17.8 C
Berne
jeudi 24/09/2026

Kosova në ofensivë në SHBA: Zë i fuqishëm në OKB, si kurrë më parë, në Asamblenë e Përgjithshme

New York /UN, 24 shtator -Ndonëse Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), megjithatë zëri i saj, përmes delegacionit të kryesuar nga kryeministri shqiptar Albin Kurti, po kumbon në OKB gjatë Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme.

Kurti, me një agjendë të ngjeshur takimesh në kuadër të punimeve të OKB-së, po zhvillon një aktivitet të dendur politik dhe diplomatik. Në këto takime, ai po ngre zërin në arenën ndërkombëtare jo vetëm për sukseset dhe progresin në zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e vendit, por edhe kundër vendimit të 16 shtatorit në Hagë, ku ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burg.

Në të njëjtën kohë, Kurti po e artikulon edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës, duke e bërë këtë temë pjesë të agjendës së tij në takimet ndërkombëtare, shkruan gazeta zvicerane në shqip LeCanton27.ch.

Fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump bëri bujë të madhe në mediat botërore dhe zgjoi interesim të veçantë, sidomos në Ballkan. Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Trump përmendi tetë konflikte për të cilat tha se kishte kontribuar në përfundimin ose ndalimin e tyre, duke përfshirë edhe tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përmendja e Kosovës nga presidenti amerikan tërhoqi vëmendje të veçantë në Prishtinë dhe Tiranë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ndërkaq, foli në OKB dhe e vendosi sërish Kosovën në qendër të fjalimit të tij. Ai deklaroi se Serbia do të mbrojë integritetin territorial të vendit dhe Kartën e OKB-së, duke kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

Por në këtë debat, Serbia përballet me një fakt të rëndësishëm juridik: në opinionin këshillues të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) konstatoi se deklarata e 17 shkurtit 2008 për pavarësinë e Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare të përgjithshme. Opinioni i Gjykatës, megjithatë, nuk vendosi në mënyrë përfundimtare mbi statusin e Kosovës dhe as nuk urdhëroi shtetet ta njohin atë.

Në një tjetër zhvillim që shkaktoi reagime në rajon, Ratko Mladiq, i dënuar nga Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, u varros në Beograd. Çështja e nderimeve ndaj tij shkaktoi reagime dhe kritika nga aktorë ndërkombëtarë, përfshirë në Evropë dhe në Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të premten.

Përgjatë verës, në Tiranë u organizuan protesta kundër projektit luksoz turistik në Zvërnec, i lidhur me investime të kompanisë së Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Qeveria e drejtuar nga Rama është përballur gjithashtu me akuza dhe debate politike lidhur me korrupsionin. Një ditë më parë, në kuadër të një hetimi të veçantë, u raportua edhe arrestimi i drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Në Nju Jork, gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, ndodhet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në margjinat e punimeve të Asamblesë, Kurti ka zhvilluar një seri takimesh me liderë dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë. Ai ka njoftuar për takime me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković. Kurti ka zhvilluar gjithashtu bisedime me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, si dhe me përfaqësues amerikanë e britanikë.

Në kuadër të agjendës së tij në Nju Jork, Kurti është takuar gjithashtu me presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga, kongresmenin amerikan George Latimer, si dhe me Princin e Kurorës së Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled, ndërsa ka zhvilluar edhe takime të tjera me përfaqësues ndërkombëtarë.

Megjithatë, ndryshe nga Serbia, Kosova nuk merr pjesë si shtet anëtar në debatin e përgjithshëm të OKB-së, pasi nuk është anëtare e organizatës. Çështja e anëtarësimit të Kosovës mbetet e lidhur edhe me qëndrimet e Rusisë dhe Kinës, dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat kanë kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Në anën tjetër, Kosova ka mbështetje të fuqishme politike nga Shtetet e Bashkuara dhe nga një numër i madh shtetesh evropiane e perëndimore që e kanë njohur pavarësinë e saj.

Kjo përplasje diplomatike mes Prishtinës dhe Beogradit po reflektohet edhe në skenën e OKB-së: Serbia vazhdon të kërkojë mbështetje për qëndrimin e saj mbi integritetin territorial, ndërsa Kosova synon të forcojë pozicionin e saj ndërkombëtar përmes mbështetjes së aleatëve dhe kontakteve diplomatike në Nju Jork.

Derniers articles