4 C
Berne
dimanche 15/02/2026

Ish-presidenti i Turqisë, shqiptari nga Presheva, gjenerali Kenan Evren: “I pranuam shqiptarët në Turqi në vitin 1938 për t’i shpëtuar nga asimilimi nga sllavët dhe grekët.”

Ankara, 5 qershor 1991 (Nefail MALIQI)  -Presidenti i Turqisë me origjinë shqiptare, gjenerali Kenan Evren, në një intervistë të parë me një gazetar shqiptar, flet ndër të tjera për rolin e Turqisë gjatë luftës në Kosovë dhe për origjinën e tij nga Presheva, pjesë e Vilajetit të Kosovës, siç shprehet vetë Kenan Evren.

Duhet theksuar se intervista me ish-presidentin e Turqisë ishte botuar për herë të parë në revistën e Veton Surroit KOHA (5 qershor 1991) dhe ishte realizuar nga gazetari i njohur shqiptar Nefail Maliqi, i cili atëbotë, si student, ishte gazetar i kësaj reviste. Më vonë ai ishte drejtues i agjencisë informative kombëtare “Presheva Jonë”, ndërsa sot është editor i gazetës zvicerane në shqip LeCanton27.ch. Intervista me gjeneralin Evren ishte transmetuar gjerësisht edhe në Radio Zagreb në gjuhën shqipe nga redaktorja Besa Ceku.

Në këtë intervistë, ish-presidenti Kenan Evren, i cili fjalën “arnaut” nuk e përmend asnjëherë gjatë bisedës për Kosovën dhe shqiptarët, flet për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë në kohën e Enver Hoxhës. Ky personalitet i lartë në Turqi përmend shifra dhe pranon zyrtarisht se në Turqi sot jetojnë dhe veprojnë miliona shqiptarë me origjinë nga Kosova, Çamëria dhe Lugina e Preshevës.

Po ashtu, ish-presidenti turk flet edhe për sllavët dhe serbët, të cilët gjatë bisedës i quan shpesh “shejtan” ose “qafirë” në Ballkan. Në këtë intervistë ai flet edhe për origjinën e tij, duke shpjeguar saktësisht nga cili fshat i Luginës së Preshevës vjen familja e tij. Ai, edhe pas 70 vitesh, nuk e kishte harruar gjuhën shqipe (sot ai është 94 vjeç).

Nostalgjinë për të parët dhe për gjuhën shqipe Evren e dëshmoi edhe gjatë bisedës me gazetarin shqiptar, kur ishte mysafir para 20 vjetësh në rezidencën e tij, Pallatin në Marmaris të Turqisë. Atëbotë, Kenan Pasha dhe bashkëpunëtorët e tij e kishin paralajmëruar se po vinte një “jabanxhi”, por pasi kuptoi se bëhej fjalë për një gazetar shqiptar, ai kishte theksuar se ky nuk është “jabanxhi”, por “vëllai ynë”.

Madje, gjatë kësaj interviste me gjeneralin Kenan Evren, ai më korrigjoi kur i thashë: “Zoti Evren, meqë jeni president turk…”. Ai më ndërpreu dhe më kërkoi t’i drejtohem me shprehjen “President i Turqisë”, gjë që e kuptova dhe e respektova.

ISH-PRESIDENTI I TURQISË, GJENERALI KENAN EVREN, SHPJEGON SE SI TURQIA DHE BOTA NUK LEJUAN SERBIZIMIN E KOSOVËS

Takimin me Presidentin e Turqisë, gjeneralin Kenan Evren, e kishim caktuar të premten e kaluar në orën 10:00, në Pallatin e tij, për të zhvilluar një intervistë për gazetën Koha. Për mikpritjen dhe bisedën në interes të lexuesve shqiptarë, e falënderojmë sinqerisht.

Por, para se të hynim në dhomën e tij për të zhvilluar bisedën, për rreth gjysmë ore biseduam edhe me këshilltarin e tij, emrin e të cilit nuk arritëm ta mësonim. Në telefon, policia e lajmëroi këshilltarin se po vinte një mysafir “jabanxhi” për vizitë tek Kenan Pasha – Evreni. Kështu, me përcjelljen e policisë dhe truprojeve, sjellja e të cilëve ishte e një niveli të lartë, hymë brenda.

Kur filluam të bisedojmë në gjuhën frënge, i thashë se jam nga Kosova, me kombësi shqiptare. Këshilltari ma ktheu duke qeshur dhe duke tundur kokën:
Po ju, zotëri gazetar, nuk qenkeni “jabanxhi”, por mysafir nga Kosova. Njerëzit nga Kosova dhe Shqipëria ne nuk i konsiderojmë si “jabanxhi”… Atëherë mirë se na erdhët, vëllai ynë nga Kosova.

