Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos të Zvicrës, ku ka folur për rëndësinë e vizitës së tij dhe takimet e zhvilluara me personalitete të ndryshme.
Në një intervistë për Euroneës Albania nga Davosi, Kurti theksoi se kjo vizitë ishte më e veçantë se herët e tjera, duke i dhënë rëndësi hapjes së Shtëpisë së Kosovës në Davos dhe nënshkrimit të marrëveshjes historike me EFTA-n.
Intervista e Albin Kurtit:
Gazetari: Përshëndetje, zoti Kryeministër, mirësevini në Zvicër, në Davos, ku po ndiqni Forumin Ekonomik Botëror. Jemi në një intervistë për Euroneës Albania. Fillimisht, mund të na thoni për qëllimin e vizitës suaj këtu në Davos?
Kurti: Unë kam ardhur në Davos, sikurse çdo vit që kur jam kryeministër i Kosovës. Është hera e katërt që vij në Forumin Ekonomik Botëror, por kësaj radhe ishte e veçantë sepse, përveç takimeve, kemi formuar dhe funksionalizuar Shtëpinë e Kosovës në Davos. Në vitet e mëhershme shkonim si mysafirë te shtëpitë e të tjerëve, ndërkaq kësaj radhe na vijnë mysafirë në Shtëpinë e Kosovës. Nga ana tjetër, ishim dakorduar që nënshkrimin e marrëveshjes me EFTA-n – pra Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtejnin – ta bëjmë pikërisht gjatë Forumit Ekonomik Botëror këtu në Davos. Këtë e bëmë në Shtëpinë e Zvicrës, vend i cili është shtëpi e shumë shqiptarëve, rreth 300 mijë shqiptarë sipas statistikave, ku mbi 2/3 besohet se janë vetëm nga Kosova. Ne kemi Shtëpinë e Kosovës në Zvicër, e cila ka qenë edhe shtëpi e disidentëve tanë ndër dekada të ndryshme, e refugjatëve tanë dhe, po ashtu, e punëtorëve, studentëve, mjekëve dhe infermierëve të shumtë që kemi.
Gazetari: Duket se është e para dhe e vetmja nga Ballkani, me sa di?
Kurti: Po, padyshim që këtu kemi një prezencë të jashtëzakonshme dhe mbase ishte koha e fundit që ta kemi Shtëpinë e Kosovës në Davos.
Gazetari: Keni pasur një sërë takimesh dhe një aktivitet të ngjeshur diplomatik dhe politik. A keni takuar personalitete?
Kurti: Po! Kam takuar kryeministrin e Lituanisë, Tomskas, ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Eide, dhe pastaj kam pasur shumë takime të shkurtra, dreka dhe darka që organizohen në Davos, ku, në njërën anë, shpalosim arritjet e Kosovës – që përfshijnë avancimin demokratik dhe rritjen ekonomike – dhe, në të njëjtën kohë, tregojmë për sfidat e sigurisë që na i ka shkaktuar Serbia, nga të cilat kemi dalë rregullisht fitues. Tani kemi një tubim në Zyrih dhe pastaj vijojmë me fushatën tonë në Kosovë drejt së dielës së 9 shkurtit, ku do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare, të parat pas një mandati të plotë të qeverisë 4-vjeçare që prej shpalljes së pavarësisë.
Gazetari: Për fund, marrëveshja me EFTA-n: çfarë do të thotë ajo për Kosovën në perspektivën e ekonomisë dhe tregtisë?
Kurti: Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, me në krye Rozeta Hajdarin, ka negociuar me mençuri dhe forcë. Mund të them që ka tejkaluar parashikimet e mia si kryeministër, pasi në një periudhë të caktuar më dukej se do të mund të arrinim vetëm një marrëveshje për tregtinë e mallrave, siç ka në vende të tjera të Ballkanit. Ministrja Rozeta tha: “Prisni pak”, sepse duhet të vazhdojmë negociatat, dhe ia doli që të përfshijë edhe shërbimet. Ne kemi interes të përfshijmë shërbimet në tregti, pasi eksportojmë shumë shërbime nga sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Padyshim që tashmë ndërmarrësit tanë kanë fituar një treg të ri dhe kjo do të paraqesë një mundësi shtesë për të rritur prodhimtarinë në Kosovë dhe për të shtuar eksportin e Kosovës, i cili për herë të parë ka kaluar vlerën prej 1 miliardë eurosh në vitin 2024.
Gazetari: Faleminderit, zoti Kryeministër, për intervistën për Euroneës Albania.