17 C
Berne
vendredi 17/04/2026

Fondacioni VILDANA shënon 5 vjetorin e themelimit dhe investimit me bursa për studentët shqiptarë. Mbi 50 bursakane dhruar deri tash studentëve

Fondacioni VILDANA, me seli në Zvicër, projekt i mërgatës shqiptare për mbështetjen e studentëve shqiptarë me bursa akademike, shënon 5 vjetorin e themelimit, duke u bërë kështu një nga fondacionet më elitare dhe më të suksesshme, ku dashuria për vendlindje kthehet në investim të qëndrueshëm në edukimin e talenteve, me mbi 50 bursa të dhuruara deri tani për top studentët më premtues që sot po shkëlqejnë duke kontribuar për vendin e tyre në fusha dhe profesione të ndryshme.

Kur Fondacioni VILDANA u themelua më 18 janar 2021, ideja ishte e qartë: “Asnjë student i talentuar nuk duhet të ndalojë rrugëtimin e tij akademik për shkak të vështirësive financiare.” Sot, pesë vite më vonë, kjo ide është kthyer në realitet për shumë studentë.

Por si erdhi ideja e themelimit të fondacionit, flet për Epiqendra një nga themeluesit dhe donatorët kryesorë, Urim Zeqiri, me prejardhje nga Gjilani i cili jeton e punon në Zvicër, duke thënë: Kontakti rreth 27 vite më parë me një organizatë humanitare që quhej World Vision ishte shkëndia që u ndezë në mua për të dhuruar për ata që janë më në nevojë. Pastaj kështu ka vazhduar për vite me radhë derisa kam kontaktuar edhe shoqata të ndryshme shqiptare. Ndjesia për t’u kyçur me një nismë të tillë u shtua vitet e fundit para se të formohej Fondacioni Vildana. Me rastin e humbjes së jetës së Vildanes e që ishte gruaja e nipit im, Shkëlzenit, në biseda me të shfaqa dëshirën time për të bër diç të ngjashme por tanimë me një fondacion duke i ndihmuar studentët pasi për mua rëndësi të madhe kishte t’i ndihmonim ata që në një të ardhme do të jenë njerëz të vyer e të pavarur që do ndihmojnë të tjerët përmes punës së tyre në profesione të ndryshme. Meqë edhe Shkëlzeni mendonte diç të ngjashme, u dakorduam dhe lindi ideja e formimit të Fondacionit Vildana. Pastaj kontaktuam mikun tim, prof. Labinot Kunushevci nga Prishtina, për të administruar dhe ndihmuar në lidhjen mes studentëve dhe neve. Tani e kuptoj që Fondacioni Vildana është pikërisht ajo që në ndërdijen time kisha bartur ndërvite.

Ky fondacion është ndërtuar nga themeluesit: Urim Zeqiri, Driton Thaqi, Shpend Thaqi, Shkelzen Krasniqi, Irfan Biqkaj, Naser Bunjaku, Liman Bushi, Nusret Dullovi, Agron Dullovi, Brahim Kadolli, Tefik Kajtazi, Ragip Krasniqi, Besim Latifi, Remzi Muharemi, Lulzim Robeli, Mendu Rogaqi, Merdzan Sejdiji, Jeton Thaqi, Naim Thaqi, Albion Usejni, Blerim Zeqiri dhe Labinot Kunushevci.

Vildana, një grua shqiptare e denjë, me prejardhje nga Kosova, e cila ndërroi jetë më 15 tetor 2018, mbetet frymëzimi i vizionit të Fondacionit VILDANA, një emër, shpirt dhe karakter human, një personalitet fisnik, familja dhe miqtë e së cilës përmes këtij fondacioni po e zhvillojnë trashëgiminë e saj, dëshirën e saj për një shoqëri të suksesshme, pasi sa ishte gjallë ishte vetë donatore e studentëve me bursa.

Sot fondacioni drejtohet nga vëllai i Vildanës, presidenti Driton Thaqi, një profesionist i zoti në ekonomi, me shumë përkushtim të madh. Ndërsa bashkëshorti i Vildanës, Shkelzen Krasniqi, i është bashkuar që nga fillimi me shumë devotshmëri këtij projekti, duke i dhënë shtytje të madhe, bashkë me shumë familjarë e miq tjerë. Mikaili është djali i vetëm 8 vjeçar, por me plot jetë, që Vildana la në këtë botë, i cili kur të rritet do të jetë shumë krenar që familja dhe komuniteti arriti ta shndërrojë ëndrrën e nënës së tij në një realitet fondacioni.

Takimi me drejtuesit e institucioneve shtetërore – Mirënjohje për punën e fondacionit

Viti 2026 filloi me një njohje të fondacionit nga institucionet më të larta në Kosovë. Përfaqësuesi i fondacionit, Labinot Kunushevci, dhe disa studentë, më 27.03.2026, u pritën në një takim nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Arben Hajrullahu, në zyren e tij, i cili shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e fondacionit në ndarjen e rreth 40 bursave vetëm për Universitetin e Prishtinës.

