kanë qenë fusha punësimi për emigrantët. Krahas tyre, ka edhe shumë individë të punësuar në tregti, gastronomi dhe profesione zanati. Ndërkohë, po rritet vazhdimisht prania e profesionistëve – si mjekë, inxhinierë, mësues dhe sipërmarrës – veçanërisht nga brezi i dytë dhe i tretë. Po ashtu, një pjesë e komunitetit përbëhet nga pensionistë apo persona jashtë tregut të punës. Kjo përbërje tregon një komunitet të qëndrueshëm dhe në zhvillim, ku xhamitë nuk janë vetëm vende adhurimi, por edhe hapësira sociale që lidhin breza dhe profesione të ndryshme, duke forcuar solidaritetin dhe perspektivën afatgjatë të komunitetit musliman shqiptar këtu në Zvicër.

Epiqendra: Cilat janë problemet apo sfidat kryesore që i preokupojnë mërgimtarët shqiptarë në Zvicër?

Mehas Alija: Mërgimtarët shqiptarë në Zvicër përballen me sfida që lidhen si me jetën e përditshme, ashtu edhe me pozitën e tyre në shoqëri. Ndër më kryesoret janë vështirësitë në tregun e punës dhe në sistemin e shkollimit, ku shpesh hasen edhe forma të racizmit. Këtyre u shtohen edhe paragjykimet në shoqëri, sidomos mbi baza fetare. Në planin afatgjatë, sfida kryesore mbetet integrimi i qëndrueshëm i brezave të rinj, si dhe ruajtja e identitetit kulturor dhe gjuhësor, duke qenë njëkohësisht pjesë aktive dhe e barabartë e shoqërisë zvicerane. Kjo shpesh shoqërohet me përballje me paragjykime, pavarësisht nivelit të lartë të arsimimit dhe integrimit. Këto sfida reflektohen edhe në jetën e xhemateve dhe në punën e imamëve. Ata përballen me nevojën për të balancuar rolin fetar me atë social dhe edukativ, duke adresuar çështje të integrimit, edukimit të të rinjve dhe ruajtjes së identitetit. Në të njëjtën kohë, xhamitë shpesh atakohen dhe stigmatizohen nga qarqe politike të ekstremit të djathtë, duke injoruar rolin e xhamive si qendra mbështetëse për komunitetin dhe shoqërinë, e që, pa dyshim, janë edhe ura lidhëse mes mërgimtarëve dhe institucioneve të vendit.

Në thelb, ajo që i preokupon më së shumti mërgimtarët është qëndrueshmëria identitare dhe e ardhmja e familjes krahas një realiteti gjithnjë e më sfidues.

Ju faleminderit dhe ju uroj gjithë të mirat!

/EPIQENDRA.COM/

Derniers articles