2.8 C
Berne
vendredi 14/03/2025

Tri poezi te bukura te Lavdije Karrameta-Zalli. E fillojme me Nanën

FRIKA, FJALA QË MA MËSOI NÂNA JEME

T’gjithë kemi frikë, si kemi nânat tona,
Nën l’kurën tonë gjaku ngrin dhe shkrin,
U frikohem dhimjes, humjes,
Kemi frikë t’sjellim kryet mrapa,
Frikë se do t’na qorrohen edhe sytë e ballit.

T’ndryshme kanë kenë dhimjet,
Jemi rrzu e prapë n’kamë jemi çu,
Jemi vra aq shumë, saqë dhimjet tona,
Kanë me piku gjak për tanë jetën,
E ky gjak ka me u ngri mi ato plagë.

Nuk kam frikë nga frika,
Kam frikë nga humbja e frikës.
***

MË AFRO CA FLETË TË BARDHË

Shumë larg u tretën fletët e bardha,
Desha të vrapoj e t’i mbledh ca,
Por këmbë nuk më ecin,
Qenkan të lidhura për këtë krevat të shpifur,
Medet, nuk po i zë as me dorë!
E as me ëndrra, o Zot!

Desha të shkruaj vetëm ca vargje,
Për hënën dhe yjet që më janê larguar,
E që nuk po i zë as syri, as pena,
Për dritën dhe diellin që nuk po i shoh sot,
Qenka bërë errët si një shtjellë e zezë korb,
Qenka bërë skëterrë si nata!

Në vegim më shfaqen
Fëmijët që po më thërrasin,
E këmbët asesi të ecin,
E duar drejt tyre më rrinë shtrirë,
Të ngroh pak shpirtin që më ështê mërdhirë,
Dua t’i marr në gji
Se vetëm mes tyre më ngroh dielli…!

Dua që hëna dhe yjet të mos më braktisin,
Si çdo herë të më bëjnë shoqëri,
Se vetëm pranë tyre nuk ka lidhje këmbësh,
Se vetëm mes tyre bëhem me krahë
Dhe fluturoj në këtë qiell që po e prek me dorë,
Dhe në këtë tokë që mezi po e prek me gishtërinj.

E botuar.
Kalofshi bukur

***

DHIMBJE DHE KRENARI

Festë e cunguar gjak e lotë ,
Gjak i bijve dhe bijave,
Lot nënash dhe motrash,
Plagë të pashëruara që marrin jetë,
Amanete dëshmorësh që po shkelen pa mëshirë…

Dhimbje dhe krenari seç vlon në gji,
Krenarë për bijtë dhe bijat,
Që dhanë jetën për lirinë e tokës mëmë,
Dhimbje për amanetin e tyre
Që nuk po kryhet dot.
Dhimbje dhe krenari me të dyja po ecim tok,
Krenarë për veteranët që luftuan për liri,
Dhimbje për ta, që po vuajnë në varfëri,
Dhimbje kjo liri, nga plagët e armikut mund të gjejmë shpëtim,
Por nga plaga e vëllait nuk gjejmë dot shërim.

Dhimbje kjo liri e shkelur,
Amanet dëshmorësh i nëpërkēmbur,
Amanet pas amaneti, brez pas brezi,
Mbetën si një mallkim, mbi plagët e dergjura të vendit tim.

Populli im shqiptar e gëzofsh pavarsinë e Kosovës.
Vëllezër dhe motra, gëzuar!

 

 

 

Derniers articles