25 vjetori i Marrëveshjes së Dejtonit është rast edhe për një vështrim në « punën e papërfunduar » në Ballkan. Kriza jugosllave nuk ishte një krizë e periferisë por paralajmërim i trendeve që tani janë të dukshme në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të marrëssh mësime për të ardhmen, shkruan për Deutsche Welle-n Sonja Biserko, themeluese dhe presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
Megjithëse Marrëveshja e Dejtonit, siç theksojnë të gjithë, ishte në funksion të arritjes së paqes, ajo është ende e kudogjendur në jetën politike të BeH-së dhe rajonit, sepse la hapësirë për dyshime të shumta që ndikojnë drejtpërdrejt në strukturën e vetë Marrëveshjes.
Perëndimi pret që boshnjakët të lëvizin vetë dhe të nxjerrin në pah opsionin qytetar që, në vetvete, do të çonte në ndryshim. Ka pasur përpjekje të tilla, por të gjitha ato janë prishur, sepse elitat lokale bashkëpunojnë në situata të tilla dhe parandalojnë krijimin e një Bosnje dhe Hercegovine qytetare.
‘Çlirimi serb’
Mosgatishmëria e Bosnjës për të lëvizur brenda vetes, por edhe mosgatishmëria e bashkësisë ndërkombëtare për të vepruar brenda kornizës në dispozicion të saj që nga viti 2006, ushqen nacionalizmat, veçanërisht atë serb. Serbia nuk e ka mbyllur çështjen serbe. Elita kryesore serbe beson se ajo do të « mbyllet vetëm nga ‘çlirimi serb’ dhe bashkimi i shtetit, dhe jo nga përfshirja në integrimin euro-atlantik ose ndonjë krijesë surrogar, siç është të ashtuquajturat « Rajone » ose një « BE-gosllavije » të cilën e avokon Timothy Less (ish-diplomat britanik që drejtoi ambasadën britanike në Banjallukë).
Këtij fiksimi të Beogradit mbi përfundimin, siç thonë ata tani, të « botës serbe », dmth boshtit Beograd-Banjallukë-Podgoricë-Mitrovicë, i kontribuon shumë konteksti shumë fluid ndërkombëtar, si dhe vakumi politik i krijuar në Ballkan. Interpretim dominues i marrëdhënieve ndërkombëtare është që Serbia nuk duhet të humbasë mundësinë historike që i është krijuar.
Këto pritje janë pasqyruar edhe në politikën e saj të jashtme të sa. Si pjesë e politikës së tij të « neutralitetit », Beogradi po përpiqet të luajë në një hapësirë që askush nuk e mbulon në tërësinë e saj. Presidenti Vuçiq, i cili në parim është bartësi i vetëm i politikës së jashtme, po përpiqet të lëvizë brenda një politike të hartuar më parë bazuar në « katër shtylla » (Kina, Rusia) , SHBA dhe BE-ja) dhe të shfrytëzojë të gjitha interesat e tyre të ndryshme.
Serbia si faktor destabilizues
Përbërës kryesor i politikës së jashtme të Serbisë është hipokrizia. Megjithëse pretendon të aspirojë anëtarësimin në BE dhe marrëdhëniet më të ngushta me NATO-n, Serbia kërkon të ekuilibrojë marrëdhëniet me katër fuqitë kryesore, pasi mendon se do të përfitojë nga secila: diplomatike, ekonomike dhe ushtarake. Në këtë kuptim, me shkathtësi e përdor trashëgiminë e lëvizjes së të painkuadruarve, veçanërisht kur bëhet fjalë për (tërheqjen) e njohjes së Kosovës.
Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin ekonomik të Serbisë dhe Kosovës, e nënshkruar nga Vuçiq dhe Hoti në shtator 2020 në prani të Donald Trumpit, ngriti dyshime për orientimin e Serbisë, e cila deri vonë ishte më e orientuar drejt Rusisë dhe Kinës. Serbia ka filluar një lojë të komplikuar gjeopolitike. Bëhet fjalë për fitoren gjeopolitike të Amerikës, sepse « marrëveshja », siç vuri në dukje ndërmjetësi i Trumpit Richard Grenell, « distancon Serbinë nga Rusia dhe Kina ». Sidoqoftë, ndikimi i Kinës dhe Rusisë nuk duhet të nënvlerësohet, duke pasur parasysh që të dyja janë tashmë thellë në Serbi. Rusia ka shprehur pakënaqësi me marrëveshjen, ndërsa Kina është përmbajtur nga reagimet publike.
