12.8 C
Berne
mardi 24/02/2026

Zvicra nis fazën e re të bashkëpunimit me Shqipërinë, kontribuon me 58 milionë franga

Një program i ri bashkëpunimi zvicerano-shqiptar u lançua sot, me një buxhet prej 58 milionë CHF për të forcuar qeverisjen demokratike, zhvillimin ekonomik dhe shërbimet e infrastrukturës në Shqipëri, njufton gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch 

Zvicra dhe Shqipëria lançuan sot një fazë të re të programit të tyre të bashkëpunimit dypalësh për vitet 2026–2028, duke shënuar më shumë se 30 vjet partneritet të vazhdueshëm zvicerano-shqiptar.

« Mbi 500 milionë franga zvicerane (CHF) – ky është vlerësimi zyrtar i totalit të kontribuimeve të Zvicrës në Shqipëri gjatë më shumë se 30 vjet bashkëpunimi në fusha si qeverisja demokratike, zhvillimi ekonomik, shërbimet publike dhe reforma social.. » ka deklaruar mbasadorja zvicerane ne Shqiperi znj. Ruth Huber ne intervisten e fundit për gazeten LeCanton27.ch

Në emër të qeverisë së Shqipërisë, Elisa Spiropali, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme theksoi: “Në këtë kapitull të ri, prioritetet e Shqipërisë janë të qarta. Ne do të vijojmë të mbajmë aktiv dialogun tonë politik, për të fuqizuar më tej aksin e bashkëpunimit Bernë–Tiranë. Bashkëpunimi shqiptaro-zviceran mund të fuqizohet më tej në fusha me interes të përbashkët, si inovacioni, siguria kibernetike, turizmi, arsimi profesional dhe sektorë të tjerë me potencial të lartë. Jam e bindur se ky do të jetë drejtimi ynë i përbashkët”.

Didier Chassot, Drejtor i Divizionit të Evropës dhe Lindjes së Mesme në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) theksoi thellësinë e bashkëpunimit dhe kalimin e tij drejt konsolidimit: “Zvicra mbetet e përkushtuar të qëndrojë përkrah Shqipërisë dhe të mbështesë një demokraci gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Lidhjet tona dypalëshe – dialogu teknik, binjakëzimi institucional, lidhjet midis njerëzve dhe bashkëpunimi ekonomik – do të vazhdojnë përtej vitit 2028, të ankoruara në progresin e Shqipërisë dhe perspektivën tonë të përbashkët evropiane.”

Pietro Lazzeri, Drejtor i Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit në Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Zvicrës ndaj të ardhmes ekonomike të Shqipërisë: “Objektivi ynë është i qartë: një ekonomi konkurruese, e orientuar nga inovacioni, që krijon vende pune cilësore.

Gjatë tre viteve të ardhshme dhe më tej, ne do të mbështesim stabilitetin makroekonomik, do të forcojmë mbikëqyrjen e sektorit financiar, do të përmirësojmë klimën e biznesit dhe kapacitetin e eksportit, si dhe do të përputhemi me standardet e BE-së.” Programi i ri mbështetet në arritjet e bashkëpunimit 2022–2025 dhe mbulon tre fusha prioritare: qeverisjen gjithëpërfshirëse, zhvillimin ekonomik dhe punësimin, si dhe zhvillimin urban dhe ndryshimet klimatike. Një tipar i veçantë i programit të ri do të jenë partneritetet institucionale dhe marrëveshjet e binjakëzimit midis institucioneve shqiptare dhe zvicerane, duke përfshirë zyrat federale të statistikave, metrologjisë, pronësisë intelektuale dhe MeteoSwiss.

Ruth Huber, Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, përshëndeti pjesëmarrësit dhe mbajti fjalën përmbyllëse, duke theksuar ndryshimet e shpejta që po ndodhin në vend dhe fokusin tek krijimi i më shumë lidhjeve. « Në këto vitet e ardhshme ne do të shfrytëzojmë diçka unike: partneritete të drejtpërdrejta institucionale midis autoriteteve shqiptare dhe qendrave federale zvicerane të kompetencës – në shkencën e ujit, energjinë, statistikat, metrologjinë, pronësinë intelektuale dhe më shumë ».

Zvicra është një nga partnerët kryesorë dypalësh të zhvillimit të Shqipërisë, me një histori suksesi që përfshin mbi tre dekada dhe një kontribut prej mbi 500 milionë frangash zvicerane në fusha duke përfshirë qeverisjen demokratike, reformën e qeverisjes vendore, arsimin profesional, mbështetjen makroekonomike dhe shëndetësinë. Bashkëpunimi zbatohet bashkërisht nga dy agjenci qeveritare zvicerane, SDC dhe SECO.

Derniers articles