Në bazë të bujarisë dhe mikpritjes, u interesova se kush ishte ai këshilltar dhe më vonë kuptova, ashtu siç edhe e kisha menduar, se edhe ai kishte origjinë shqiptare. Megjithatë, ai nuk më dha të dhëna të tjera, për shkak se ishte i rrethuar nga turq të tjerë.

“Ne me shqiptarët jemi vëllezër. Shumë herë na ka ndihmuar Shqipëria. Nuk e harrojmë kurrë vitin 1974, kur ishim në konflikt me grekët për çështjen e Qipros. Që atëherë, Shqipëria, ashtu siç ishte, u solidarizua dhe ishte në gjendje gatishmërie me forcat e veta për të na ndihmuar në këtë luftë përballë grekut. Andaj, të mirat nuk harrohen kurrë dhe për këtë arsye ne ju kemi borxh.” — tha fillimisht Presidenti turk Kenan Evren në fillim të bisedës sonë.

Me këtë atmosferë, nisi biseda me gjeneralin Kenan Evren, i cili edhe sot e kësaj dite flet disa fjalë në gjuhën e të parëve të tij, në gjuhën shqipe.

KENAN EVREN: MË KUJTOHET SI SOT — BABAI FLISTE DISA FJALË SHQIP, MEQË FAMILJA IME ËSHTË NGA BILACI, JO LARG PRESHEVËS, NË VILAJETIN E KOSOVËS

  • Gazetari: Zotëri President, për opinionin shqiptar në “Jugosllavi” dhe për shqiptarët në përgjithësi, ju jeni i njohur si një burrë shteti me prejardhje shqiptare nga Presheva. Na intereson të dimë më shumë se kur është shpërngulur familja juaj nga këto troje dhe nëse janë shpërngulur edhe familje të tjera nga fshati juaj në Turqi, si dhe nëse ende ruani kontakte me vendlindjen dhe të afërmit tuaj.

KENAN EVREN: ORIGJINA DHE FAMILJA IM NGA PRESHEVA

KENAN EVREN: Po, është e vërtetë se kemi prejardhje nga Presheva e Kosovës. Babai im, Hajrullahu, u lind në një fshat afër Preshevës që quhet Bilac. Mësimet e para i kreu në Preshevë, e më pas, si student, u desh të largohej nga vendlindja për të studiuar në Stamboll tek axha i tij. Saktësisht nuk mund t’ju them në cilin vit erdhi ai në Stamboll, por e di se në atë kohë kishte ndodhur një tërmet i fuqishëm në Turqi.

Pas kryerjes së medresës, babai im nuk e ushtroi profesionin e Hoxhës, por punonte si nënpunës në një firmë private. Qysh nga ajo kohë, ai nuk u kthye më në Preshevë. Gjatë luftrave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, këto toka u humbën dhe babai im humbi lidhjet me prindërit e tij.

Gjyshi im, Hasani, shërbeu si myfti në Preshevë, ndërsa gjyshja ime quhej Haxhere. Në Preshevë, gjyshi im kishte shtëpinë dhe mullirin e tij. Atëbotë, familjen tonë e njihnin si familje shkollore. Sa i përket shpërnguljeve të tjera nga Presheva në Turqi, ato ishin shumë, me qindra mijëra persona, të shtyrë nga regjimi i asaj kohe serbomadh.

PËRSHTYPJET NGA JUGOSLLAVIA DHE SHQIPËRIA

Gazetari: Me siguri e keni vizituar ndonjëherë Jugosllavinë dhe tokat shqiptare. Nëse po, mund të na tregoni përshtypjet tuaja?

KENAN EVREN: Po, e kam vizituar Jugosllavinë dhe kam pasur përshtypje të mira. Territori është i bukur, njerëzit rrugëve më kanë përshëndetur dhe pritur mirë. E dija se Kosova me rrethinë dhe gati gjysma e Maqedonisë është e banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë, por dëshira ime e flaktë ka qenë të vizitoj Shqipërinë dhe të takohem me kryetarin e atëhershëm, Enver Hoxha. Fatkeqësisht, nuk më dha rasti të takoja atë, sepse vendi ishte i izoluar. Dëshira ime është gjithashtu të vizitoj vendlindjen e babait tim në Preshevë, dhe shpresoj që Zoti të më lejojë ta bëj këtë para se të ndahem nga kjo jetë.

SHQIPËRIA DHE BORXHI NDAJ KOSOVËS

KENAN EVREN: Pushteti serbomadh, edhe sot, pas 100 vjetësh, ushtron dhunë ndaj shqiptarëve dhe nuk heq dorë. Vetëm këto vitet e fundit shkaktoi shumë fatkeqësi: na mori gjysmën e autonomisë politike të Kosovës, vrau, helmoi… Ju, në Turqi, a dini për gjenocidin dhe etnocidin serb, për terrorin masiv dhe për largimin thuajse të plotë të shqiptarëve nga puna si dhe për përpjekjet për serbizimin e Kosovës?