Takimi i rektorit prof. Arben Hajrullahu dhe prorektores për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, prof. Albana Berisha-Qehaja, me përfaqësuesin e Fondacionit VILDANA, Labinot Kunushevci, dhe 5 bursistë të fondacionit. – 27.03.2026

Ndërsa më 30 mars fondacioni u prit në një takim nga Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr. Safedin Muçaj, në të cilin dekani shprehu mirënjohjen për kontributin e fondacionit për studentët e mjekësisë.

Gjatë vitit 2025 Fondacioni VILDANA është karakterizuar me këto suksese:

✨ 28 bursa studentore të dhuruara në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut

📚 16 drejtime universitare

🤝 Mentorime, panaire, trajnime dhe takime frymëzuese

🌟 Takimi special me Getoar Hoxhën – studenti më i mirë në botë për 2024

🎙 Dalje në media dhe rritje e ndikimit në komunitet

Këto janë vetëm disa nga arsyet pse sot Fondacioni VILDANA feston dhe pse sot ekipi i tyre ndihen të motivuar e të shpërblyer në punën që bëjnë. Gjatë vitit 2025, fondacioni ka mbështetur 28 studentë të niveleve Bachelor dhe Master në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, në fusha si: Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji, Farmaci, Optometri, Arkitekturë, Inxhinieri e Ndërtimit, Matematikë, Psikologji, Biologji, Teknologji Ushqimore, Financa dhe Shkenca Kompjuterike. Në vitet paraprake u mbështetën edhe studentët e drejtimeve si: Edukim, Juridik, Dramaturgji, Inxhinieri Elektrike, Pikturë, Gazetari, Histori, Gjeografi etj., ku deri sot numri i bursave shkon mbi 50.

Vlen të theksohet se bursat në Fondacionin VILDANA janë bursa të rregullta mujore që e përcjellin studentin deri në diplomim dhe kanë një vlerë financiare më të lartë se çdo bursë tjetër publike. Përveç kësaj, përfitimet tjera profesionale e sociale që fondacioni ofron përmes integrimit dhe aktiviteteve të studentëve, i bën ata që në mesin e mundësive apo ofertave të tjera për bursa, të përcaktohen për atë të Vildanës, pasi kjo bursë është bërë markë e veçantë me prestigj të lartë që shumë studetë e kërkojnë. Duke qenë se mundësitë aktuale të fondacionit janë të kufizuara, brenga dhe urimi i vetëm mbetet që nëse rriten kapacitetet financiare të fondacionit me donatorë të rinj, të krijohen mundësi edhe për më shumë studentë e për më shumë bursa, pasi plot talente të nevojshme mbeten në pritje. Fatmirësisht deri tani kanë kontribuar kategori të ndryshme, që nga personat që punojnë punë krahu, deri te ata që menaxhojnë kompani, intelektualë e profesionistë të ndryshëm, brenda e jashtë Zvicrës, me një qëllim shumë fisnik. Ndërsa drejtuesit dhe kontribuesit e fondacionit ndihen shumë të lumtur që bursa e tyre ka arritur t’i çlirojë nga barra psikologjike dhe financiare shumë studentë, duke i bërë ata pjesë të një komuniteti premtues.

Përveç bursave, gjatë vitit 2025 janë zhvilluar aktivitete akademike dhe profesionale, ndër to:

•           VILDANA Mentoring Math, me mentorim për studentët e Matematikës së UP-së;

•           Pjesëmarrja në Panairin Ndërkombëtar “FSHN-UT OPEN DAY” në Tiranë;

•           Takimi i bursistëve me Getoar Hoxhën, i shpallur studenti më i mirë në botë për vitin 2024 nga GIDE në SHBA. Në vitet paraprake bursistët u takuan edhe me personalitete tjera, shkrimtar e mjek, në kuadër të projektit “VILDANA Impact Creators” të cilin synojnë ta vazhdojnë edhe përmes takimeve me personalitete tjera të shquara.

Përgjatë 5 viteve bursistët e fondacionit bashkë me koordinatorin e tyre kanë realizuar shumë aktivitete humane e profesionale si:

• Dhurimi i rrobave në Dyqanin e Bamirësisë Teshavesha;

• Ligjërata vetëdijesuese mbi shëndetin publik në disa shkolla të Prishtinës – 1 dhe 2;

• Aktivitete simbolike në nderim të profesionisteve shëndetësore në QKUK;

• Vizita dhe shpërndarje dhuratash tek personat me sindromën Down;

• Sponsorisim i pikturës së një fëmije autik;

• Ekskursion për fëmijë të braktisur dhe në nevojë;

• Aksion për dhurimin e gjakut;

• Trajnim përgatitor i matematikës për provimin pranues në universitet.

