Bardhyl Mahmuti, ka njoftuar se së shpejti do të dalë nga shtypi romani ‘’Procesi Special’’, i cili, siç ka thënë ai, i kushtohet ‘’ padrejtësisë më të madhe juridike të çerekut të parë të shekullit XXI’’.
Mahmuti ka shkruar edhe se ‘’së shpejti lexuesve shqiptarë do t’ua ofrojmë mundësinë të kenë në duar romanin për procesin më absurd të Epokës sonë!’’.
Postimi:
Së shpejti del nga shtypi romani “PROCESI SPECIAL”
Të dashur miq,
Ndërkohë që atdhetarët e mirëfilltë presin me ankth epilogun e procesit politik në Hagë, unë jam duke përfunduar romanin “PROCESI SPECIAL”, që i kushtohet padrejtësisë më të madhe juridike të çerekut të parë të shekullit XXI.
Edhe në rast të shpalljes së pafajësisë së plotë, që është vendim i vetëm i drejtë, mbajtja prapa hekurave për gjashtë vjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk duhet të mbetet në heshtje.
Së shpejti lexuesve shqiptarë do t’ua ofrojmë mundësinë të kenë në duar romanin për procesin më absurd të Epokës sonë!
Fragment i shkurtër nga romani:
(…) vetëm kohëzgjatja e ekzekutimit me vdekje e dallon thikën e gijotinës mbi zverkun e viktimës nga ngulja e thikave pas shpine. Në dallim nga xhelatët dhe spektatorët e ekzekutimit me gijotinë, që për disa sekonda shihnin gjakun që rridhte nga ndarja e kokës prej trupit si dëshmi e realizimit të dënimit me vdekje, spektatorët e ekzekutimit tonë të ngadalshëm nuk shohin as hemorragjinë e brendshme nga thikat pas shpine, as agoninë e ndarjes sonë nga familja, shoqëria dhe jeta kulturore. Meqë projekti ishte kombëtar, agonia duhet t’i godasë të gjithë mbështetësit tanë. Prandaj kanë parashikuar spektaklin televiziv nga salla e seancave gjyqësore… Kërkoj ndjesë që, si historian, do të shmangem pak nga tema kryesore. Në vitin 1830, Perandoria Osmane vrau pabesisht 500 krerë të bajraqeve shqiptare që ishin tubuar në qytetin e Manastirit… Na lanë pa kokë politike në momentet kur krijoheshin projektet për krijimin e shteteve kombëtare në Ballkan. Në atë kohë u mësuan shqiptarëve “Lojën ulur”. Sipas rregullave të kësaj loje, lojtari që kishte topin e leckës në dorë duhej të godiste lojtarët e tjerë. Prapanica ishte pjesa më e rëndësishme e trupit, që nuk duhej të prekej nga topi. Prandaj luhet ulur. Nëse kundërshtari të godet në kokë, s’prish punë! Me rëndësi të shpëtojë prapanica! Aktualisht, nuk po lënë gurë pa lëvizur për ta prezantuar Gijotinën Politike si domosdoshmëri për të mbajtur gjallë “Lojën ulur” (…)