Gazetari: Po, e dimë.

KENAN EVREN: Për ngjarjet tragjike dhe gjendjen e mjerueshme në Kosovë jam i njoftuar nga mediat dhe qarqet diplomatike. Kam njohuri të hollësishme se aty po zhvillohet një konflikt mes Kosovës dhe Jugosllavisë, probleme këto të natyrës politike, kombëtare dhe territoriale. Ngjarjet që ndodhin tani janë shqetësuese dhe duhet të zgjidhen me pasoja sa më të vogla. Dëshiroj që këto probleme të zgjidhen sa më shpejt në mënyrë paqësore për të dyja palët, pa dëmtuar askënd. Marrëveshja mund të arrihet vetëm përmes dialogut, pa mohuar apo cenuar të drejtat e askujt.

Sa i përket serbizimit të Kosovës, kjo është vetëm një ëndërr e serbëve. Nuk mund të realizohet sepse aty jetojnë miliona shqiptarë, kroatë, sllovenë, turq, maqedonas dhe të tjerë. Pretendimet e regjimit të Beogradit në këtë drejtim janë të kota dhe do të dështojnë.

QËNDRIMI I TURQISË DHE HISTORIA

Shumë vende evropiane dhe SHBA e kanë dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Turqia, deri tani, nuk e ka dënuar zyrtarisht këtë dhunë. Si të kuptohet ky qëndrim?

KENAN EVREN: Sa i përket gjenocidit, kam disa të dhëna faktike. E di se po shkelën të drejtat kombëtare të shqiptarëve, por kjo është nën mbikëqyrjen e SHBA-ve dhe Evropës. Nëse flas më konkretisht, mund të keqkuptohem, prandaj nuk dua të jap deklarata të plota. Por siç thashë më lart, terrorin dhe dhunën që po zhvillohet në Kosovë e dënojmë.

MARRËDHËNIET HISTORIKE MES TURQISË DHE SHQIPTARËVE

Gazetari: Nuk duket se Turqia ka obligim historik për të kujdesur për shqiptarët, duke pasur parasysh lidhjet e tyre historike dhe rolin e shqiptarëve në Perandorinë Osmane?

KENAN EVREN: Është fakt se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe turqëve kanë qenë dhe janë të mira. Sot, Turqia ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, sidomos me ato ballkanike, përfshirë Shqipërinë. Bashkëpunojmë në fushat ekonomike, politike dhe kulturore.

Gazetari: Cilat janë marrëdhëniet ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë? Kohë më parë vizitoi vendin tuaj presidenti jugosllav Jović.

KENAN EVREN: Marrëdhëniet me Jugosllavinë janë të mira, ashtu si edhe me Shqipërinë.

HISTORIA DHE SHPËRNGULJET E POPULLIT SHQIPTAR

Para 113 vitesh filloi tragjedia e popullit shqiptar nga planet shfarosëse serbe. Si politikan, diplomat dhe ushtarak i njohur turk, a keni të dhëna për shpërnguljet e shqiptarëve gjatë asaj krize Lindore, kur serbët nën pretekstin e shpërnguljes së popullsisë autoktone bënë gjenocid ndaj shqiptarëve të veriut të Kosovës, duke dëbuar mbi 500 fshatra dhe zbrazur një territor të madh sa dy Kosova të sotme?

KENAN EVREN: BALLKANI SI FUQI BARUTI DHE SHPËRNGULJET E POPUJVE

KENAN EVREN: Një kohë, Ballkani ishte si një “fuqi baruti”, që do të thotë se ai ishte shkaktar i Luftës së Parë Botërore. Edhe Lufta Ballkanike, edhe ajo e vitit 1878, dolën nga vetë popujt e Ballkanit. Gjatë shpërthimit të këtyre luftërave të mëdha, lëvizjet dhe shpërnguljet e popujve nga një vend në tjetrin janë krejt të natyrshme.

Ta marrim si shembull shpërthimin e Luftës në Irak: një shumicë e njerëzve nga ky vend filluan të largohen dhe u nisën drejt Turqisë, Iranit dhe vendeve të tjera. Këto lëvizje shpesh ndodhin për të shmangur represionin, dhunën ose regjimet e padrejta.

Luftërat duhet të përfundojnë njëherë e përgjithmonë, sepse nuk janë dëshirat e popujve që i shkaktojnë, por dëshirat e disa individëve. Pra, luftërat nuk i zgjidhin problemet; ato i thellojnë ato dhe popujt vuajnë më shumë. Për këtë arsye lindin gjithnjë konflikte të reja.

