-0 C
Berne
lundi 23/12/2024

Kosovë: Zgjedhjet parlamentare më 14 shkurt

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, shpërndau Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të  Kosovës, duke e caktuar 14 shkurtin datën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.

Ushtruesja e detyrës (u.d.) së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, mori vendim që me datën 14 shkurt në Kosovë të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Në këtë mënyrë zonja Osmani shpërndau edhe parlamentin, përkatësisht legjislaturën e shtatë të Kosovës.

« Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës.

Me këtë vendim thuhet më tej se « Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është udhëzuar t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Vendimi i u.d. presidentes Osmani që të  shpërndajë kuvendin dhe të shpallë datën e zgjedhjeve, u  bë vetëm pak orë pasi Gjykata Kushtetuese e publikoi të plotë vendimin, me të cilin e shpalli antikushtetuese qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Abdullah Hoti u miratua në kuvend me 61 vota,  me tre qershor, pas rrëzimit të qeverisë së Albin Kurtit me një mocion mosbesimi  i ngritur nga partneri i koalicionit me Vetëvendosjen, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK. Kurti ishte kryeministër vetëm 50 ditë, ndërsa, pasuesi i tij, Avdullah Hoti, ishte kryeministër i zgjedhur për 200 ditë. Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaҫi, që u akuzua për krime lufte nga Gjykata Speciale,  këtë post si president në detyrë e mban kryetarja e kuvendit Vjosa Osmani, por jo më shumë se gjashtë muaj, respektivisht edhe katër muaj.

Vjosa Osmani vjen nga LDK, por, që nga rrëzimi i qeverisë Kurti, Osmani i ka ndarë rrugët politike me LDK-në duke paralajmëruar se në zgjedhjet e ardhshme do të konkurojeë me një listë tjetër politike të vetën. Ajo paralajmëron bashkëpunim me partinë e Albin Kurtit, lëvizjen Vetëvendosje. 

Derniers articles