13.5 C
Berne
mercredi 10/06/2026

Protesta e radhës në Zvicër: Nesër në Gjeneve para OKB-së, pas punës në oren 18, kunder Qeverisë së Edi Ramës!

Gjenevë/OKB, 10 qershor -“Shqipëria nuk shitet” është bërë shprehja e një revolte qytetare që po merr formë brenda dhe jashtë vendit. Në qendër të saj qëndron projekti Sazan-Zvërnec, por shqetësimi që ai ka ngjallur shkon përtej një vendimi të veçantë administrativ apo ekonomik. Ai prek marrëdhënien e shtetit me qytetarët, raportin me trashëgiminë kombëtare dhe mbrojtjen e pasurisë natyrore e historike të Shqipërisë, njofton gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch

  • Gjenevë, më 11 qershor 2026, në orën 18:00, në Sheshin e Kombeve, përpara Zyrës së OKB-së.
  • Bernë, më 13 qershor 2026, në orën 16:00, përpara Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër.

Sazani dhe Zvërneci: kur populli thotë “boll” — Shqipëria do të rrojë, për të luftojmë ne

Protesta e diasporës shqiptare në Gjenevë është pjesë e këtij zgjimi. Ajo synon të ushtrojë presion moral e politik mbi vendimmarrjen në Tiranë dhe, njëkohësisht, të tërheqë vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar. Gjeneva ka një peshë të veçantë simbolike: prania e OKB-së, e organizatave ndërkombëtare, e konventave dhe agjencive shumëpalëshe që lidhen me mbrojtjen e natyrës, trashëgimisë dhe të drejtave themelore, i jep këtij mobilizimi një jehonë më të gjerë.

Ky mobilizim dëshmon se shqetësimi për fatin e Shqipërisë nuk njeh kufij. Studentë, të rinj dhe qytetarë shqiptarë janë bashkuar rreth një thirrjeje për përgjegjësi publike, dinjitet dhe mbrojtje të pasurisë kombëtare. Protestat hyjnë sot në ditën e njëmbëdhjetë e shtrihet tashmë në 22 vende të botës.

Në zemër të kësaj lëvizjeje në Shqipëri qëndron rinia: gjimnazistë, studentë, një brez që ngrihet për t’i thënë “jo” emigracionit të detyruar. Emigracioni mbetet një nga plagët më të thella të Shqipërisë që prej viteve ’90. Askush nuk largohet me zemër të lehtë nga toka e vet, nga familja, gjuha dhe njerëzit e tij. Për këtë arsye, pjesëmarrja e diasporës, e cila e njeh dhe e ka përjetuar këtë dhimbje, ka një domethënie të veçantë simbolike dhe historike.

Mesazhi i brezit të ri është i qartë: largimi nga Shqipëria nuk duhet të jetë fat i paracaktuar nga keqqeverisja. Të rinjtë kërkojnë kushte të denja për të jetuar në vendin e tyre. Shqipërisë po i shkulen ende filizat; ekzodi nuk është ndalur, vendi po shpopullohet dhe kombi po përballet me një rrezik ekzistencial.

Shkëputja e klasës politike shqiptare nga realiteti është e tillë, sa ajo nuk sheh zhvillimin e jashtëzakonshëm shoqëror e politik të popullit tonë. Ata që drejtojnë kanë mbetur në vitin ’96, ndërsa kombi ka ecur 30 vjet përpara.

Vendimet për Zvërnecin dhe Sazanin janë perceptuar nga shumë qytetarë si shenjë e një mungese të thellë ndjeshmërie ndaj trashëgimisë kombëtare, historisë, kulturës dhe natyrës shqiptare. Ato nuk shihen si raste të izoluara, por si pjesë e një vazhdimësie mosrespekti ndaj interesit publik. Pikërisht për këtë arsye, në gjuhën e protestës, janë cilësuar si antishqiptare dhe si tradhti kombëtare.

Protesta e nxitur nga projekti Sazan-Zvërnec është shpërthimi i një zemërimi të mbajtur brenda prej vitesh. Ajo nuk lidhet vetëm me një projekt, por me një ndjesi më të thellë padrejtësie, braktisjeje dhe përçmimi që shumë shqiptarë e kanë ndier prej kohësh.

Edhe pse çështjet mjedisore mbeten urgjente dhe thelbësore, kjo protestë tashmë i tejkalon ato. Ajo është kthyer në një çështje politike dhe morale: refuzimin e arrogancës së pushtetit, të përçmimit ndaj sovranit dhe të trajtimit të trojeve shqiptare si hapësira pa kujtesë, pa histori dhe pa zot.

Presioni qytetar mbi qeverinë, si edhe në mënyrë indirekte mbi investitorët, mund të sjellë pasoja konkrete. Investitorët nuk mbrojnë vetëm interesa ekonomike, por edhe politike dhe reputacionale. Në këtë kontekst, reagimi i fundit i Bashkimit Europian, siç është raportuar nga Politico.eu më 7 qershor, ku paralajmërohet se projekti mund të rrezikojë përmbushjen e kushteve të kapitullit 27 për anëtarësimin në BE, përbën një sinjal të rëndësishëm.

Pas protestave të zhvilluara dhe reagimeve të para ndërkombëtare, duket se është kaluar një prag i rëndësishëm mobilizimi qytetar. Vazhdimi i projektit, në rrethanat aktuale, shfaqet gjithnjë e më i vështirë për t’u mbrojtur politikisht dhe moralisht. Megjithatë, qëndresa qytetare pritet të vazhdojë, në solidaritet me protestuesit në Tiranë dhe në përputhje me hapat e ndërmarrë në Shqipëri. Strategjia e Gjenevës dhe e diasporës duhet të mbetet e lidhur ngushtë me zërin e qytetarëve në vend.

Kjo protestë nuk është një negociatë. Është një thirrje për dëgjim. Populli po shprehet me forcë dhe politika duhet të gjejë aftësinë për ta kuptuar këtë mesazh. Nuk mund të ketë vendimmarrje moralisht të ligjshme kur ajo bie ndesh me vullnetin e qytetarëve dhe me mbrojtjen e pasurisë kombëtare.

Revolta që po ndodh është një klithmë për dinjitet. Është zgjim qytetar, ndërgjegjësim dhe thirrje për përgjegjësi. Shqipëria nuk shitet.

Manifestimet e ardhshme do të mbahen:

. Gjenevë, më 11 qershor 2026, në orën 18:00, në Sheshin e Kombeve, përpara Zyrës së OKB-së.

  • Bernë, më 13 qershor 2026, në orën 16:00, përpara Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër.

Të gjithë ata që dëshirojnë të përfshihen në këtë mobilizim qytetar mund të kontaktojnë përmes LinkedIn, Twitter/X ose Facebook. Na ndihmoni ta ndajmë informacionin dhe, mbi të gjitha: ejani, mblidhuni me ne! Nga Dorina Xhixho, politologe, ish-diplomate

Derniers articles