Gjenevë, 7 shtator -Bota po hyn në një fazë të re të luftës, ku vendimin për të vrarë mund ta marrë gjithnjë e më shumë teknologjia. Në Gjenevë, 128 shtete po diskutojnë të ardhmen e armëve autonome vdekjeprurëse, të njohura si LAWS – Lethal Autonomous Weapons Systems, ose në gjuhën e zakonshme: “robotët vrasës”
A duhet t’i lejohet një makinerie të vendosë vetë se kush duhet të vdesë?.
Bëhet fjalë për sisteme armësh që, në një shkallë të caktuar autonomie, mund të identifikojnë dhe angazhojnë objektiva pa ndërhyrje njerëzore në çdo hap të procesit.
Debati është një nga çështjet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare të viteve të fundit. Në qendër është një pyetje që dikur dukej si skenar filmi fantastiko-shkencor.
Pas vitesh diskutimesh, në Gjenevë është arritur një marrëveshje mbi një përkufizim të vetëm të këtyre sistemeve të diskutueshme të armëve, njoftoi Ministri i Jashtëm Holandez Tom Berendsen.
Duke pasur parasysh që teknologjia ushtarake vazhdon të zhvillohet me shpejtësi, ky është një hap i rëndësishëm në rregullimin e këtyre sistemeve, shkroi ai në platformën X.
Siç u tha, dokumenti i miratuar nuk është ligjërisht i detyrueshëm.
Edhe pse vendosja e një përkufizimi të vetëm të sistemeve autonome të armëve është vetëm një hap i parë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara të miratojnë rregulla ligjërisht të detyrueshme që ndalojnë përdorimin e sistemeve autonome të armëve të paparashikueshme, si dhe ato të projektuara për të shkaktuar drejtpërdrejt dhunë mbi njerëzit.
Zhvillimi dhe përdorimi i sistemeve autonome të armëve jashtë një kuadri të qartë dhe kufizues ngre çështje serioze ligjore, etike dhe humanitare, deklaroi KNKK.
Nicole van Rooyen, drejtoreshë ekzekutive e fushatës ndërkombëtare Stop Killer Robots, tha se dokumenti i miratuar, përveç përcaktimit të armëve autonome, trajton edhe çështjen se si zbatohet ligji ndërkombëtar humanitar për këto armë dhe konfirmon nevojën për kontroll kuptimplotë njerëzor, duke shtuar se kjo është një pikë kyçe.
Van Rooyen vuri në dukje gjithashtu se disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, janë përpjekur ta hollojnë gradualisht tekstin e dokumentit.
