15.1 C
Berne
lundi 14/09/2026

Vazhdon seanca në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, palët japin sot përgjigjet përfundimtare

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon këtë të hënë seanca për deklaratat përfundimtare në çështjen ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Seanca pritet të nisë në orën 10:30 me përgjigjet dhe komentet përfundimtare të palëve.

Në këtë çështje, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim me gjashtë vjet burgim për Thaçin. Për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun ka kërkuar nga tre vjet burgim, ndërsa për Kuçin nëntë muaj.

Kërkesat e Prokurorisë janë kundërshtuar nga ekipet e Mbrojtjes, të cilat kanë kërkuar shpalljen e të akuzuarve të pafajshëm.

Gjatë paraqitjes së argumenteve përfundimtare, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, deklaroi se nuk ka ekzistuar ndonjë grup që ka synuar pengimin e drejtësisë. Ajo kundërshtoi edhe provat mbi të cilat Prokuroria ka mbështetur akuzat.

Sipas Mbrojtjes, veprimet për të cilat akuzohet Thaçi nuk kanë ndikuar në procesin gjyqësor. Mbrojtja ka theksuar se ish-presidenti akuzohet për tentativë për ndërhyrje dhe jo për një vepër të përfunduar.

Të gjitha ekipet e Mbrojtjes kanë përfunduar parashtrimet e tyre përfundimtare. Ato i kanë kërkuar Gjykatësit të Vetëm që të akuzuarit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Pas përfundimit të deklaratave përfundimtare, çështja pritet të kalojë në fazën e vendimmarrjes nga Gjykatësi i Vetëm.

Derniers articles