Komunikimi i gabueshëm i Hotit, i shoqëruar edhe me njëlloj egërsie të Isës dhe Agimit (këta të orientuar kryesisht ndaj Vjosës, e që ishin vendimtar edhe në prishjen e koalicionit me VV-në, edhe në dëbimin e Vjosës) po e përplas LDK-në drejt humbjes, që se ka përjetuar aq thellë asnjëherë (kështu po e nxjerrin të gjitha sondazhet).
Idriz MORINA
Kryeministri i vendit Avdullah Hoti, i cili me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese është shpallur se zgjedhja e tij, është zero, pra nuk është kryeministër as legjitim as legal, për shkak të votës fatale të deputetit Arifi, por që mbetet në detyrë për shkak se Qeveria e drejtuar nga ai është në funksion prej kohësh (në pamundësi objektive të kthimit të gjërave në pikën zero), atëherë mbetet në detyrë deri në zgjedhje, ka dalur nga fytyra (karakteri tij, me të cilin është njohur) dhe ka shpallur ogurin për zhdukjen e Vetëvendosjes, pjesë e së cilës në garë është edhe Vjosa Osmani me një listë të saj kandidatësh.
E para z.Hoti, doktor i politikave të majta ekonomike, nuk jep asnjë provë shkencore për atë që thotë si parashikim apo si dëshirë (edhe pse e thotë me shprehje të qarta denotative, ndërkohë që ky vetë dhe Isa Mustafa janë përgjegjësit kryesor për rënien rapide të LDK-së, dhe ngjitjen (në sondazhe) enorme të VV-së me Vjosa Osmanin.
Në pikëvështrimin psikanalitik, kur flet për një gjë (çështje), veçmas kur nuk të pyet askush (pra, pa një pyetje eksplicite si: a do të zhduket ndonjë parti?), e zbulon sekretin e dëshirave tuaja (pavarësisht shembujve në botë që i referohesh).
Që nominalisht, një rrëshqitje kaq e madhe psikike (gjuhësore) të mos ndodhte, ai duhej të thoshte, VV do të ‘shuhet’, një nocion, që përdoret edhe për vdekjen e njerëzve, për të ruajtur diçka nga ekzistenca e mëparshme (e tij, saj). Po ashtu term në fizikë për lëvizjen dhe dukuri të tjera… edhe për shkak të teorisë themelore fizike, se energjia nuk zhduket, por shndërrohet nga një formë në tjetër.
Përsëritja e tillë, e thënë nga një akademik (profesor fakulteti), është trishtuese në vetvete, sepse këtë po e thotë, pra një personalitet që duhet të reflektojë kulturë të lartë, pa i shtuar këtu argumentet se çfarë duhet të përfaqësojë një pretendent për kryeministër, dhe një Kryeministër në detyrë, pavarësisht asaj se është aksidentalisht aty (sipas Gj. Kushtetuese).
E dyta, nga Hoti me komunikimin e tij të butë dhe butësisht emocional, pa shfaqje zemërimi në publik, se priste askush të nxirrte kaq vrerë për kundërshtarët politik.
Deklarimi i tij, se “Vetëvendosje do të zhduket plotësisht”, dhe meqë sipas retorikës së përdorur edhe nga ai, Vjosa është shkrirë në VV, a po e paralajmëron ai vrasjen e saj dhe të Albinit, pasi, hë për hë, ky koalicion është rritur vetëm falë këtyre dy personaliteteve, dhe fare pak nga struktura apo edhe lista për deputet që përfaqësojnë!??
Por, kjo dhe ajo që u tha më lart, zbulon karakterin, të cilin që kur ka qenë emri i tij i lakuar për kandidat për kryeministër vite më parë, e kam evidentuar (me 2017), si njeri të nënshtrueshëm ndaj shefave, deri në një përulësi, që nuk ka kuptim, për një njeri të lirë dhe të ngritur, pra në esencë ai paraqet një lloj ‘skllavërie’ (në dukje të butë) ndaj autoritetit të jashtëm. Prandaj, si i tillë nuk e meritonte kandidimin, së paku jo para tri figurave të tjera, edhe më popullore edhe më të respektuara nga votuesit e LDK-së!
Kjo lloj ‘skllavërie’ e tij ndaj autoritetit (të shefit), prodhon shtypje, ndrydhje, që reflekton në sjelljen e tij ndaj të tjerëve (që ai i sheh si poshtë tij), dhe që në situata të papritura zbulohet, prirja për dhunë, e shfaqur në këtë rast si dëshirë për zhdukjen e kundërshtarit apo kundërshtarëve (Albinit dhe Vjosës).
Pra, ky komunikim i Avdullah Hotit, përveç se i lig në pikëpamje njerëzore e në kundërshtim me traditën shqiptare, edhe pse kjo është thyer në Kosovë, gjatë luftës e pas saj nga forcat e errëta (me vrasje, tortura, kërcënime, uzurpime, zhvatje, shantazhe etj.), në kundërshtim me formimin akademik, dhe politikën tradicionale të LDK-së, është një devijim skandaloz i mendimit rugovian politik dhe humanist.
Kjo zbulon se ju jeni njëri nga arkitektët më të mëdhenj të humbjes së LDK-së, pas Isa Mustafës, madje nuk është as Agimi, si dyshi, që akuzohet aq shumë për humbjen në Podujevë dhe rënien më tej!
Po ashtu një ligjërim i tillë është pasojë e një mënyre të stërkequr të komunikimit publik nga një grup bartës në LDK, duke gënjyer, duke zgjedhur shtrembërimin para vërtetësisë, joseriozitetin para seriozitetit, mashtrimin para çiltërsisë etj.
Ky lloj komunikimi sipas modelit të PDK-Thaçit & Co, i ka eklipsuar edhe punët e mira, dhe komunikimin shumë korrekt të disa ministrave, që kanë treguar zotësi të respektuar edhe nga kundërshtarët, si Zemaj, Bajrami e ndonjë tjetër, e që jo vetëm atyre po ua mbulon suksesin dhe mundin, por madje edhe vetës, shumë veprime e vendime që i keni marrë si Qeveri!
Ky komunikim i gabueshëm, i shoqëruar edhe me njëlloj egërsie të Isës dhe Agimit (këta të orientuar kryesisht ndaj Vjosës, e që ishin vendimtar edhe në prishjen e koalicionit me VV-në, edhe në dëbimin e Vjosës) po e përplas LDK-në drejt humbjes, që se ka përjetuar aq thellë asnjëherë (kështu po e nxjerrin të gjitha sondazhet).
Dhe është habi se si LDK-ja si parti e djathtë, dhe disa që thirren shumë në djathtizëm, si u bë që ta bëjnë Kryeministër një mendimtar dhe një doktor shkence të majtë, dhe të kandidojnë dy herë me të për kryeministër (2017 dhe 2021)!??? Tri herë me një mendimtar të majtë!!!
E keni dëbuar ‘atomin’ e fitores, dhe jeni rreshtuar pas një ‘elektroni’ të eksituar!
Uni juaj i shtypur është i rrezikshëm, Avdullah!