Një politikë e tillë e Serbisë ka një ndikim të fortë në marrëdhëniet në rajon, sepse vepron si faktor destabilizues që parandalon integrimin dhe konsolidimin e këtyre vendeve përmes komuniteteve serbe në të gjitha vendet fqinje. Beogradi niset nga ajo se ka krijuar « marrëdhënie diplomatike të mira me të gjitha qendrat e pushtetit në botë » dhe kështu ka fituar rëndësi gjeostrategjike. Gjatë katër viteve të fundit, Beogradi ia ka dalë të arrijë në administratën e Trumpit, e cila e ka inkurajuar të rrisë praninë e tij përçarëse, si në Bosnjë, ashtu dhe në Mal të Zi dhe Kosovë, deri në pikën që hapi mundësinë e « rikompozimit » të Ballkanit.
Sonja Biserko
Strategjia e hartuar
Kjo nuk është qasje e re e Beogradit. Serbia është ndoshta vendi i vetëm në rajon që ka strategji shumë të menduar, për të cilën elita dominuese serbe po punon në të gjitha fushat. Kjo nënkupton, mbi të gjitha, energji të madhe intelektuale në riinterpretimin e viteve 1990, e cila bie në faktin se serbët nuk « vepruan strategjikisht, por instiktivisht, me dëshirën për vetë-mbrojtje », por që tani arritën megjithatë të « hapnin çështjen serbe ».
Politika shtetërore e Serbisë nuk ka ndryshuar në lidhje me rajonin edhe pas largimit të Sllobodan Millosheviqit. Mjete të tjera tani janë duke u aplikuar dhe në masë të madhe ato janë duke u vendosur në kontekstin e zhvillimeve aktuale në marrëdhëniet botërore Perëndim-Islam, veçanërisht kur bëhet fjalë për Bosnjën dhe Kosovën. Akoma, si 30 vjet më parë, nga qarqet e ideologëve kombëtarë del oferta për të rikompozuar Ballkanin përgjatë kufijve etnikë.
RS si plaçkë e luftës
Për të kuptuar sjelljen e Serbisë, interesat e saj gjeostrategjikë, siç përcaktohen nga elitat serbe, duhet gjithashtu të merren parasysh. Këto interesa janë pronë e shtetit dhe është dytësor cili opsion është aktualisht në pushtet. Ata ndryshojnë vetëm në metodë, por thelbi është i njëjtë. Qeveria aktuale e ka hequr plotësisht këtë strategji dhe në një farë mënyre hapi sytë e të gjithëve, si fqinjëve ashtu edhe perëndimit.
Konteksti ndërkombëtar shumë fluid e ka inkurajuar qeverinë aktuale të bëjë lëvizje më të ashpra, retorikë më të drejtpërdrejtë dhe sjellje më të pamatur, si brenda vendit, ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar.
Vuçiq dhe Hoti në Shtëpinë e Bardhë
Kjo politikë përfshin edhe një numër dokumentesh strategjike qeveritare si Strategjia për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve midis shtetit amë dhe diasporës dhe shtetit amë dhe serbëve në rajon (2011) dhe Kartën për hapësirën kulturore Serbe (2019). Kur bëhet fjalë për Bosnjën, Republika Serbe (RS) është një plaçkë lufte prej të cilës nuk do të hiqet dorë lehtë. Edhe në Strategjinë e Sigurisë (2019), mbijetesa e RS-së trajtohet si prioritet. Sidoqoftë, pa e zgjidhur çështjen e Bosnjës, stabiliteti i Ballkanit do të mbetet i diskutueshëm.
Interesi gjeopolitik i Serbisë në Bosnjë dhe Hercegovinë është ruajtja e RS-së dhe aneksimi i saj në Serbi. Ajo është e rëndësishme gjeopolitikisht për Serbinë për shkak të presionit gjeopolitik mbi Malin e Zi dhe hyrjes në Adriatik (gjë që është më se e dukshme në dy muajt e fundit), duke parandaluar projektin neo-Osman, duke pushtuar bregun tjetër të Drinës dhe duke lëvizur « kufirin e civilizimit » në Perëndim, gjë që rrit ndikimin serb. Arritja e qëllimeve me mjete të tjera në kohë paqeje do të thotë të pranosh Marrëveshjen e Dejtonit si zgjidhjen optimale në rrethanat e dhëna.
« Interesat thelbësore kombëtare të Serbisë »
Republika Sërpska (RS) trajtohet në Serbi si shtet, si fakt i ri që lindi në funksion të mbrojtjes së konstituivitetit të popullit serb dhe e cila është verifikua ndërkombëtarisht nga Marrëveshja e Dejtonit. Shpërbërja e BeH-së, domethënë pavarësia e RS-së, është një synim shtetëror të cilit i nënshtrohen si anëtarësimi në BE ashtu edhe vetë interesat thelbësore kombëtare të Serbisë. Dhe kjo është arsyeja pse, siç mendojnë nacionalistët, lidhja fatale e Serbisë me integrimin evropian do t’i lidhte duart Serbisë për të ndihmuar në mbajtjen e Republikës Serbe.