Bie fjala, cili ishte rezultati i Luftës së Dytë Botërore? A zgjidhi ndonjë problem real? Për shembull, shqiptarët mbetën të ndarë në dy-tre shtete. Kjo luftë nuk zgjidhi asgjë; përkundrazi, shkaktoi konflikte që shpërthyen më vonë, si në Ballkan ashtu edhe në Jugosllavi.

Sot, Turqinë mund ta quajmë si një “djep” ose strehim për shumë popuj që ishin në vështirësi nga regjimet e tyre dhe u dëbuan nga vendi i tyre, qofshin me dhunë apo për arsye politike. Turqia përballë këtij tmerri dhe gjenocidi nuk mundi të mbyllte sytë dhe dyert për këta njerëz që kërkonin shpëtim.

Spanja në vitin 1492 i dëboi hebrenjtë nga vendi i saj, dhe ata u mirëpritën në Turqi. Në vitin e ardhshëm (1992 sipas shënimit të redaksisë) kremtohet 500-vjetori i ardhjes së hebrenjve në Turqi.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, regjimi nazist i Gjermanisë detyroi shumë intelektualë, profesorë dhe shkencëtarë të largohen dhe ata u strehuan në Turqi. Po ashtu, nga vendet evropiane, aziatike dhe arabe pati shpërngulje të mëdha drejt Turqisë, dhe vendi ynë i mirëpriti të gjithë.

Gjatë atyre viteve, edhe shumë shqiptarë dhe muslimanë nga rajonet e ndryshme të Jugosllavisë dhe Çamërisë u strehuan në Turqi. Përkundër qëllimit të mirë që tregoi Turqia ndaj këtyre kolonave të refugjatëve, kjo shpesh nuk u vlerësua siç duhej nga disa qarqe ndërkombëtare.

NË TURQI SOT JETOJNË MË SHUMË SE PESË MILIONË SHQIPTARË

Gazetari: Njohësit e problematikës së shpërnguljeve shqiptare në Turqi thonë se këtu gjendet një numër i madh, madje me miliona persona me origjinë shqiptare, kryesisht nga Kosova, Çamëria dhe Lugina e Preshevës. Mund të na konfirmoni këtë dhe a posedoni ndonjë shifër zyrtare, z. Evren?

KENAN EVREN: NË TURQI JETOJNË MILIONA SHQIPTARË

KENAN EVREN: Në vitin 1928, Turqia kishte gjithsej rreth 13 milionë banorë, prej të cilëve mbi një milion ishin shqiptarë. Ndërsa sot Turqia ka mbi 60 milionë banorë, dhe nëse e njihni mirë matematikën, zoti gazetar, rezultatin mund ta nxirrni vetë — ndoshta jo saktësisht, por përafërsisht — edhe për numrin e shqiptarëve në Turqi… (qesh Kenan Evreni — shënim i redaksisë).

PYETJE: KONVENTA JUGOSLLAVI–TURQI

Gazetari: Përkundër dhunës, shqiptarët në Jugosllavi — mbi tre milionë — e kanë shpallur Republikën e Kosovës dhe me këmbëngulje po punojnë drejt realizimit të saj në praktikë. Pas këtij hapi historik, do të insistojnë që të zhvlerësohet konventa jugosllavo‑turke, në mënyrë që t’i kthehet dinjiteti popullit shqiptar. Ju, z. Evren, si e komentoni këtë konventë të kobshme?

KENAN EVREN: KONVENTA E VITIT 1938

KENAN EVREN: Në vitin 1938, qeveria e Mbretërisë Jugosllave nënshkroi një konventë me qeverinë e Republikës së Turqisë për emigrimin e popullsisë turke nga pjesa jugore e Serbisë, përkatësisht nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare që shtriheshin në tri banovina: Zeta, Morava dhe Vardari.

Sa i përket kësaj konvente mes Jugosllavisë dhe Turqisë, ne nuk mund ta ndryshojmë apo ta zhvlerësojmë atë nëse vetë shqiptarët nuk e kërkojnë një gjë të tillë.

Para dy vitesh (1989 — shënim i redaksisë), qeveria bullgare ushtroi një presion të paparë ndaj rreth dy milionë turqve që jetonin në Bullgari, duke shkaktuar shpërngulje masive drejt Turqisë. Por çfarë ndodhi më pas? Qeveria e Todor Zhivkovit ra pikërisht për shkak të kësaj politike represive. Të gjitha shtetet e botës e dënuan këtë lloj gjenocidi ndaj një populli dhe Bullgaria u izolua ndërkombëtarisht. Zhivkovi e pagoi këtë politikë dhe ra nga skena politike.

Besoj se të gjithë liderët dhe diktatorët në Ballkan që zbatojnë politika shtypëse dhe diskriminuese do të bien — nëse jo sot, atëherë nesër.

Derniers articles