3.9 C
Berne
dimanche 22/12/2024

Muzeu i Krujës priti 20 mijë vizitorë gjatë muajve janar-shtator

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës priti në muajt janar-shtator të këtij viti rreth 20 mijë vizitorë vendas e të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për kulturën dhe historinë e popullit shqiptar.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha se 80 për qind e vizitorëve janë shqiptarë nga të gjitha trojet, ndërsa 20 për qind të huaj si polakë, bjellorusë, ukrainas, si edhe nga vende të ndryshme të Evropës.

“Muzetë mbyllën dyert për publikun në 11 mars për shkak të pandemisë, por puna në të dy muzetë nuk u ndërpre në asnjë moment. Ne u fokusuam në mirëmbajtjen e muzeve, ndërsa aktivitetet u zhvendosën në platformat online. Në 18 maj u rihapën muzetë duke respektuar masat antiCovid, u krye dezinfektim i vazhdueshëm për ambiente të sigurta për vizitorët, si dhe u rishikuan çmimet e biletave, ndërsa çdo të diel hyrja ishte falas për vizitorët”.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe 5 mijë bileta ishin falas, falë iniciativës së Ministrisë së Kulturës për të ndihmuar bizneset lokale.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës.

Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut.

Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës.

Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764.

Banesa është monument kulture i kategorisë së I.

Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Plot 90 për qind e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 për qind janë funksionale.

Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë.

Mosha e këtyre objekteve varion nga 60 dhe 70 deri në 500-vjeçare.

Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989.

Derniers articles