2.2 C
Berne
samedi 21/12/2024

Shefja e diplomacise kosovare znj. Gërvalla: Fjalimi i Edi Ramës, fushatë kundër Qeverisë Kurti

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kritikuar fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në seancën e përbashkët të Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë të mbajtur të premten. Ajo e quajti këtë fjalim si një “fushatë kundër Qeverisë Kurti” dhe tha se Rama ka keqpërdorur foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Gërvallës, fjalimi i Ramës nuk ishte në harmoni me atmosferën e pritshme dhe, përkundrazi, ai e keqpërdori mikpritjen e Kosovës dhe të delegacionit të tij. “Nëse ai ka ardhur për të bërë fushatë, duhet ta bëjë këtë në mënyrë transparente dhe jo përmes foltores së Kuvendit”, shtoi Gërvalla.

Ajo theksoi se fjalimi i Ramës mund të interpretohej vetëm si një fushatë kundër Qeverisë Kurti dhe u shpreh se nuk mund të kishte ndonjë interpretim tjetër.

Në lidhje me kërkesën e Ramës për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, Gërvalla e quajti këtë një tentativë për të shtuar presion ndaj Kosovës. Ajo deklaroi se kjo kërkesë nuk kishte aspak karakter vëllazëror, pasi, sipas saj, brenda një familjeje konsultimet bëhen në mënyrë private, jo përmes mikrofonave.

Seanca e përbashkët, që u mbajt në Prishtinë, zgjati tre orë dhe gjatë saj, palët u angazhuan për të thelluar bashkëpunimin dhe për të mbështetur njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lexoi deklaratën e përbashkët që theksonte rëndësinë e koordinimit të “agjendës kombëtare” për realizimin e qëllimeve strategjike të përbashkëta të dy vendeve.

Derniers articles