14.8 C
Berne
mercredi 16/09/2026

Haga shpall aktgjykimin: Thaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burg, Veseli me 18 dhe Selimi me 13

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur të mërkurën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas vendimit të shpallur nga Trupi Gjykues, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.

Vendimi u lexua nga kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith, në praninë e katër të akuzuarve, ekipeve të tyre mbrojtëse, përfaqësuesve të Prokurorisë dhe mbrojtësve të viktimave.

Të katër ish-krerët e UÇK-së qëndruan në heshtje gjatë shpalljes së dënimeve.

Aktgjykimi i së mërkurës nuk është juridikisht përfundimtar. Mbrojtja dhe Prokuroria kanë të drejtë ta ankimojnë vendimin para Panelit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara

Thaçi dënohet për katër akuza për krime lufte

Sipas raportimit të Associated Press, Hashim Thaçi u shpall fajtor për katër akuza për krime lufte: vrasje të paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe arrestim e ndalim arbitrar.

Trupi Gjykues i shqiptoi ish-presidentit të Kosovës dënimin prej 25 vjetësh burgim.

Reuters raportoi se Gjykata e lidhi përgjegjësinë e tij me vrasjen e 96 personave, të cilët në aktgjykim përshkruhen si kundërshtarë politikë ose persona të perceptuar si bashkëpunëtorë të forcave serbe.

Sipas përmbledhjes së raportuar nga Reuters, Gjykata konstatoi gjithashtu ndalimin e paligjshëm të 385 personave, torturimin e 303 personave dhe trajtimin mizor të rreth 50 të tjerëve.

Arsyetimi i plotë se si Gjykata e ka lidhur secilin të akuzuar me këto krime dhe mbi çfarë forme të përgjegjësisë penale është bazuar, do të bëhet më i qartë pas publikimit të aktgjykimit të redaktuar dhe transkriptit të seancës.

Dënime të ndryshme për katër të akuzuarit

Dallimi ndërmjet dënimeve tregon se Trupi Gjykues ka bërë vlerësim të veçantë për përgjegjësinë dhe rolin e pretenduar të secilit të akuzuar.

Derniers articles