Në mesin e kompanive të rëndësishme globale pjesëmarrëse në këtë aktivitet, Mabetex po tërheq vëmendje me projektet dhe përvojën e saj në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës ndërkombëtare, njofton gazeta zvicerane ne shqip LeCanton27.ch
Aty ku është Mabetexi , është edhe Kosova!
Interesimi i vizitorëve dhe përfaqësuesve të biznesit rreth stendës së Mabetexit shihet si dëshmi e reputacionit dhe besimit që kompania ka ndërtuar gjatë viteve në tregje të ndryshme ndërkombëtare.
Një element veçanërisht domethënës i prezantimit është flamuri i Republikës së Kosovës, i cili valëvitet krahas emrit të Mabetexit.
Prania e flamurit në një aktivitet ndërkombëtar të biznesit në Bengazi i jep prezantimit edhe një dimension përtej atij ekonomik: emri i Kosovës është i pranishëm aty ku kompanitë kosovare dhe shqiptare punojnë, investojnë dhe krijojnë vlera.
Për Mabetex-in, prezantimi ndërkombëtar nuk lidhet vetëm me projektet e realizuara, por edhe me përfaqësimin e vendit nga i cili vjen një pjesë e rëndësishme e identitetit të kompanisë.
Nga Kosova drejt tregjeve ndërkombëtare
Panaire të tilla shërbejnë si platforma ku kompanitë prezantojnë kapacitetet e tyre, takojnë partnerë potencialë, shkëmbejnë përvoja dhe kërkojnë mundësi të reja investimi e bashkëpunimi.
Në këtë kuadër, prania e Mabetexit në Bengazi e vendos Kosovën dhe potencialin ekonomik të saj në një skenë ku takohen kompani dhe investitorë nga vende të ndryshme.
Mirënjohje për stafin e Mabetex Bengazi
Për suksesin e këtij prezantimi është vlerësuar edhe puna e stafit lokal të kompanisë.
“Falënderoj nga zemra të gjithë stafin e Mabetexit Bengazi për përkushtimin, profesionalizmin dhe organizimin e shkëlqyer të kësaj prezantimi”, thuhet në mesazhin e publikuar me rastin e pjesëmarrjes në panair.
Nga Bengazi, mes kompanive ndërkombëtare dhe projekteve të mëdha, flamuri i Kosovës po bëhet pjesë e një prezantimi ekonomik që synon të tregojë se biznesi kosovar dhe shqiptar mund të jetë i pranishëm edhe në tregjet më të largëta.