Një hierarki e tillë e përparësive përcakton sjelljen e Serbisë ndaj Bosnjës. Ngjarjet e viteve 1990 dhe interpretimi i tyre si luftë çlirimtare dhe, sipas Dobrica Qosiqit, si « mbrojtje e lirisë dhe së vërtetës dhe të drejtave kombëtare në Republikën Serbe » – mbeten pengesa kryesore për heqjen e frenave thelbësore për konsolidimin shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Për fat të keq, manipulimi i fakteve historike në Serbi tashmë ka çimentuar interpretimin e luftës në BeH, i cila është në kundërshtim me të vërtetën historike. Dhe kjo pavarësisht nga fakti se Tribunali i Hagës mori më së shumti vendime pikërisht me rastin e krimeve të serbëve të kryera kundër boshnjakëve.
Injorimi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë (ICTY) dhe të gjitha provat e mbledhura dhe të dokumentuara në lidhje me luftën në BeH i ndërlikojnë më tej marrëdhëniet në BeH, veçanërisht marrëdhëniet serbo-boshnjake. Kjo është e rrezikshme dhe e dëmshme në shumë mënyra, jo vetëm për konsolidimin në Bosnjë -Hercegovinë, por edhe për përparimin demokratik dhe të ardhmen evropiane të Serbisë.
Beogradi akuzon fuqitë perëndimore, kryesisht Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, për shpërbërjen e Jugosllavisë, duke thënë se qëllimi i tyre është « kapitullimi total i serbëve ». Të gjitha ofertat e deritashme për zgjidhjen e krizës në BeH, të cilat erdhën kryesisht nga BE-ja, janë pritur pa entuziazëm, sepse atij (Vuçiqit dhe elitave dominuese) kurrë nuk i është « ofruar kompensim », që do të thotë « kthim i të gjitha kompetencave që iu morën Republiës Serb », d.m.th. riafirmimi i parimeve origjinale të Dejtonit. Sepse, siç është theksuar, mbijetesa e Bosnjës është e mundur vetëm « siç është menduar konfederatë e dy entiteteve ».
Fitorja e Bidenit shqetësoi Beogradin
Fitorja e Joe Bidenit e ka shqetësuar Beogradin, pasi pritet ndryshim i kursit drejt Ballkanit dhe Bideni është një nga politikanët e paktë perëndimorë që ka një pasqyrë shumë të mirë për vitet 1990. Ai dha deklarata shumë të sakta për këtë, veçanërisht për agresionin e serbëve në Bosnjë, gjenocidin dhe spastrimin etnik. Ka indikacione të shumta që Bideni do të veprojë në mënyrë të koordinuar me BE-në në Ballkan, gjë që ka rritur në mënyrë të konsiderueshme pritjet në rajon. BE-ja tashmë po u bën thirrje ShBA-ve për aleancë të re, në mënyrë që të kundërshtojnë bashkërisht « forcat autoritare ». Tani është koha e duhur për të bërë këtë përparim.
Në këtë kuptim, « dëgjimi » në Kongres (8 dhjetor 2020) ishte inkurajues, ku mund të dëgjohej se çfarë i rekomandohet administratës së re kur bëhet fjalë për Ballkanin. Media serbe reagoi menjëherë, duke i shpallur të gjithë folësit urrejtës të serbëve, ndërsa presidenti Vuçiç tha se pret presion edhe më të rëndë mbi Serbinë dhe se ai « do të fitonte çmimin Nobel nëse do të kishte nënshkruar aktin e pavarësisë së Kosovës ».
Në mënyrë që Bosnja të bëhet një shtet funksional, është e nevojshme t’i jepet fund ndryshimit të kufijve dhe të parandalohet ndikimi i Serbisë dhe Kroacisë. Imperializmi dy-shekullor i Serbisë është veçanërisht i rrezikshëm. Duke riafirmuar kufijtë ekzistues me garancinë e vendosur të bashkësisë ndërkombëtare, është e mundur të hiqet ndikimi malinj i të gjitha pretendimeve, veçanërisht atyre të serbëve, dhe vetëm atëherë mund të presim që tre popujt e Bosnjës të kthehen në axhendën e tyre. Kjo nënkupton krijimin e identiteti shtetëror, sepse pa të ka vend për prirje të shpërbërjes.
Për fillim, EUFOR-i në Bosnjë dhe Hercegovinë duhet të forcohet në mënyrë që të pengojë konfliktet për të cilat ka ende potencial të madh, përfundon Sonja Biserko për DW-në.