Mos të harrojmë të përmendim se në gjirin e fondacionit kishte studentë që fituan medalje të argjendta në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës – IMC. Të gjithë studentët ndajnë përshtypjet dhe mirënjohjet e tyre “testimonials” në faqen zyrtare të fondacionit në Facebook për të gjithë ata që duan t’i bashkangjiten këtij projekti.

Profesori i njohur i psikologjisë, prof. dr. Musa Musai nga Maqedonia e Veriut, në një përgjigje për Epiqendrën ka thënë se Fondacioni Vildana po fuqizon mendjen dhe zhvillimin e potencialit njerëzor. “Fondacioni Vildana pesë vite me radhë po përfaqëson përkushtimin ndaj dijes, inspirimit dhe mundësive të reja për çdo të ri që beson në një të ardhme më të mirë. Me investimin në arsim,  fondacioni nuk mbështetë vetëm individë të caktuar, por synon ndërtimin e një shoqërie më të fortë, më të ndërgjegjshme dhe më humane. Përkrahja e dhënë studentëve gjatë këtyre viteve është dëshmia më e madhe e vendosmërisë së Fondacionit Vildana drejt fuqizimit të mendjes, zhvillimit të potencialit njerëzor dhe krijimit të një shoqërie ku arsimi është urë drejt shpresës, suksesit dhe paqes sociale. Uroj nga zemra edhe shumë përvjetore dhe arritje për Fondacionin Vildana në prezantimin dinjitoz dhe përkrahjet bujare e fisnike që po i dëshmon në sferën e dijes dhe shkencës!”

Fondacioni VILDANA gjatë vitit 2024 është vlerësuar nga shkencëtarë dhe organizata botërore të shkencave sociale dhe humane, si: Anthony Giddens nga The London School of Economics and Political Science – LSE; Margaret Abraham nga International Sociological Association (ISA); Brigitte Aulenbacher nga Johannes Kepler Universität Linz; Liah Greenfeld nga Boston University; Oleg Komlik nga Rrjeti i Sociologëve të Rinj të International Sociological Association.

Gjatë vitit 2025, Fondacioni VILDANA ka qenë i pranishëm edhe në media, duke prezantuar punën dhe ndikimin e tij, si në ALSAT MT7 dhe Epiqendra. Ndërsa që nga themelimi fondacioni është prezantuar edhe në media tjera si: NacionaleKallxoDukagjini PortalKlan KosovaPro1Kanal10AlbradioAlbanianPostAlbinfoDTVRTV Dukagjini dhe RTK, në të cilat, koordinatori Labinot Kunushevci, autor dhe sociolog nga Prishtina, njëherit një nga themeluesit, ka paraqitur qëllimin, kriteret dhe aktivitetet e fondacionit ndër vite.

Ndërsa transfuziologu i njohur i QKUK-së, Dr. Jeton Zenuni, shprehet se ky fondacion përfaqëson një model të rrallë të bamirësisë. “Fondacioni “Vildana” është ndërtuar mbi bindjen se shërbimi ndaj njeriut, përmes dijes, përkushtimit dhe humanizmit, përfaqëson një model të rrallë të bamirësisë me vizion të qëndrueshëm. Përmes investimit të vazhdueshëm në arsimin mjekësor dhe mbështetjes së ofruar studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, veprimtaria e fondacionit dëshmon një besim të thellë se ndryshimi i vërtetë dhe afatgjatë ndërtohet mbi njohuri solide, përkushtim profesional dhe shërbim të sinqertë ndaj njeriut, duke u kthyer drejtpërdrejt në shëndet, shpresë dhe mirëqenie për mbarë shoqërinë.”

Bordi i fondacionit, në mbledhjen vjetore në Zvicër, miratoi raportin “Annual Report 2024” dhe përcaktoi prioritetet strategjike për vitin në vijim, praktikë kjo e cila bëhet çdo vit, pasi fondacioni i përgjigjet auditorit zviceran dhe është në frekuencë dhe harmoni të plotë me ligjet dhe institucionet në Zvicër.

Procesi i përzgjedhjes së bursistëve për vitin akademik 2025–2026 u zhvillua me rigorozitet shkencor përmes një konkursi transparent, duke marrë qindra aplikime dhe duke vlerësuar kandidatët sipas kritereve akademike. sociale, humane dhe ekonomike.

Gjatë vitit 2025, disa bursistë arritën të diplomojnë, disa të tjerë të punësohen, dhe tani po ndërtojnë të ardhmen e tyre me siguri më të madhe – falë donatorëve dhe njerëzve që e mbështetin. Sot fondacioni krenohet që ka arritur të nxjerr mjekë, inxhinierë, mësues, gazetarë, artistë, teknologë, psikologë e matematikanë të shquar të cilët tashmë janë pjesë e tregut të punës. Sot shumë ish-bursistë të fondacionit punojnë në institucione e kompani të ndryshme. Ky fondacion tregon që bursa është investimi më i mirë dhe më i sigurt në botë./EPIQENDRA.COM/

Derniers articles