18.8 C
Berne
jeudi 20/08/2026

Gjeneva u blinduar nga vizita e presidentit te SHBA-ve, vëllezrit Elezi nga Kosova jepnin kafe dhe akullore flas gazetarëve amarikan: Thank you, USA!

Gjenevë -Vëllezërit Elezi nga Zhegra e Gjilanit që mikpritën gazetarët amerikanë gjatë samitit Biden–Putin në Gjenevë: “Ata ishin me ne kur Kosova kishte më së shumti nevojë”

Gjenevë – Për 48 orë, Gjeneva u shndërrua në një nga qytetet më të sigurta dhe më të kontrolluara të botës. Mijëra policë dhe forca të sigurisë zvicerane u angazhuan për të garantuar mbarëvajtjen e samitit historik ku pritej takimi i presidentit amerikan Joe Biden me presidentin rus Vladimir Putin.

Në zonën përreth Villa La Grange, ku zhvillohej takimi i dy liderëve të superfuqive, jeta normale pothuajse u ndal. Dyqane, restorante dhe lokale u mbyllën për arsye sigurie.

Por kishte një përjashtim.

Një restorant shqiptar nga Kosova vazhdoi të qëndronte i hapur.

Bëhej fjalë për “La Rotonde de Baby-Plage”, restorantin buzë liqenit të Gjenevës, në pronësi të vëllezërve Sabit, Shaban dhe Mexhit Elezi, me origjinë nga Zhegra e Gjilanit.

Restoranti ndodhej në një nga pikat më të frekuentuara të zonës së samitit dhe, për shkak të besueshmërisë së krijuar ndër vite, autoritetet zvicerane dhe ato të Gjenevës lejuan që ai të vazhdonte aktivitetin gjatë ditëve të samitit.

Dhe ajo që ndodhi aty ishte një histori më vete.

Mijëra njerëz kaluan pranë restorantit shqiptar

Pranë “La Rotonde de Baby-Plage” kaluan gjatë atyre ditëve delegacione të shumta ndërkombëtare, funksionarë të lartë, diplomatë, pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë, shërbime të sigurisë dhe gazetarë nga e gjithë bota.

Në mesin e tyre ishin edhe qindra gazetarë amerikanë që kishin ardhur në Gjenevë për të raportuar mbi takimin Biden–Putin.

Vëllezërit Elezi mezi gjenin kohë të merrnin frymë.

Restoranti, me më shumë se 100 vende, ishte i mbushur deri në kapacitet. Në ditët e nxehta të samitit, klientët prisnin në radhë për ushqim dhe pije, ndërsa stafi punonte pa pushim.

Pikërisht për këtë arsye, bisedën me pronarët e restorantit e zhvilluam vetëm pas përfundimit të samitit.

Gazetarët amerikanë nuk paguanin

Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte një gjest që nuk pritej në një restorant të mbushur plot.

Gazetarët amerikanë hanin dhe pinin pa paguar.

Për vëllezërit Elezi, kjo nuk ishte humbje ekonomike. Ishte një mënyrë për të shprehur mirënjohje.

Mexhit Elezi, në një prononcim për LeCanton27.ch, e shpjegoi thjesht:

“Tamam puna edhe gazetarët amerikanë të paguajnë? Ata kanë bërë shumë për Kosovën dhe shqiptarët.”

Ai kujtonte vitet e luftës, kur gazetarët amerikanë shkonin në terren, në male e fusha, në dimër e në verë, në mesin e refugjatëve shqiptarë në Kosovë, në Stankovec dhe në zonat e luftës, për të raportuar për atë që po ndodhte.

“Ata ishin në mesin e refugjatëve dhe në frontet e luftës bashkë me UÇK-në, për të raportuar nga vendi i ngjarjes dhe për t’i treguar botës të vërtetën për Kosovën. Për të treguar se çfarë krimesh dhe masakrash po kryheshin ndaj shqiptarëve. Dhe tash, dorën në zemër, si mund t’u thuash këtyre kolegëve amerikanë: paguani? Në kohët më të vështira ata ishin pranë nesh.”

Ishte pikërisht kjo arsyeja pse gazetarët amerikanë u befasuan.

Njëri prej tyre, Robert W., duke falënderuar familjen Elezi për mikpritjen, shërbimin dhe ushqimin e ofruar pa pagesë, tha se gjesti i tyre i kishte lënë pa fjalë.

Sipas tij, mikpritja e vëllezërve Elezi u dha atyre edhe një mundësi për të kuptuar më mirë një dimension tjetër të shqiptarëve.

“Tani e kuptojmë edhe më mirë kush janë shqiptarët”

Gazetari amerikan, në prononcimin për LeCanton27.ch, vlerësoi veçanërisht faktin se mikpritja nuk ishte thjesht një shërbim falas, por një gjest mirënjohjeje për punën që gazetarët kishin bërë gjatë luftës.

Ai shprehu vlerësimin për shqiptarët dhe për mikpritjen që morën në Gjenevë.

Dhe në këtë histori ka një simbolikë të veçantë:

Disa nga gazetarët që kishin raportuar nga Kosova gjatë luftës, dy dekada më vonë, u gjendën sërish përballë shqiptarëve – këtë herë jo në mes të luftës, por në një nga qytetet më të rëndësishme diplomatike të botës.

Një traditë që nuk filloi me samitin

Gjesti i vëllezërve Elezi nuk ishte i pari.

Familja Elezi nga Zhegra e Gjilanit ka qenë e angazhuar në forma të ndryshme solidariteti me shqiptarët edhe para luftës, gjatë luftës dhe pas çlirimit të Kosovës.

Sipas dëshmive të tyre, ata kanë ndihmuar familje në nevojë, fëmijë jetimë dhe familje të ish-luftëtarëve të UÇK-së, duke kontribuar me ushqime, veshmbathje dhe ndihma të tjera.

Për ta, solidariteti nuk ishte një slogan.

Ishte një mënyrë jetese.

Derniers articles