Andenne, Belgjikë – 70 vjet më parë, një tren solli në këtë qytet 350 refugjatë shqiptarë: gra, burra dhe fëmijë, të arratisur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
I shoqëruar nga Ambasadori i ri i Shqipërisë pranë Mbretërisë së Belgjikës dhe Dukatës së Madhe të Luksemburgut, z. Gazmend Barbullushi, pata nderin të marr pjesë në ceremoninë përkujtimore të 70-vjetorit të ardhjes së kësaj vale të parë të refugjatëve shqiptarë në Andenne.
Nën organizimin e autoriteteve komunale dhe nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Andenne, z. Vincent Sampaoli, kjo ngjarje u përkujtua në mënyrë simbolike me rikrijimin e mbërritjes së trenit në stacionin e qytetit.Ata 350 shqiptarë kishin lënë pas vendin e tyre, të detyruar të largoheshin nga përndjekja dhe represioni i regjimit komunist. Pas arratisjes, ata ishin vendosur në kampin famëkeq të Gerovës, në Kroacinë e atëhershme, pjesë e Jugosllavisë.
Belgjika shkoi t’i merrte dhe t’i shpëtonte nga kushtet e vështira të kampit, duke u ofruar atyre strehim, siguri dhe mundësinë për të nisur një jetë të re.
Ceremonia në stacionin e Andenne-s ishte e mbushur me emocione. Para stacionit ishin mbledhur shumë qytetarë, përfaqësues të autoriteteve belge dhe të komunitetit shqiptar, për të nderuar kujtimin e atyre që, 70 vjet më parë, mbërritën në këtë vend me shpresën për një jetë në liri.
Në ato momente, në mënyrë të pashmangshme, kujtova edhe ardhjen time në Belgjikë si refugjat – i vetëm, i pasigurt dhe i humbur në një dhe të huaj. Edhe unë kisha lënë pas vendlindjen time, por duke ikur nga regjimi serb dhe jugosllav i asaj kohe.
Dy histori të ndryshme, të ndara nga dekada, por të bashkuara nga dhimbja e mërgimit, nga përvoja e refugjatit dhe, mbi të gjitha, nga shpresa për liri dhe një jetë më të mirë.
Në këtë përvjetor, nuk kujtojmë vetëm një ngjarje të së kaluarës. Kujtojmë njerëzit, sakrificat dhe guximin e tyre, por edhe aktin e solidaritetit dhe humanizmit të Belgjikës, e cila hapi dyert për njerëzit që kishin nevojë për mbrojtje.
Me kërkesë të organizatorëve, pata nderin që, së bashku me Ambasadorin z. Gazmend Barbullushi, të vendosim një kurorë me lule pranë pllakës përkujtimore të vendosur para stacionit të trenit të Andenne-s.
Nderim dhe respekt për të gjithë ata shqiptarë që 70 vjet më parë mbërritën në Belgjikë.
Mirënjohje për Belgjikën dhe popullin belg për solidaritetin, humanizmin dhe mikpritjen e treguar ndaj shqiptarëve në ditët e tyre më të vështira.
Faleminderit, Belgjikë, për jetë e mot!
