10.6 C
Berne
vendredi 27/02/2026

Lajmi i fundit nga Haga, Prokurorja e Specializuar thotë se duhet të mbështetet sundimi i ligjit

Sot, në hapjen e gjykimit Thaçi dhe të tjerët për administrim të drejtësisë, në deklaratën e saj hyrëse, Prokurorja e Specializuar Kimbërli Uest (Kimberly West) theksoi se ish-Kryetari i Kosovës Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tij kanë “shkelur vendime gjyqësore të hartuara për të siguruar që dëshmitarët dhe viktimat të mund të dëshmojnë lirshëm” dhe se sjellja e tillë është “goditje kundër sundimit të ligjit”, njoton gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch

Ish-kryetari Thaçi akuzohet se në mënyrë të përsëritur dhe sistematike tentoi të ndërhyjë ndaj dëshmive të dëshmitarëve, duke dhënë udhëzime se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët në çështjen gjyqësore tjetër kundër tij për krime lufte, dhe duke shkelur një numër urdhërash gjyqësorë që synojnë mbrojtjen e informacionit konfidencial në lidhje me dëshmitarët. Të bashkakuzuarit e tij – Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi – akuzohen për pjesëmarrje të paligjshme në një ose më shumë prej këtyre veprave penale.

Të akuzuarit “shkelën qëllimisht vendime gjyqësore të hartuara për të garantuar se dëshmitarët dhe viktimat mund të dëshmojnë lirshëm, pa frikë dhe pa ndikim, dhe të kenë besimin se identitetet dhe fjalët e tyre do të mbeten konfidenciale për gjykatën dhe palët,” tha Prokurorja e Specializuar.“Kjo sjellje përbën rrezik të qartë dhe të pranishëm për sundimin e ligjit, sipas të cilit dëshmitarët duhet të jenë në gjendje të vijnë në gjykatë dhe të rrëfejnë përjetimet e tyre pa trysni, ndikim apo ndërhyrje,” tha znj. Uest. “Është me rëndësi për trashëgiminë e këtij institucioni që këto fakte të gjykohen dhe të shpallen publikisht, në mënyrë që të dokumentohen të dhëna të vërteta dhe të besueshme. “Mbështetja e sundimit të ligjit do të thotë se askush nuk është mbi ligjin. Ligji vlen për të gjithë njëlloj dhe secili është përgjegjës para tij”, tha Prokurorja e Specializuar.

Krahas audioincizimeve të autorizuara nga Gjykata ku të akuzuarit diskutojnë planin e tyre për të ndërhyrë ndaj dëshmive të dëshmitarëve, ndër provat që do të paraqesë ZPS-ja në gjyq përfshihen: (i) prova elektronike, përfshirë nga telefona mobilë të sekuestruar, të cilat konfirmojnë bisedat e incizuara të akuzuarve, dhe (ii) prova fizike, përfshirë dokumente që lidhen me vënien në shënjestër të dëshmitarëve për ndërhyrje, të cilat u konfiskuan në vendbanimet e disa prej të bashkakuzuarve të tij.

Tre dëshmitarë të prokurorisë janë planifikuar të japin dëshmi gjatë gjykimit, përfshirë dëshmi ekspertësh në lidhje me prejardhjen e dokumenteve të sekuestruara, dhe një dëshmitar që do të dëshmojë në lidhje me ekzaminimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara gjatë hetimit.

Derniers articles